Edvin Rama, opozitari i parë i optimizmit
Opozita socialiste e ka nisur vitin politik 2012 nëpërmjet baterisë së saj mediatike, duke aluduar fort për një vit të vështirë financiar të vendit. Nuk kanë lë gjë pa lëvizur për të mbështetur parathënien e saj. Madje dhe horoskopi në disa media të majta është tejet pesimist, i mbushur me frikëra për vendin e punës, dashurisë, miqësisë dhe familjes. Sigurisht, vështirë të thuhet se ka një strategji për të mbjellë pesimizmit e disfatizmit edhe nëpërmjet horoskopit.
Megjithatë tendenca për të profetizuar një katastrofë financiare është e qartë dhe e mirë induktuar në faqe gazetash dhe edicione lajmesh. Realiteti dhe pritshmëria pozitive pëson atentat në ditët e para të një viti të ri. Dhe kjo duket haptazi sapo shikon në Tv një kronikë mbi ekonominë, ku të vjen ta kapësh pultin dhe ta flakësh nga dritarja. Arsyeja është e thjeshtë. Dëgjon të njëjtin refren të mësuar përmendsh: kriza ekonomike na ka prekur në asht, rritja ekonomike do të jetë në nivelin e parashikuar nga qeveria Berisha, i cili për të gënjen e sidozot faji është i Saliut, etj. Kundërvënia opozitare po e shndërron gjithçka në krizë. Një barcaletë e re po lind këto ditë: çfarë uji i ke dhënë gomarit? Krizë!
Kuptohet vetiu që e gjithë opozita dhe veçanërisht Partia e krizave shprehet e uron Rroftë kriza: një aksiomë infantile ku epikriza e panikut merr formën e një çelësi kopil për të marrë pushtetin, formën e një leve Arkimedi moderne për të thënë Eureka në politikë. Gjatë fundit të vitit të kaluar “Socialistët e shekullit të ri” folën shumë për krizën, më shumë seç një grup ekologjist flet për shpëtimin e tokës nga ngrohja globale. Opozita e çuditshme edviniane e këtij fillim viti po kërkon të instalojë një imazh sa iluziv aq edhe magnetik midis krizës së saj dhe asaj ekonomike. Ekziston vakia e një simbioze të frikshme mes konceptit “krizë” dhe parashikimeve astrologjiko-horoskopike të zgjidhjes së saj nëpërmjet Rilindjes.
Mirëpo kjo aleancë horoskopike mes krizash ka funksionin e një mbylljeje ndër vete, dhe natyrisht edhe mbajtjen në këmbë të një organizmi politik si Partia Socialiste, që e ka humbur kontaktin me bazën dhe për rrjedhojë edhe me arsyen e me realitetin. Orkestra e opozitës gjëmon paralajmërimet për tragjedi - si pa të keq - në mjetet e komunikimit, duke shtuar dyshimin, frikën e mosbesimin; dhe për rrjedhojë fik dritën e një optimizmi shpëtues. Loja mes krizës ekonomike globale dhe Shqipërisë ka së paku 12 muaj që zhvillohet. Parashikimet sinoptike për kriza të gjithanshme, politike dhe ekonomike, që natyrisht - sipas PS - dilet vetëm nëpërmjet ardhjes së PS-së në pushtet. është fiks sikur i sëmuri cilësohet i shëruar jo prej ilaçeve, por duke i recituar afër veshit “vjershën” Rilindje, aq shpesh të përdorur nga Rama.
Ky investim i gabuar i PS po e largon dhe më shumë opozitën nga problemet reale dhe sociale që ka ky vend. Shumica e shqiptarëve nuk u intereson propaganda shkak-pasojë: lidhja me mastic krizës politike me krizën ndërkombëtare ekonomike, por natyrisht është më e lehtë të biesh pre e sugjestioneve paraprake të krizës, edhe pa konvulsione të forta. Për një politikë miope është më e lehtë dhe rezultative në planin e efektit elektoral mbajtja e një pozicioni që ushqen “frikën” ndaj institucioneve.
Shqipëria nuk është në krizë, edhe pse është një vend realitivisht i vogël për nga treu i brendëshëm. Shqipëria nuk është në krizë, ndonëse është prekur në mënyrë të tërthortë nga kriza, pasi dy vende fqinje si Greqia dhe Italia janë në recesion ekonomik dhe për rrjedhojë remitancat emigrantëve kanë rënë ndjeshëm duke ulur kërkesën dhe rënien e konsumit.
Shqipëria nuk është në krizë, jo sepse nuk e pranon qeveria, por se parametrat janë të qarta, dhe i lëxojnë analistë ekonomikë të brendshëm dhe të jashtëm, sidomos agjencitë e vlerësimit si Moodys dhe Standard & Poor’s, më seriozet në botë.
Sidoqoftë përcaktimi i fjalës “krizë” është një moment kulmor, i rëndësishëm, njëfarë udhëkryqi ku gjendet një shoqëri e caktuar. Në këtë mënyrë situata ku është tani Shqipëria është konsekuencë e 45 viteve ekonomi të planifikuar komuniste dhe mentalitetit soc-komunist, produkt i të cilës është janë këto 20 vjet demokraci të “kushtëzuar” kapitaliste. Por natyrisht, situata e sotme nuk përbën ndonjë moment kulmor, të rëndësishëm në planin e frenimit të sistemit ekonomik. Përkundrazi është një mundësi më shumë për të rikonceptuar marrëdhënien me realitetit dhe sipërmarrjes ekonomike.