E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ta përkthesh De Biazi-n?

Pavarësisht historive e problematikës së shumtë që ngërtheu ky sezon futbollistik, sidomos për Kategorinë Superiore që edhe pse e tillë në emërtim, nuk ka ndonjë dallim kushedi se çfarë për nga niveli, struktura dhe drejtimi me inferiorët e periferive, megjithatë jeta vazhdon me të tjera, aq më tepër kur sa hap e mbyll sytë, brenda javës së ardhshme, Kombëtarja do të luajë dy ndeshje radhazi, ndaj Katarit në Madrid dhe ndaj Iranit në Stamboll, përkatësisht në datat 22 dhe 27 maj. Klima e pazakontë e premierave me dy vendet arabo-aziatike që ka përfshirë përfaqësuesen tonë dhe trajnerin e saj të ri De Biazi ka imponuar ndërkohë një makiazh mediatik të përqendruar, në përpjekje për t’ia fshehur sa më shumë rrudhat këtij futbolli që italiani në fjalë ka marrë përsipër ta drejtojë. Intervistat dhe deklaratat e shumta, të thëna apo të botuara brenda dhe jashtë vendit prej De Biazi-t, ç’ka i shkojnë edhe vetë natyrës së gazetarisë italiane, aq më tepër këtij trajneri që di të bëjë edhe rolin e komentatorit sportiv,megjithatë më tepër se qartësojnë përmbajtjen e asaj ç’ka ai do të thotë, përkundrazi e ngatërrojnë problemin dhe mesa duket kërkojnë një lloj “përkthimi” tjetër për të dhënë idenë e tyre të vërtetë, që ndoshta jepet e turbulluar dhe e pakuptimtë me qëllim për t’i shpëtuar kurtheve që e ardhmja mund të servirë për të.
Pasi na “ngrohu” në ditët e dimrit me ca deklarata që as vetë nuk i besonte ku shprehej se, Shqipëria si një vend i vogël i ngjashëm me Slloveninë, mund të arrinte edhe ajo deri në finale botërore, e të tjera sofizma të kësaj natyre që asnjë paraardhës i tij nuk kishte pasur guxim t’i shprehte, trajneri italian De Biazi, nuk ja përton tani të na degdisë në vise të largëta, duke u qarë për futbollistë të tillë si Gjerdan Shaqiri e ndonjë tjetër që nuk kanë zgjedhur Shqipërinë për të luajtur, por vende të tjera si Zvicra!? Nuk e di se ku e gjen këtë arsyetim De Biazi, kur në këtë mjedis globalizmi e të zgjedhjes së lirë, shumë vende, madje edhe ato me “gjak të pastër arian” përfshijnë në ekipet e tyre kombëtare edhe futbollistë me ngjyrë, të vendeve apo kontinenteve të tjerë, aq më tepër Zvicra, të cilën Shaqiri dhe shumë të tjerë si ai që luajnë atje e kanë vendlindjen e tyre!? Tjetër gjë që i duket këtij trajneri se e bën interesant është edhe pohimi se, të drejtosh një Kombëtare na qenka më e vështirë se të drejtosh një ekip dosido të një klubi! A thua se në këtë botë nuk paska njeri që nuk e ditka një gjë të tillë!? Në vazhdën e kësaj logjike, sikur të na bënte një zbulim, De Biazi thotë gjithashtu se, një ekip përfaqësues qenka më i vështirë për t’u stërvitur kur lojtarët e formacionit të tij aktivizohen jashtë nëpër klube të huaj! Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, ai që më parë s’ka drejtuar kurrë një Kombëtare, tani kërkon pikërisht me futbollin shqiptar që të na shfaqka një lojë që të përmbajë diçka mes pragmatizmit italian dhe fantazisë së ekipit të Barcelonës(!!!), duke na “surprizuar” ndërkohë se me Bogdanin mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme, sikur ky futbollist i nderuar 34- vjeçar i përfaqësueses sonë të mos qenkësh provuar asnjëherë më parë, madje kur ka qenë në moshën dhe formën e tij më kulminante!
Në dukje të thjeshta dhe gati të njohura prej të gjithëve, disa pohime të trajnerit De Biazi, megjithatë duan një “përkthim” të veçantë, mesa duket, për t’i nxjerrë esencën e munguar përmbajtjes që ai kërkon më shumë ta mjegullojë se sa ta qartësojë! Në një intervistë tjetër ai thotë se, në kushtet e barazisë së vlerave të ekipeve, fiton ai që ka motive më shumë, duke pohuar thjesht një postulat teorik që në rastin tonë nuk i përgjigjet realitetit që e pret Kombëtaren tonë për eliminatoret e Botërorit 2014-të. Sepse, ku e sheh barazinë e vlerave të ekipit tonë De Biazi, në krahasim me pjesëtarët e tjerë në grup, si Zvicra, Norvegjia, apo Sllovenia, për të mos numëruar edhe të ashtuquajturit “të vegjël” si Qipro, Apoeli, i cili u përball deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të Europës me Realin e Madridit? Dhe, nëse na qenka kështu, po motivet tona ku i sheh më të shumta nga ato të kundërshtarëve, që do të mund t’i jepnin pastaj mundësi këtij trajneri për të sjellë një erë të re të luajturi, siç pretendon në intervistën e fundit?!... Mund të vazhdonim me të tjera “fjalë, fjalë, imzot” nga monologu i ngatërruar i...De Biazi-t, përkthimin më të saktë të të cilit mund ta shihnim vetëm në fushën e lojës, duke filluar që nga miqësoret e javës së ardhshme, ato ndaj Katarit dhe Iranit. Dhe, do të ishte mënyra më e mirë për të parë nëse ai ka ardhur në Shqipëri si një specialist i aftë, apo thjesht sa të gjetur një punë, nëpërmjet një diplome false, si ajo e italianit tjetër- Bossi!

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›