E Martë, 3 Nëntor 2026

Edukimi seksual në shkolla, psikologët: Të zhvillohet edhe me nxënësit e arsimit fillor

Pas apelit të mjekëve për RTSH për forcimin e edukatës seksuale në shkolla si pasojë e rritjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, konstatohet se në shkollat 9-vjeçare trajtohen tema të programuara të edukatës seksuale, por nuk zhvillohet një lënde e mirëfilltë për sa i takon edukimit seksual.

Në klasën e 8-të temat e edukimit seksual janë të integruara në librin e biologjisë.

“Nuk ka një lëndë specifike. Në opinionin tim duhet të kishte. Është nevojë shumë e madhe që edukata seksuale të jetë pjesë e edukimit të nxënësve nëpër shkolla, ndoshta edhe që nga klasa e parë. Për këtë ka mënyra shumë të thjeshta, si të treguarit e trupit të njeriut,” shprehet psikologia.

Por jo në pak raste psikologët janë përballur edhe me rezistencën e prindërve, të cilët kanë kërkuar që këto lloje temash të mos trajtohen në shkollë.

“Prindërit janë ata që kanë më shumë frikë se po t’u japim informacion nxënësve, ata nuk janë të përgatitur për ta marrë atë informacion. Por është komplet e kundërta,” thotë psikologia.

Sipas psikologëve, prindërit druhen se fëmijët e kësaj moshe ende nuk mundet t’i absorbojnë ato.

Në shkollat e mesme lënda e edukimit seksual është një modul me zgjedhje, por interesi për ta zgjedhur këtë lëndë jo gjithmonë është i madh.

Shkollat e mesme veç modulit me zgjedhje shpeshherë trajtojnë edhe orë edukative, për të dhënë të gjithë  informcionin e  duhur në lidhje me edukimin seksual. Sipas nmësuesve ky është një aset i shkollës.

Gazetare: Keti Toroveci

/ rtsh /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›