E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heronjtë e heshtur

Share

Nga Enver Robelli

Ata janë heronj të heshtur. Prej vitesh na sjellin (ose na kanë sjellë) në gjuhën shqipe vepra nga letërsitë e huaja, duke u bërë ura ndërmjet kulturave dhe duke nxitur kulturën e leximit kudo në viset shqiptare. Disa prej tyre si Ardian Klosi spërtojnë të angazhohen me maturi edhe për kauza aq mosmirënjohëse në botën shqiptare, siç është mbrojtja e ambientit apo denoncimi i korrupsionit dhe krimit (në lidhje me këtë Klosi ka përgatitur edhe një libër mbi tragjedinë e Gërdecit, e shkaktuar jo nga natyra, por nga dora plaçkitëse e pushtetit). Të tjerët si Afrim Koçi kultivojnë një heshtje stoike, flasin vetëm përmes përkthimeve të tyre. Sërish të tjerë si Jusuf Gërvalla kujtohen vetëm me syze politike dhe harrohet se ai ishte shkrimtar, kritik letrar dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuhët jugosllave. Për të moshuarit si Vehap Shitën të rinjtë, gjeneratat e Facebook-ut dhe shpesh edhe të injorancës, as që kanë dëgjuar.

Së paku në Tiranë u kujtuan që me rastin e Ditës Botërore të Librit (23 Prill) të nderohet puna e vyer e Afrim Koçit, i cili sot njihet kryesisht si përkthyes nga gjermanishtja, por ai ka shqipëruar edhe nga gjuhë të tjera (rusishtja, italishtja, anglishtja). Një punë në heshtje që filloi para 40 vjetësh! Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë që nga dje janë ekspozuar mbi 110 tituj të sjellë në shqip nga Koçi. Biblioteka Kombëtare është vendi ku prej vitesh Afrim Koçi kryen ritualin e tij të përditshëm, që është disa orë punë ngulur në një nga tryezat e kreut në sallën shkencore. Kështu që homazhi i BK-së për një njeri që pa qenë punonjës i saj është efektiv shpirtëror i saj, merr një kuptim të veçantë, shkroi këto ditë gazetarja Elsa Demo te Shekulli. Dy përkthime të Koçit në këto vitet e fundit duhet veçuar: kujtimet e Eqrem Bej Vlorës dhe romanin Mali magjik të Thomas Mann-it, shkrimtarit të aristokracisë gjermane. Kush i ka parë dhe lexuar kujtimet e Eqrem Bej Vlorës në gjermanisht dhe kush i ka lexuar sërish të përkthyera në gjuhën shqipe nga Afrim Koçi e ka zor të besojë se bëhet fjalë për përkthim aq e pastër, aq e rrjedhshme, aq e pasur, aq e bukur është toskërishtja e Koçit saqë aty-këtu lexuesi mund të mendojë në mos Eqrem Bej Vlora, bonvivanti shqiptar me kulturë osmane dhe perëndimore, i ka shkruar kujtimet paralelisht në gjermanisht dhe në shqip. Në kohën e komunizmit monstruoz enverhoxhian pjesa më e madhe e veprës së Thomas Mann-it ishte klasifikuar si dekadente, prandaj ishte e ndaluar të përkthehej. Tek pas rënies së sistemit diktatorial u bë i mundshëm edhe përkthimi i mega-romanit Mali magjik, shkrimi i të cilit autorit i kishte marrë hiç më pak se 11 vjet. Ai që e lexon këtë roman do të kridhet në dritëhijet e shoqërisë gjermane para Luftës së Parë Botërore. Kjo, assesi, nuk është begatia e vetme e kësaj vepre.

Kundër lukunisë me punë!

Ardian Klosit, një përkthyesi tjetër, një kohë të gjatë i është veshur etiketa se kishte diçka kundër Kosovës, sepse menjëherë pas rënies së komunizmit e kishte kritikuar mënyrën e standardizimit të gjuhës shqipe në vitin 1972. Në këtë kuadër dukej grotesk edhe rreshtimi i disa kosovarëve në favor të gjuhës letrare të imponuar nga Enver Hoxha dhe gjuhëtari stalinist Androkli Kostallari. Duket se keqkuptimet janë tejkaluar ndërkohë, së fundi Klosi përmes një udhëpërshkrimi shprehu simpati për disa dallime cilësore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përtej kësaj edhe nga Prishtina duhet shënuar e vlerësuar punën e tij jo vetëm në përkthimin e dy librave të historianit Oliver Jens Schmitt (Shqipëria venedikase dhe Skënderbeu), por edhe të veprave letrare të autorëve si Bertolt Brecht, Georg Büchner, Friedrich Dürrenmatt, François Pouqueville etj. Në javët në vijim pritet që Klosi të përfundojë përkthimin e librit më të ri të Oliver Jens Schmitt-it Shqiptarët Një histori mes Orientit dhe Oksidentit. Ende pa e lexuar librin në tërësi skribomanët shqiptarë kanë filluar ta etiketojnë si antishqiptar jo vetëm Schmitt-in, por edhe Klosin, sipas parullës primitive: nëse smund ta asgjësosh krejtësisht lajmin, atëherë së paku lajmësin përpiqu ta njollosësh me shpifje bizare. E vërteta është kjo: nuk ka asgjë antishqiptare në veprën e Schmitt-it, por po! ka qasje kritike ndaj shkrimit të historisë nga ana e stalinistëve shqiptarë në Tiranë e Prishtinë, të cilët ishin pjesë e legenit të pushtetit të diktatorit Enver Hoxha ose avokatë të devotshëm të idesë se shqiptarët e Kosovës duhet të identifikohen kudo vetëm me Jugosllavinë. Në kuadër të fushatës së egër Klosit ia terrorizojnë fëmijët në shkollë, sepse babai i tyre paskësh përkthyer biografinë Skënderbeu të Schmitt-it. Në kuadër të kësaj fushate duhet shikuar edhe vërsuljen prej lukunie nuhatëse të një pjese të medieve të Tiranë kundër Klosit, duke fantazuar se paskësh dashur të bëjë vetëvrasje. Vetëm një shoqëri thellësisht primitive, me gazetarucë dhe gazetaruce pa etikë, mund të prodhojë lajme të tilla goditëse kundër dinjitetit të njeriut. Nëse nuk pajtohemi si shoqëri se dinjiteti i njeriut është i paprekshëm, atëherë për çka të pajtohemi? Kundër kësaj lukunie Klosi për fatin e lexuesve – ka zgjedhur heshtjen dhe punën! Kur nuk përkthen, ai boton të plotë veprën poetike të Ali Asllanit, i cili edhe sot është aktual sa i përket kritikës therëse ndaj mendësisë politike shqiptare, që lëviz mes bakshishit dhe kadaifit, mes bakllavasë dhe sherbetit.

Kërlezha në shqip

Së fundi shkrimtari Ismail Kadare tha se autori kroat Mirosllav Kërlezha meritonte një bust, një statujë në Tiranë për shkak se kishte denoncuar racizmin serb ndaj shqiptarëve. Po aq sa e meriton statujën në Tiranë Kërlezha do të duhej të kishte një rrugë me emrin e tij në Prishtinë. Në esenë Mbi të vetmit flamuj të kohë sonë Kërlezha shkruante në vitin 1924 kundër terrorit që ushtrohej mbi shqiptarët në Jugosllavinë e posathemeluar mbretërore. Falë përkthimit të Vehap Shitës në vitet 70-të lexuesit shqiptarë edhe sot kanë mundësi të njihen me këtë pjesë të krijimtarisë së autorit kroat. Kërlezha shkruante atëbotë: U ngrit ushtria dhe i vrau me topa dyqind qytetarë të vet, për ti treguar rajës shqiptare ad oculos, çka do të thotë e Drejta e Shpatës. () Ndodhi që prapë menjëherë, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, e ndjeva çka do të thoshte të jesh një nga dyqind Mustafa Abazët ose Adem Beqirët njëzetepesëvjeçarë dhe çka do të thoshte të biesh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar luajal nga mitralozi i shtetit tënd, vetëm nga mendjelehtësia e faktorit parlamentarisht të papërgjegjshëm, që krenohej se sundonte me Vullnetin e Perëndisë. Një bust, një rrugë e meriton Kërlezha, por një grimë nderim nga kjo shoqëri e dezorientuar e ka merituar prej vitesh gjithsesi edhe Vehap Shita për punën e tij të vlefshme në fushën e përkthimeve nga gjuhët jugosllave. Dikur falë shtëpisë së famshme botuese Rilindja në Prishtinë janë përkthyer e botuar këto vepra të Miroslav Kërlezhës: Novela (1960, ribotim 1978), Kthimi i Filip Latinoviqit (roman, 1966), Glembajët (drama, 1974), Ese (1979). Sot opinioni në Kosovë dhe S

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›