E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edita Tahiri: “Maqedonia ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit”

12-09-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe kryenegociatorja, Edita Tahiri në një intervistë të posaçme gazetën e Shkupit “Zhurnal plus” duke folur për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni ka thënë se lufta për liri si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni ka dhënë rezultate

Zhurnal plus: Sa janë transparente dhe të dobishme këto bisedime me Beogradin?
Tahiri: Këto bisedime janë të dobishme. Dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë do të thosha është një veprimtari diplomatike e Kosovës e cila ka për synim të përmirësojë marrëdhëniet ndërfqinjësore por edhe të kontribuojë në bashkëpunim rajonal që janë dy kritere themelore për integrimet evropiane. Fundja ky dialog ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE) i cili është garantues i zbatimit të marrëveshjeve që dalin nga këto biseda dhe dialogu mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Pra, është një ndërmarrje ndërkombëtare për të cilën Kosova është treguar e gatshme sa do që Serbia nuk e ka historinë e mirë në Kosovë sepse ka qenë okupatore këtu dhe për neve si qeveri nuk ka qenë e lehtë të marrim vendim të bisedojmë me Serbinë. Mirëpo fakti që ky dialog është i kufizuar vetëm për çështje praktike është dialog teknik atëherë ne kemi vlerësuar të gjitha përpjekjet që të zgjidhim çështjet praktike me shtetin fqinj të  kontribuojmë edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve por e afrojnë Kosovën më shpejtë drejt BE-së.

Për vulat nuk e paraqesin asnjë element të shtetësisë së Kosovës. Si e komentoni këtë?
Marrëveshja për njohjen reciproke të vulave të Doganave midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane është një marrëveshje e cila në radhë të parë vendos marrëdhëniet bilaterale ndërshtetërore në planin e tregtisë së lire, pra mundëson qarkullimin e lirë të mallrave midis dy shteteve. I jep fund embargos tre vjeçare që Serbia u ka bërë mallrave të Kosovës si dhe është marrëveshje me të cilën Serbia ka njohur vulat e Doganave të Republikës së Kosovës që janë në shfrytëzim pas pavarësisë së Kosovës. Ato vula janë me denominimin Doganat e Kosovës dhe ky formulim është bërë për shkak se Kosova ka sfidën e mos njohjes nga pesë vendet e BE-së dhe meqenëse BE i ka njohur këto vula atëherë me këtë mënyrë ne kemi  mundësuar që veprimtaria ekonomike tregtare e Kosovës të zhvillohet me të gjitha vendet e Unionit dhe praktikisht me njohjen e këtyre vulave që janë në përdorim pas pavarësisë Serbia në një mënyrë ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e tregtisë së lirë.

Nëse arrihet marrëveshje për disa çështje, si do të realizoheshin të njëjtat, në formë ndërshtetërore apo mbi baza të statusit neutral?
Të gjitha këto marrëveshje realizohen mbi baza të obligimeve që shtetet marrin në Bruksel. Çdo marrëveshje secili shtet e zbaton për vete në bazë të Kushtetutës. Në këtë rast Kosova e zbaton në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve por edhe parimeve evropiane dhe  euroatlantike. Me fjalë të tjera për herë të parë Kosova është ulur në biseda me Serbinë në rrethana të reja si dy shtete të pavarura. Kjo nuk ka ndodhur përpara. Ne kemi qenë në Vjenë në bisedime dhe në Rambuje por ato kanë qenë rrethana të tjera kur Kosova ka qenë ende një vend i okupuar apo gjatë Rambujes ishte e okupuar e gjatë Vjenës ishte nën protektoratin ndërkombëtar. Kështu që ky dialog teknik ka ulur Kosovën dhe Serbinë mbi baza të barabarta dhe unë si përfaqësuese e Qeverisë së Kosovës në këtë dialog ulem si përfaqësuese e shtetit përballë shtetit fqinj...

Tre partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe AAK kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve me Beogradin. A ka të drejtë opozita në këtë drejtim?
Unë nuk do të kisha folur në kuptimin a kanë të drejtë apo nuk kanë të drejtë. Unë vetëm dua të them se rreth interesave shtetërore dhe kombëtare duhet të bashkohen edhe pozita edhe opozita. Tani se sa opozita apo partitë e veçanta opozitare kanë qenë në gjendje të definojnë në programet e tyre politike se ç’është interes nacional dhe ç’është interes partiak apo i grupeve të ngushta ajo është çështje e këtyre partive. Por, mendoj se kemi dalë fitues në shumë luftëra dhe sfida. Që nga vitet 1989 kur Kosova u okupua dolëm fitues vetëm kur ditëm qartë të definojmë se ç’është interesi kombëtar dhe pastaj gjithë u angazhuam të bashkuar për të realizuar interesin kombëtar. Edhe dialogu teknik fakti se siguron ardhmëri evropiane për Kosovën dhe nuk është vetëm dialogu janë edhe reformat të cilat ne po i realizojmë si Qeveri e Republikës së Kosovës për të plotësuar standardet evropiane. Këto së bashku janë sfida nacionale dhe vizioni euroatlantik i Kosovës është interes shtetëror dhe kombëtar i Kosovës por edhe i shqiptarëve.

A mendoni se këto negociata do të mbyllen me sukses apo do të duhen negociata tjera në forma tjera?
Kosova sot është shtet i pavarur, sovran, është i njohur në pjesën më të madhe të Bashkësisë Ndërkombëtare. Tashmë 81 shtete e kanë njohur por në mesin e tyre kemi fuqi të mëdha siç është SHBA-ja, shumica e vendeve të BE-së, Japonia, Kanadaja etj., pastaj të gjitha vendet e rajonit e kanë njohur kështu që Kosova është shtet i pavarur. Është i integruar në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe po synon njohjen globale. Kështu që Kosova me Serbinë gjithmonë do të zhvillojë ndoshta veprimtari diplomatike si dy shtete dhe kjo është vija e kuqe pra. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e bënë të qartë se me Serbinë mund të flasim vetëm për tema teknike jo për tema politike dhe se sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës pra janë çështje të sovranitetit institucional të Kosovës dhe popullit të Kosovës dhe për këto çështje nuk flasim me Serbinë...

Nëse kërkohet që të bisedohet edhe për veriun cili do të jetë veprimi juaj. A do të tërhiqeni nga bisedimet?
Së pari dua të them se çështja e veriut fare nuk ekziston. Është një tezë e lansuar nga çarqet serbe që ndërlidhet me politikat hegjemoniste që edhe ky lidership aktual i Serbisë vazhdon ti mbajë gjallë. Është një ëndërr apo iluzion i Serbisë që ende vazhdon me politika të vjetra po që janë në esencë shumë destabilizuese për rajonin. Çështja e temave politike asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të jetë në dialogun teknik. Këtë jo vetëm unë si kryenegociatore por asnjë institucion i Kosovës nuk e bënë dhe nuk do ta bëjë asnjëherë. Ne kemi problemet e ndërhyrjes ilegale të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës me struktura ilegale paralele të cilat tashmë janë demaskuar dhe janë parë që janë struktura kriminale. Ekzistimi i tyre ka ardhur si pasojë e politikave hegjemoniste të Serbisë por edhe të dështimeve të UNMIK-ut i cili kishte mandate ta qeverisë gjithë Kosovën por gjatë atyre viteve të qeverisjes UNMIK-u nuk arriti të shtrijë administrimin në një të tretat e Kosovës përkatësisht në pjesën veriore të vendit. Tani ne si Qeveri e kemi të qartë programin tonë për integrimin e qytetarëve të veriut në veçanti serbëve të veriut dhe integrimin e tyre e bazojmë në planin e Ahtisarit i cili jep qartë planin se si realizohen të drejtat e komuniteteve në Kosovë. Madje mund të them se plani i Ahtisarit është një plan shumë më i avancuar se sa Marrëveshja e Ohrit. Derisa me Marrëveshjen e Ohrit gjuha shqipe nuk lejohet të jetë gjuhë zyrtare në nivel të Maqedonisë ndonëse shqiptarët e Maqedonisë janë mbi 30 për qind në anën tjetër plani i Ahtisarit lejon që gjuha serbe për 5 apo 6 për qind serbë jetë gjuhë zyrtare. Kaq është i avancuar dhe mos të flasim që pjesa për decentralizim u jep shumë pushtet komunave. Këtë plan me të gjitha elementet ne jemi të gatshëm ta aplikojmë për serbët e veriut dhe unë mendoj se edhe ata duhet ta rimendojnë pozicionin e vet, mos të jetojnë në iluzione, mos të pranojnë ndikimet negative të Beogradit dhe të fillojnë procesin e integrimit në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të pranojnë realitetin e vendit tonë ashtu siç kanë bërë serbët e pjesëve të tjera të Kosovës të cilët sot janë pjesë integrale e jetës institucionale, publike dhe shoqërore të Kosovës. Ne si Qeveri jemi shumë të përgjegjshëm dhe duam që ti shërbejmë të gjithë qytetarëve të Kosovës njëlloj, pa dallime. Në këtë plan madje për komunitetin serb kemi bërë edhe kujdesie më të shtuar pikërisht për integrimin e serbëve të  veriut kemi edhe plane ekonomike ku do të rrisin investimet në mënyrë që ata të binden se Qeveria e Kosovës u jep në mundësi të barabartë, të gjithëve u garanton sigurinë mirëqenien edhe perspektivën e barabartë.

Si mund të reflektojë në Maqedoni eskalimi i situatës në veri të Kosovës, kur dihet se shqiptarët në Maqedoni janë të pakënaqur nga statusi i tyre politiko-juridik?
Ne pas njëzet e pesë korrikut në emër të zbatimit të reciprocitetit dhe në emër të forcimit të ligjit dhe rendit në pjesën veriore ku ka munguar një kohë të gjatë dhe në emër të luftës sonë kundër bandave kriminale ne kemi ndërmarr masa të fuqishme shtetërore në koordinim me partnerët ndërkombëtar veçmas me KFOR-in kemi bashkëpunuar për këtë aksion të cilën do ta fuqizojmë në të ardhmen. Por, veprimet tona si qeveri janë shumë të matura. Ne kemi qëllimin e qartë, forcimin e sovranitetit dhe ligjit në çdo pjese të Kosovës përfshirë dhe veriun. Jemi shumë të kujdesshëm që gjatë veprimeve të japim mesazhe të qarta se këto veprime janë në dobi të qytetarëve nuk janë kundër qytetarëve por janë kundër strukturave kriminale. Duke dhënë mesazhe të qarta për veprimet tona mendoj se ne kemi ruajtur qetësinë dhe stabilitetin. Është shumë me rëndësi për çdo qeveri të rajonit të kenë parasysh stabilitetin sigurinë e qytetarëve dhe gjithmonë t’i bllokojnë tendencat për eskalim. Kjo është porosia ime edhe për Qeverinë e Maqedonisë.

Çfarë ndikimi në Maqedoni apo më gjerë në rajon mund të ketë ecuria e këtij dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit?
Kjo do të varet nga rezultatet e dialogut. Në qoftë se rezultatet do të jenë të qëndrueshme atëherë mund të vije deri te normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe një ditë në një apartament të qartë mund të vije deri te njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Në fund të fundit Serbia tashmë është duke u ballafaquar me një realitet ndërkombëtar që ia kanë bërë të qartë se ka dy alternativa ose BE-në ose Kosovën, me fjalë të tjera pranimi i Serbisë në Bashkimin Evropian kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe përfundimisht me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Bashkimi Evropian i dëshiron të gjitha shtetet në BE por kërkon që këto shtet të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të bashkëpunojnë mirë në nivel rajonal dhe të gjitha shtetet që dëshirojnë të bëhen pjesë e BE-së duhet të plotësojnë këto kushte.

Si e shihni pozitën e shqiptarëve në Maqedoni?
Lufta për liri si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni për shqiptarët ka sjellë rezultate konkrete. Kosova është shtet i pavarur, ndërsa shqiptarët në Maqedoni janë faktorizuar shumë. Është Marrëveshja e Ohrit e cila kërkon ende punë për t’u realizuar. Shkalla e realizimit është e mirë por nuk është e mjaftueshme. Autoritetet e Maqedonisë me një vullnet më të madh politik dhe një përkushtim duhet të realizojnë Marrëveshjen e Ohrit, dokument i cili u nënshkruar para dhjetë viteve dhe i cili duhet sa më shpejtë të jetësohet. Në anën tjetër vet shqiptarët e Maqedonisë është me rëndësi të kenë të qarta interesat shtetërorë por dhe interesat nacionale. Partitë politike të jenë të bashkuar sepse kjo është garanci për zhvillimin e kombit shqiptarë në Maqedoni. Në atë rast realizohen qëllimet. Porosia ime është të jenë të bashkuar rreth interesave shtetërorë për Maqedoninë dhe për interesat kombëtare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›