Vodhi paratë në sportelin e postës, arrestohet i dyshuari
Policia shpalli në kërkim edhe një person tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor të tij në këtë krim
TIRANE- I dënuari për plagosje dhe një person tjetër bastisin arkën e njësisë nr.8 të Postës në rrugën "Sulejman Delvina", duke marrë që andej një sasi parash, pjesë e xhiros ditore te postës bashkë me një person tjetër.
Policia e komisariatit nr.2, arreston një nga të dyshuarit e ngjarjes dhe shpall në kërkim një person tjetër, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Të dyshuarit sipas policisë vodhën 37 mijë lekë, si dhe 189 kupona për pajisje me pasaportë, në zyrat e gjendjes civile.
Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes, ndërsa deri në zbulimin dhe arrestimin e së paku njërit prej personave, policia mbajti ngjarjen të fshehtë. Bimi Mborja, 53 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua nga policia e komisariatit nr.2, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim të Postës Shqiptare në njësinë e saj me nr.8, në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Mborja 53 vjeç, i dënuar më parë për plagosje, së bashku me një person tjetër, rreth orës 09:30 të mëngjesit janë paraqitur në zyrat e postës nr.8, dhe kanë vënë re se punonjësja e sportelit nuk ndodhej aty.
Ndërsa fare pranë tyre ishte një sasi parash. Burimet e policisë pohuan se kjo sasi prej rreth 37 mijë lekësh të reja, i përkiste xhiros ditore të realizuar nga shërbimi i postës.
Sapo kanë parë paratë personat nuk janë futur në banak dhe kanë tërhequr shumën dhe më pas janë larguar nga zyrat me shpejtësi. Kur punonjësja e postës është kthyer në sportel ka vënë re se personat po largoheshin bashkë me shumën e parave të marra në banakun e saj.
Menjëherë ajo lajmëroi policinë e kryeqytetit dhe komisariatin nr.2, të cilët mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas marrjes së deklarimeve të punonjëses, policia nisi veprimet hetimore në vendin e ngjarjes duke marrë dëshmi si dhe duke kryer këqyrjen fizike të vendit të ngjarjes.
Ekspertët kanë administruar edhe një kasetë me pamje filmike të kamerave vëzhguese të postës të cilat kanë zbuluar dy autorët e krimit. Nuk është dashur shumë punë që të identifikoheshin të dy, pasi sipas policisë ata njiheshin mirë prej tyre. Menjëherë pas identifikimit, Mborja u arrestua nga policia në banesën e tij me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, ndërsa bashkëpunëtori tjetër i dyshuar i Mborjes u shpall në kërkim me të njëjtën akuzë.