Eduard Toptani: Qeveria Berisha po na e rikonfiskon pronën si Enver Hoxha
Nga Muhamed Veliu
Pavarësisht se për momentin godina e SHQUP-it është e ligjëruar si godina e re e Partisë Demokratike, ku kanë nisur punimet e para, përfshi vendosjen e flamurit të opozitës së ardhshme shqiptare, për Eduard Toptanin, njërin prej dy pronarëve të kësaj godine, përpjekjet për rikthimin e kësaj prone do të vijojnë pa asnjë kompromis. Unë erdha në Shqipëri për ti thënë qeverisë shqiptare se kjo ndërtesë është e njohur si pronë e trashëguar e familjes time. Kam pasur mundësinë të flas me shumë njerëz nga qeveria dhe më është thënë se ata e njohin këtë ndërtesë si pronën time, por nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë veprim për të na e kthyer. Jam tepër i zhgënjyer, pasi nga të dy krahët e politikës shqiptare, privatisht më kanë inkurajuar të vijoj përpjekjet e mija në rikthimin e kësaj prone. Por, nga ana tjetër po ashtu më është thënë se ata nuk e kanë vullnetin politik për tu deklaruar publikisht se kjo pronë duhet të kthehet. Jam duke përjetuar po të njëjtën eksperiencë që shumë pronarë ndeshen këto 20 vitet e fundit. Ajo që po ndodh këtu me vendim e qeverisë është vijimi i politikave konfiskuese të ndërmarra nga Enver Hoxha shumë vite më parë. Sot jemi në 2013, jo në 1947-tën. Kjo që po ndodh është një rikonfiskim i kësaj prone, tani në kohën e demokracisë, në mes të ditës. E gjitha nuk mund të qëndrojë askund, shprehet ai. Toptani, i cili erdhi me urgjencë nga Nju Jorku një javë më parë për këtë çështje, deklaron për Top Channel se do ti drejtohet gjykatës. Jam duke eksploruar të gjitha mundësitë, përfshi ato ligjore këtu në Shqipëri. Po ashtu në këtë çështje kamë përfshirë këshilltarët e mi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të hapur një dialog me autoritetet amerikane për të parë të gjitha mundësitë e ndërtimit të një presioni ndaj kësaj qeverie, për ta e rikthyer këtë pronë, deklaron Toptani. Por, a ekzistojnë mundësitë e përfshirjes së autoriteve amerikane në këtë çështje? Po, ekzistojë këto mundësi. Do të ishte e parakohshme për të folur rreth tyre. Siç e dini ambasadori Arvizu dha komentin e tij për këtë çështje. Unë po vijoj dialogun me autoritetet amerikane, por nuk dua të jap detaje rreth këtyre bisedave, pasi janë konfidenciale dhe ky komunikim do të vazhdojë, përfundon Toptani. Disa ditë më parë ambasadori Arvizu i pyetur këtë çështje deklaroi se sa herë që është një shtetas amerikan dhe në këtë rast është një i tillë, kthehet në shqetësim për ne. Jemi duke e ndjekur këtë çështje. /TCH
Nis rikonstruktimi i SHQUP
Partia Demokratike ka nisur të rehabilitojnë ndërtesën prej nga ku do të zhvillojnë opozitën në 4 vitet e ardhshme. Me dhjetëra punëtore kanë filluar pastrimin dhe rregullimin e ambienteve të jashtme ndërkohë që po punohet edhe me rregullimin e zyrave dhe sallave. Në oborrin e ndërtesës që deri dje është përdorur nga ushtria, është vendosur tashme flamuri i PD-së, në krah të flamurit shqiptar, atij të NATO-s dhe atij të BE. Rregullimet në selinë e re të demokratëve po përqendrohen tek sistemi i oborrit dhe gjelbërimit ndërkohë që brenda ka filluar lyerja e ambienteve dhe futja e mobiljeve të zyrave. Burime brenda Partisë Demokratike bëjnë të ditur se në fillim të javës tjetër zyrtarët e PD do të zhvendosen në selinë e re dhe procesi i transferimit do të mbyllet brenda pak ditësh. Edhe pse sipas zyrtarëve të PD ish-ndërtesa e SHQUP-it ka nevojë për një rikonstruksion të thellë për tiu përshtatur nevojave të një partie politike, Partia Demokratike do të mjaftohet në fillim me një rehabilitim të thjeshtë të godinës dhe në një kohe të dytë do të shihet mundësia për ndryshime më të thella në strukturën e godinës. I gjithë ky nxitim i PD për të hyrë në selinë e re duket se ka lidhje me mbledhjen e parlamentit të ri në 9 shtator dhe konstituimin e maxhorances së re e cila është shprehur kundër kalimit të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të Partisë Demokratike.