Rama-Meta, sherr për buxhetin e Bashkisë Korçë
Përplasja mes Edi Ramës dhe Ilir Metës për buxhetin e bashkisë së kryeqytetit u zhvendos dje nga Tirana në Korçë. Palwt bwn pwrgjegjese njëra-tjetrwn pwr bllokimin e buxhetit. Buxheti i bashkisë së këtij qyteti u bë objekt debati mes dy partive të së majtës, PS-LSI. Ditën e djeshme u zhvillua mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, por nuk u bë i mundur miratimi i tij për shkak të mungesës së kuorumit. Socialistët akuzojnë LSI-në se ka larguar këshilltarët e saj për të prishur kuorumin, ndërsa LSI-ja përgjigjet duke deklaruar se është anëtari i PAD-së, pjesë e grupit të këshilltarëve të majtë në këtë këshill ai që ka munguar, ndaj nuk u bë i mundur kuorumi. Mbledhja është zhvilluar vetëm një ditë para asaj të Këshillit Bashkiak të Tiranës, buxheti i së cilës është rrëzuar dy herë. PD dhe LSI kanë votuar kundër tij dhe në prag të saj, nuk kanë deklaruar ende se cila do të jetë vota e tyre. Pas mbarimit të mbledhjes në Korçë, nisën përplasjet nga selitë në Tiranë. Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, i kërkoi LSI-së që të mos grisë kontratën e 18 shkurtit dhe të mos rikthejë sërish 2005-ën. “Sot, Ilir Meta u bashkua me Sali Berishën për të rrëzuar buxhetin e qytetarëve të Korçës. Pas Tiranës, edhe Korça bëhet peng i interesave të oborrit të Ilirit dhe Monikës”, - tha Kodheli. Sipas saj, edhe në Korçë Ilir Meta grisi kontratën e 18 shkurtit 2007 dhe riktheu vitin 2005, duke treguar dhe një herë se mes PS-së dhe PD-së ai ka zgjedhur Berishën, njësoj si në 2005-ën. Duke qenë në prag të fushatës elektorale, PS-ja u bëri thirrje anëtarëve të LSI-së që të bashkohen me socialistët. “Mes të ardhmes e të shkuarës, ai ka zgjedhur interesat dritëshkurtra që sollën Sali Berishën në pushtet në 2005-ën. Ne u bëjmë thirrje socialistëve që me idealizëm e pasion e ndoqën mbrapa Ilirin në 200-ën, që të kuptojnë se sot është dita e bashkimit të ri për të ardhmen dhe e ndarjes me politikën e dasive të vjetra të së shkuarës”, - tha ajo. Pak orë më vonë, LSI-ja deklaroi se PS-ja po hedh tym mbi këtë çështje duke deklaruar se nuk ka se si të jenë bashkuar votat me PD-në, kur nuk është zhvilluar fare mbledhja. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Vasili, tha se këshilltari i Aleancës Demokratike, që bën pjesë në grupin e majtë, nuk mori pjesë në votim. Ai sqaroi se duke qenë se e majta dhe e djathta janë në raport 18 me 17, kuptohet qartë se mungesa e këtij anëtari ka bërë që të mos plotësohet kuorumi. “Këshilltarët e LSI-së në këtë bashki kanë votuar “Pro” për këtë projektbuxhet në Komisionin e Financave ku ai përgatitej për të kaluar në seancë plenare dhe nuk kanë pasur asnjë qëndrim të ndryshëm politik nga pjesa tjetër e grupit të majtë dhe falë qëndrimit të këshilltarëve të LSI-së ky projektbuxhet ka kaluar në seancë”, - tha Vasili.