Sulmon Benitez

Ish-menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez ka thënë se suksesi në periudhën e fundit i Manchester Unitedit është rezultat i shpenzimeve, para përballjes mes ekipeve të shtunën në Anfield Road.
Benitez dështoi të fitojë titullin e Premierligës gjatë kohës sa drejtoi Liverpoolin ndërsa rivali Manchester United shikoi sukses të vazhdueshëm duke arritur në kuotën e 19-të titujve, një më tepër se Reds.
Mirëpo, Benitez beson se arritjet pozitive të Manchester Unitedit janë rezultat i përparësisë së tyre financiare ndaj Liverpoolit e jo për shkak të udhëheqjes së menaxherit legjendar Sir Alex Ferguson i cili deri më tani gjatë karrierës së tij ka fituar 12 tituj të Premierligës.
“Jo, mendoj se janë paratë që shpenzojnë ata (Manchester United)”, tha Benitez për Radio Merseyside. “Nëse analizoni transferimet e tyre dhe historinë. Rooney ose Ferdinand, për shembull për 30 milionë funte. 30 milionë funte për një futbollist të ri ose një qendërmbrojtës. Çdo vit ata shpenzojnë kështu. Ata kanë para”, shtoi Benitez aktualisht i papunë pas shkarkimit nga Inter në fund të vitit të kaluar. Benitez ka pasur sulmet e tij verbale me Fergusonin gjatë kohës sa ishte në Anfield Road por refuzoi nocionin se ‘lojërat mendore’ të skocezit ndikuan në rezultatet në fushë.
“Nëse ju thoni diçka në një konferencë për shtyp, ju garantoj se ajo nuk ka kurrfarë ndikimi te trajneri tjetër. Mund të ndodh ndoshta një herë në 100 raste por medieve ju pëlqen të flasin për lojëra mendore por ajo që ato nuk e kuptojnë është se ju nuk mund të fitoni lojëra mendore nëse keni ekip të dobët. Ju mund të jeni më të mirët në konferencë për shtyp, por më pas, nëse keni ekip të dobët do të mposhteni. Është lehtë të flisni për lojëra mendore kur ai (Ferguson) ka një ekip të mirë dhe ka fituar, i tillë ishte rasti”, përfundoi ai.
Benitez u largua nga Liverpooli në fund të sezonit 2009-10, pas një edicioni dëshpërues ku spanjolli humbi përkrahjen e futbollistëve.