E Diel, 1 Nëntor 2026

Editorial / Dorëheqja dhe azili politik, alternativa e vetme për Edi Ramën pas humbjes së 28 Qershorit

Edi Rama, nga dita në ditë kërkon të justifikojë humbjen e tij në zgjedhjet e 28 Qershorit nëpërmjet arsyetimeve nga më absurdet. Ditën e djeshme, kreu i PS demonstroi para shqiptarëve se arsyetimi i tij është i turbullt dhe irracional. Edi Rama nëpërmjet një deklarate për shtyp paralajmëroi protesta popullore, tërheqje nga procesi zgjedhor dhe akuza të rënda ndaj dyshes Berisha-Meta etj. Humbja e zgjedhjeve nga Edi Rama është kthyer tashmë në bumerang katastrofal për të ardhmen e tij politike. I ndodhur në dilemën e dorëheqjes nga posti i kryetarit të PS, Edi Rama po kërkon me çdo kusht të kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës pas kutive të Fierit për të qëndruar në krye të së majtës. Dorëheqja e Edi Ramës tashmë është kthyer në dilemë për të majtën shqiptare, të djathtën shqiptare si dhe për spektrin mediatik, ku të gjithë presin vendimin e tij, vendim që sipas statutit të Partisë duhet të konsistojë në dorëheqje të plotë. Në fakt, Edi Rama po punon me intensitet të plotë për të mos u larguar nga PS.Çdo ditë kryetari i PS thërret eksponentë nga baza duke ju kërkuar atyre që të kërkojnë rimandatimin e tij duke krijuar një terren solid për mosdhënie dorëheqje. Nëse shikojmë me kujdes pretendimet e Ramës dhe dëshirën e tij për të qëndruar në krye të PS, do vërejmë se kryesocialisti Rama i ka të pakta shanset për të ngelur në krye të socialistëve. Tashmë koka e tij është vënë në kandarin e pazareve me rivalin e radhës. Shkaktarët e humbjes së zgjedhjeve, mesa duket, të gjithë koston e humbjes duan ta përcjellin te koka e kryetarit të saj. Nëse veprimet e Gramoz Ruçit në dukje të japin idenë se po mbështet fort Edi Ramën, i gjithë ky veprim është imazh i rremë. Gramoz Ruçi me grupin e tij në fakt po bëjnë të kundërtën. Ky grup po e çon Edi Ramën drejt greminës duke i dhënë dhe vlera negative në përfaqësimin e tij politik gjatë menaxhimit të humbjes së zgjedhjeve. Tashmë para ndërkombëtarëve gjuha e Edi Ramës është një gjuhë tensionuese, e ashpër dhe aspak e pranueshme. Kjo gjuhë është kurthi ku ka rënë Edi Rama, kurth që po i mbyll përfundimisht dyert e karrierës së tij politike. Edi Rama tashmë është si ai i vdekuri në selinë e PS, ku emocionet e njerëzve do vazhdojnë ta mbajnë gjallë derisa të kuptojnë se kanë humbur. Në momentin që këta socialistë do të kuptojnë se kanë humbur, kufoma politike e Edi Ramës do të anatemohet. Socialistët me në krye grupin e Ruçit tashmë e kanë të qartë se me Edi Ramën në krye nuk kanë për të fituar as në zgjedhjet e 2013 dhe as në zgjedhjet e 2017, për arsye se ky njeri nuk ofron asnjë alternativë fituese. Ne kemi parë gjatë këtyre ditëve që grupi Ruçi është tërhequr nga agresiviteti i ditëve të para, duke lënë ditën e djeshme të vetëm Edi Ramën. Ky grup tashmë e ka lënë të vetëm Edi Ramën, duke konfirmuar se janë duke bërë pazarin e radhës me kryetarin e radhës. Tashmë socialistët nuk mund të bashkojnë më të majtën me Edi Ramën në krye. Në kushtet aktuale të krijuara, dorëheqja e Edi Ramës është version i padiskutueshëm, nëse llogarisim që mbi të së shpejti do të vërshojë zemërimi i të gjithëve, duke filluar nga Nano, Ruçi, Islami, Blushi, dhe të gjithë ata militantë që do të qëndrojnë  katër vite të tjera në opozitë. Tashmë kambana e humbjes së Edi Ramës lajmëron dhe fundin e karrierës së tij politike. Tashmë mbi të pritet të derdhet gjithë mëria e njerëzve që e kuptuan tradhtinë e një njeriu të çmendur që shkatërroi konstruktin e jetës politike shqiptare. E vetmja alternativë për Edi Ramën mbetet dorëheqja e shpejtë dhe largimi në ndonjë vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë, pasi zullumi i tij korruptiv tashmë nuk ka prokuror që mund ta mbulojë, për më shumë që në krah të Edi Ramës nuk qëndron kërkush që mund ti japë suport.

Last Updated on Saturday, 11 July 2009 17:22

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›