Kolonjë, i mbijetuari i tragjedisë rrëfen jetën mes rrënojave dhe varfërisë
Një ditë pas shembjes së një godine të vjetër, tre nga të mbijetuarit e saj ndodhen nën mbikëqyrjen e mjekëve në spitalin e Korçës. Bilanci tragjik i kësaj ngjarje të pazakontë ka shkaktuar dy të vdekur dhe tre të plagosur. Të vdekurit janë shtetasit Fatjon Shkoza, 22 vjeç, dhe Sh. Shkoza 12 vjeçar. Njëri nga të mbijetuarit e tragjedisë së Ersekës rrëfen jetën e tij mes rrënojave dhe varfërisë. Mungesa e shkollës, dëshira për të patur sado pak ushqim si të gjithë fëmijët normalë të kësaj bote, janë ëndrrat e një të mituri vetëm 12 vjeç që rënkon mes nënkresave me njolla të spitalit rajonal të Korçës.
Djaloshi e ka patur vdekjen shumë pranë, teksa nuk e di që vëllai i tij Fatjon Shkoza 22 vjeç ka mbetur peng i godinës gjysmë shekullore duke u prehur tashmë ne banesën e fundit. Lufta për pak skrap e ka çuar atë në spital, me fraktura të shumta në trup, duke u përballur me një realitet që zor se mund të imagjinohet në këtë formë dhe me këtë përmbajtje. Elisi tregon se si ka shkuar bashkë me motrën e tij 8 vjeçare Klodin që është ende në koma në spitalin e qytetit juglindor për të mbledhur skrap dhe për të mbajtur ngrehinën e ditëve pa ushqim në familjen e tij të stërmadhe me 6 fëmijë tre djem dhe tre vajza dhe me dy prindër që tragjedia iu është ulur këmbëkryq në shtëpinë e tyre. Elisi pyet vazhdimisht për vëllain e vdekur sikur të kuptojë se ai nuk jeton më, ndërsa lehtësohet disi kur mjekët dhe të afërmit i thonë se ndodhet i shtruar në një spital në Tiranë. I ngecur mes shtratit spitalor i mituri duket se ka shumë më tepër për të treguar se mosha e tij. Ai thotë se në familje e vet nuk ka rëndësi se sa i vogël je, aspak. E rëndësishme për të jetuar është se sa të ardhura mund të sigurosh pavarësisht nga mënyra. Shkova me vëllain Fatjonin dhe motrën më të vogël Klodin si dhe kushërinjtë e parë si përherë për skrap, kështu nis tregimi rrënqethës i 12 vjeçarit nga qyteti i Ersekës. Madje ai tregon se me një karrocë dore kanë mbledhur disa hekura, por kur kanë parë depot e e ish Ndërmarrjes së Grumbullimit të Drithit janë ndierë mirë, duke besuar se fati iu ka buzëqeshur më në fund. Të 5 personat të gjithë pjesëtarë të komunitetit rom për më tepër të afërt me njëri-tjetrin i janë vënë punës. Ndërtesa ishte bosh dhe ne filluam të rrëzonim një kolonë e cila në brendësi kishte hekur. U lodhëm duke punuar, ndërsa unë kërkoja ujë. Ishim të gjithë në punë kur tavani ra. Mbaj mend që bërtisja fort dhe nuk di sa qëndruam brenda, vazhdon Elisi. Ai herë herës ndalet ndërsa ka dhimbje të forta të cilat duket se nuk ka dëshirë ti tregojë. Si për të na thënë se është më i rritur nga sa duket ai sillet dhe të flet si i tillë, por kujdeset me zërin e tij gati të vagulluar edhe për kushëririn e parë të tij Altin Shozën që gjendet në një shtrat më tej në dhomën 6 të repartit të kirurgjisë në spitalin e Korçës. 12 vjeçari tregon se nuk ka shkuar asnjëherë në shkollë, madje nuk di nëse do ti pëlqente të ulej ndonjëherë në ndonjë klasë. Ai di vetëm të punojë jo të luajë me top apo lojëra të tjera si bashkëmoshatarët e tij. Nga këto kënaqësi është i privuar qëkurse erdhi në jetë, ndërsa na thotë se për sa vite i është dashur vetë të mendojë për veten por jo vetëm. Drama është rritur bashkë me Elisin ende të traumatizuar me fraktura serioze në trup. Gjendja e ti shëndetësore e ka kaluar rrezikun për jetën, por vazhdon të jetë prej më shumë se 24 orë në koma motra e tij Klodi Shkoza 8 vjeçe e cila ndodhet në repartin e reaminacionit në të njëjtin spital.