E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edmond Zhulali: Kënga jonë në Gjermani



Kur nga Moska ka dy ditë që Shqipëria u vendos të konkurrojë në natën e dytë të festivalit të këngës evropiane, Eurovizion, në Tiranë është caktuar studioja që do të bëjë regjistrimin e këngës.

Dje, kompozitori i këngës fituese të RTSH, Edmond Zhulali, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong, ka treguar se tani nis puna konkrete dhe decizive për këngën. Zhulali ka konfirmuar se është përzgjedhur një nga studiot më të mira në Evropë për të incizuar këngën shqiptare. E kënduar nga Kejsi Tole, kënga “Më merr në ëndërr” do të regjistrohet në Gjermani. Këshilli drejtues i Radio-Televizionit Shqiptar ka miratuar një preventiv, me anë të të cilit parashikohet një tjetër pamje e këngës “Më merr në ëndërr”, kënduar prej 16-vjeçares Kejsi Tola. Kompozitori i këngës, Edmond Zhulali, ka bërë të ditur se regjistrimi dhe videoklipi i këngës do të kryhet në studiot gjermane, aty ku do të plotësohet edhe me disa elementë të rëndësishëm. “Aktualisht jemi në fazën e realizmit të audios dhe tani sapo është marrë vendimi që kjo këngë të regjistrohet në një studio gjermane, e cila njihet me emrin “Dorian gray studios”. Me këtë studio jam njohur nëpërmjet internetit, pasi kam gjetur shumë elementë që ne nuk i kemi në studiot tona”, - është shprehur kompozitori, duke shtuar se “kam evidentuar se kjo është një studio shumë e mirë dhe prestigjioze. Është profesionale dhe kam shumë besim se do të përfitojmë shumë nga ky bashkëpunim. Ajo çfarë dëshirojmë që të marrim nga kjo lloj studio është sond-i, pra tingulli i realizmit”. Kompozitori e arsyeton këtë udhëtim drejt Gjermanisë për shkak të arsyeve teknike, gjë që në studiot shqiptare kjo çështje mbetet e pazgjidhshme. “Këngët shqiptare që kanë shkruar në Eurovision janë përplasur në studio të huaja për faktin teknik, dhe jo për faktin muzikor dhe artistik. Studiot shqiptare nuk janë në nivelin e studiove të Gjermanisë ose të shumë shteteve të tjera. Meqë niveli i konkurrentëve të këtij festivali është shumë i lartë në të gjitha pikëpamjet, në aspektin teknik rëndësia është kryesore, me qëllim që kënga të dëgjohet si të gjithë të tjerat. Jemi të detyruar që të jemi në standardet evropiane, sepse aty konkurrojnë shtete të fuqishme si Anglia, Franca, Gjermania, Spanja etj.”, - thotë kompozitori.

Ai tregon se modifikimi i këngës fituese të festivalit të 47-të të RTSH-së, përveç shkurtimit të minutazhit të saj, e cila nga katër do të jetë vetëm tri minuta në bazë të rregullores universale të këtij festivali, do të përfshijë edhe përkthimin e tekstit nga shqip në anglisht. “Teksti është përkthyer në anglisht, nga Xhuli Teilor (Myftari), e cila na ka përkthyer edhe këngën e parë kur unë kam marrë pjesë me Anjeza Shahinin. Ka bërë një punë shumë të mirë, sepse ajo jo vetëm e ka përkthyer, por edhe ka krijuar vetë në të”, - thotë Zhulali. Ndërkohë që kënga do të ndjekë të njëjtën strukturë zhvillimi, performanca mbetet ende një çështje e pazgjidhur, të paktën deri në përfundim të fazës së parë të regjistrimit të këngës në studion gjermane “Dorian gray studios”. “Performanca e këngës akoma nuk është zgjidhur, pasi unë do të përcaktoj se sa persona do të përshihen në “back vocal”. Në bazë të rregullores së këtij evenimenti, në skenë nuk mund të dalin më tepër se gjashtë vetë. Kjo është një fazë që do të trajtohet pas përfundimit të këngës”, - thotë Edmond Zhulali. Ai shton po ashtu se “Kejsi dhe kënga kanë nevojë për realizmin e një performancë të mirë në skenë dhe për këtë është rezervuar një surprizë shumë e këndshme”. Zhulati na bën me dije se në bazë të punës paraprake në studion e tij, Kejsi është gati që tani për në Eurosong. “Kejsi është shumë mirë si në vokal, ashtu edhe në përshtatjen e këngës në gjuhën angleze. Besoj që do të tingëllojë bukur në këtë gjuhë, sepse kam shumë besim tek Kejsi, meqenëse ajo mbart vlera të larta vokale”, - përfundon kompozitori Zhulali.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›