E Diel, 1 Nëntor 2026

Edukimi në vazhdim, vetëm 3100 mjekë marrin kredite

Ministri Vasili e ka cilësuar edukimin në vazhdim si element të ndryshimit të sistemit shëndetësor

Qendra e Edukimit në Vazhdim brenda një viti ka arritur të regjistrojë të gjithë punonjësit e fushës së shëndetësisë, mjekë, stomatologë, farmacistë dhe infermierë, janë dhe rreth 3100 mjekë iu janë nënshtruar kualifikimeve të vazhdueshme.


Këto të dhëna janë raportuar gjatë seminarit me temë "Plani kombëtar dhe planifikimi individual i aktiviteteve të edukimit në vazhdim për punonjësit e shëndetësisë", ku është diskutuar dhe plani i aktiviteteve për vitin 2011.


Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë seminar e ka cilësuar edukimin në vazhdim si element të ndryshimit të sistemit shëndetësor dhe thelbin e gjithë ekzistencës së këtij sistemi.


"Besoj se të gjithë jeni të një mendimi se e vetmja çështje që nuk ka limit, por mbetet gjithmonë e hapur është formimi profesional dhe edukimi në vazhdim. Ne edukimin në vazhdim askush nuk mund të thotë se unë kam arritur një maksimum", - ka theksuar z. Vasili gjatë fjalës së tij.


Ndërkohë, sipas raportit të paraqitur nga drejtoresha e QKEV, Entela Shehu, gjatë periudhës dhjetor 2009-qershor 2010, në këtë qendër janë depozituar 105 kërkesa për akreditim aktivitetesh, prej të cilave 104 janë pranuar dhe vetëm një është refuzuar.


Janë zhvilluar 40 konferenca, 26 seminare, 39 trajnime. Janë dhënë 60 mijë kredite për pjesëmarrësit. Rreth 3100 mjekë janë regjistruar në këto aktivitete nga 0 të regjistruar një vit më parë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›