Miratohet vendimi për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” në fushën industriale
Qeveria ka miratuar dje vendimin për sigurimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” në fushën industriale. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit "Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe të neneve 5 e 6, të ligjit “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” në fushën industriale. Sipas relacionit, objekti i këtij vendimi është rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë për realizimin e prokurimeve të mallrave, punëve dhe të shërbimeve, që kanë lidhje me sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, në fushën industriale. Ky vendim ka si qëllim plotësimin e standardeve për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” në fushën industriale, përcaktimin e kritereve të kontratave të klasifikuara, garancinë, që çdo kontraktues ka aftësinë dhe mundësinë të mbrojë, në mënyrë të përshtatshme, informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtme do të nënkuptohen: Kontratë e klasifikuar, çdo kontratë, që përmban informacion të klasifikuar “Sekret shtetëror”. Material i klasifikuar, dokumentet dhe makineritë ose pajisjet, armatimi, komponentët e tyre, të prodhuara ose në proces prodhimi, të klasifikuara të tilla sipas legjislacionit. Autoriteti kontraktor, subjektet shtetërore, që ndërmarrin një kontratë të klasifikuar. Operatorë ekonomikë, çdo person, fizik ose juridik, ose çdo grup personash të tillë, që ofrojnë në treg furnizimin me mallra, punime dhe/ose shërbime. Ofertues, çdo operator ekonomik, që ka paraqitur një ofertë, në mbështetje të dokumentacionit të tenderit të klasifikuar. Pyetësori i sigurisë industriale, tërësia e kërkesave, në bazë të të cilave gjykohet nëse një operator ekonomik plotëson kriteret për t’u pajisur me certifikatën e sigurimit industrial. Certifikata e sigurimit industrial, dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i cili vërteton, nga pikëpamja e sigurisë, se një operator ekonomik plotëson të gjitha standardet e përcaktuara për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, sipas nivelit dhe afateve të caktuar në kontratën përkatëse. Instruksioni i sigurisë së projektit, tërësia e rregullave dhe procedurave të sigurisë, të detyrueshme, për t’u zbatuar në projektin specifik të kontratës të klasifikuar. Plani i sigurisë së ngarkesës, dokumenti i miratuar nga autoriteti kontraktor, ku përfshihen masat, që garantojnë sigurinë e transportit të materialit të klasifikuar. Vizitat, të cilat bëhen në kuadër të detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, pas një kërkese nga autoriteti kompetent i njërës palë ose në bazë të një ftese, nga autoriteti kontraktor. Vizitorë, përfaqësuesit zyrtarë të një shteti apo organizate ndërkombëtare, që, në bazë të detyrave zyrtare, kërkojnë të vizitojnë objektet e kontraktorit.