E Martë, 3 Nëntor 2026

Rikthehen maskat në qendrat shëndetësore/ Infektime të larta nga COVID

Në qendrat shëndetësore nuk mund të hyni më pa maskë. Rritja e infektimeve me COVID e ka bërë të domosdoshme këtë masë mbrojtëse.

Vetëm në një nga pikat e Qendrës shëndetësore Nr.8 në Tiranë janë raportuar 30 infektime nga COVID gjatë muajit gusht.

Një paciente e re në moshë, inxhiniere elektrike në profesion, pas dy ditësh me temperaturë është paraqitur në qendër shëndetësore për t’u testuar për COVID.

“Ditën e diel nuk ndihesha mirë fizikisht, nuk e ulja dot kokën, nuk ushqehesha dot. Kisha një lodhje fizike dhe temperaturën ë kisha 39. Kur erdha  këtu dola pozitive me COVID-19,” tha ajo.

Në qendrat shëndetësore tashmë diagnoza COVID po bëhet e shpeshtë. Dr. Violeta Kaçori, e sapo rehabilituar edhe ajo vetë nga një prekje në mushkëri nga COVID thotë variantet në qarkullim kanë infektueshmëri të lartë.

“Rastet janë rritur dukshëm. Janë disa nënvariante të “Omicron”, mes tyre edhe ai I fundit “Iris” me disa mutacione që po qarkullojnë aktualisht. Pjesa dërmuese e rasteve që testojmë janë me COVID,” tha mjekja.

Pjesa më e madhe rasteve thotë doktoresha kanë klinikë të ashpër.

“Edhe pacientët e rinj madje kanë bërë temperaturë të lartë, 39-40 gradë Celsius, me ethe, dhimbje muskulare që zgjasin minimalisht 3-4 ditë dhe në ditën e 4-ët fillon të zbehet. Klinika ka qenë edhe më e vështirë tek të sëmurët kronike me diavet , tension dhe veshka të cilët kanë përjetuar simptoma të ashpra,” tha mjekja.

Mjekët bëjnë thirrje qytetarët të vendosin maskat në qendrat shëndetësore pasi virulenca e nënvarinteve është aktive deri në 5 ditë.

“Në qendrat shëndetësore duhet patjetër të vendoset maska. Virulenca e këtyre nënvarianteve që po qarkullojnë është aktive gjatë 5 ditëve të inkubacionit të virusit dhe mund të infektojë shumë pacientë të tjerë që vijnë në qendër për diagnoza të tjera si dhe stafin,” bën thirrje ajo.

Për format e lehta dhe të mesme nga COVID mjekët rekomandojnë 5 ditë qëndrim në shtëpi si dhe izolim nga familjarët.

Gazetare: Sonila Mlloja

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›