E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eduard Prodani: Shumë shpejt, trajneri i ri

/* */

Dash FRASHËRI - Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani (në detyrë nga 14 maji i vitit 2009), njeriu më i afërt i presidentit Armando Duka, pranoi se, vendimi për të përzgjedhur dhe emëruar trajnerin e ri të Kombëtares, qoftë ky Josip Kuzhe apo ndonjë tjetër do të merret shumë shpejt.

“Koha nuk pret, pasi duhet të përgatitemi për eliminatoret e Kampionatit Botëror”, - tha për gazetën “Telegraf” se Prodani, duke pranuar se për rezultatet e kualifikueseve të Euro 2012-s do të bëhet një analizë nga sektori përkatës pranë FSHF-së. Gjatë kësaj fushate, Shqipëria vendosi edhe rekordin e saj, përsa i përket renditjes në FIFA, duke kapur për herë të parë vendin e 50-të (maj 2011). Prodani i konsideroi të sukseshme dhe si një sinjal pozitiv dhe shpresëdhënse rezultatet relativisht të mira të ekipeve kombëtare te moshave, ato U-17, U-19 dhe U-21. “Kjo tregon se strategjia jonë është e drejtë dhe investimi te këto ekipe po jep frytet e para”, - tha Prodani.

Zoti Eduard Prodani, sapo u mbyll edicioni eliminator i Kampionatit Europian 2012. Gjatë kësaj fushate, Shqipëria vendosi edhe rekordin e saj, përsa i përket renditjes në FIFA. Si do ta vlerësonit?

Po, është e vertëtë, gjatë zhvillimit të këtij sezoni ne patëm rritjen dhe një pozicionim shumë të mirë në ranglistën e FIFA-s, çka përbën edhe renditjen me të mirë historike të Shqipërisë, pra vendi i 50-të (maj 2011). Sigurisht, që na gëzoi. Por, ajo që ka rëndësi më shumë, rezultatet e ndeshjeve të fundit në grupin tonë, për eliminatoret e Euro 2012-s, nuk dhanë rezultatin e dëshiruar prej nesh. Me të vërtetë, që u përballëm me ekipe, futbolli i të cilave është më i zhvilluar se i vendit tonë, megjithatë mund të kishim marrë më shumë.

Në fund të vitit, përfundon edhe kontrata e trajnerit aktual të Kombëtares, Josip Kuzhe, ndërkohë që mediat kanë përmendur disa emra si zëvendësues të mundshëm të tij. Cili është komenti juaj?

Në fakt, siç e përmendët dhe ju kontrata e trajnerit Kuzhe përfundon në fund të vitit, por nga ana tjetër edicioni eliminator u mbyll. Është koha për të bërë një analizë të kësaj fushate kualifikuese. Për më tepër ne kemi dy ndeshje miqësorë ne muajin nëntor (kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë) dhe është mirë që këto të shfrytëzohen maksimalisht për përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 2014. Dua ta ritheksoj, se Federata ka organe të specializuara, të cilëve u takon të japin mendimin e tyre në lidhje me analizën e rezultateve të ekipit Kombëtar dhe se çfarë duhet bërë në të ardhmen, ku duhet të vendosim pikat. Për më tepër, me statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit përzgjedhja dhe emërimi i trajnerëve të ekipit Kombëtar është kompetencë e presidentit të Federatës (Armando Duka). Personalisht, nuk mund të jap një përgjigje në lidhje me trajnerin, por besoj se vendimi do të merret shpejt, pasi koha nuk pret.

Ka një rizgjim të ekipeve kombëtare të moshave, U-17, U-19 por dhe U-21, me disa rezultate të mira në ballafaqimet respektive ndërkombëtare. Si e konsideroni këtë sinjal?

Rezultatet e ditëve të fundit, të ekipeve tona kombëtare të moshave, qoftë të U-19 (në eliminatoret e Austrisë për Euro 2012), por dhe rezultati i U-17, në fitoren e saj kundër Sllovakisë (2-1), në eliminatoret e Europianit të kësaj moshe që po zhvillohet në Estoni, por edhe rezultatet relativisht të mira të Kombëtares U-21, një fitore dhe një humbje, por me gola dhe lojë të mirë, për ne është një sinjal pozitiv, jo në aspektin e rezultateve, por që puna që kemi nisur, ndryshimet që kemi bërë, strategjia që kemi përshtatur për ekipet kombëtare është e mirë. Po na çon në rrugë të drejtë.

Në ç’kuptim?

Duke filluar nga viti i kaluar, ne kemi bërë shumë ndryshime për administrimin dhe menaxhimin e ekipeve kombëtare të moshave, duke filluar nga kuadri i trajnerëve, ngritjen e strukturave të Federatës që kanë të bëjnë me ndjekjen dhe identifikimin e talenteve dhe përfitimin e talenteve të rinj nga diaspora, ngritjen e një sistemi për individualizimin e talenteve brenda vendit, ngritja e përfaqësueseve rajonale, të cilët mblidhen periodikisht, ku sektori teknik dhe ai i Kombëtares i ndjekin ata në vazhdimësi. E thënë ndryshe, po mundohemi të shfrytëzojmë maksimalisht talentet e reja që dalin në futbol, si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Kështu, që rezultatet e fundit shpresoj të mos jenë rastësi.

Federata inkurajoi dhe mbështeti edhe një risi në shitjen e biletave online në ndeshjet e Kombëtares. Sa funksionoi ajo?

Çmoj se janë gjëra, të cilat duheshin bërë me kohë. Ishte një provë më shumë. Natyrisht, që te kemi një sistem të mirëfilltë menaxhimi biletash, duhet të kemi një stadium të ri modern dhe në parametrat e kohës, dhe ne besojmë se shumë shpejt do ta kemi atë. Do të përpiqemi, që dhe ne të arrijmë në standardet ku është bota sot. Menaxhimi elektronik i biletave nuk është thjesht një mundësi për t’i shitur ato, por ka shumë avantazhe. Ne mund t’u ofrojmë bileta mbështetësve të ekipit Kombëtar kudo që janë në Shqipëri, Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, por dhe në Kosovë, Zvicër, Gjermani, Angli e kudo në botë. Nga ana tjetër na lejon të zhvillojmë programe të caktuara marketingu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›