Një libër ku autori nuk dëgjon as vetveten
E lexova librin e Blendi Fevziut dhe nuk mora dot inat as Enver Hoxhën, as Fevziun. Të parin e kam pasur më inat para se të lexoja këtë libër, ndërsa autorin më shumë zili për guximin që ka për të mos pasur frikë nga e vërteta.
Libri i Fevziut nuk sjell as gjëra të reja dhe as përsërit gjërat e vjetra të komunistëve për Hoxhën. Ai shkruan gjërat e njohura tashmë nga publiku për të, por me një gjuhë me neutrale se komunistët dhe antikomunistët. Megjithëse ka mbetur në sipërfaqe të problemeve dhe nuk mund të pretendojmë se ka ndriçuar ndonjë gjë të re, ka rishpjeguar nga pozitat jokomuniste një histori të njohur. Kjo vlen për ata që komunizmin shqiptar tashmë e kanë kuriozitet, por jo pasion për ta njohur.
Ka plot autorë të tjerë që kanë shkruar para tij për Hoxhën, por një pjesë kanë gënjyer duke glorifikuar jetën e tij e të tjerë kanë ndriçuar anë të panjohura, ndoshta me një gjuhë me spekulative siç është libri i Kastriot Myftarajt. Ka dhe historianë që kanë dhënë vetëm fakte, por ato janë injoruar për shkak të kontekstit politik. Disa historianë shqiptarë, sidomos Luan Malltezi dhe Ndreci Plasari kanë botuar qysh në mes të viteve 90-të dokumente të rëndësishme për periudhën komuniste që kanë pasur të bëjnë me raportet e Enver Hoxhës me Beogradin, Moskën dhe qëndrimet e tij ndaj kundërshtarëve. Falë faktit aksidental që Luan Malltezi është krushk i Sali Berishës, libri i tij është anatemuar padrejtësisht edhe pse është i ftohtë dhe tërësisht dokumentar.
Një libër pozitiv për Enver Hoxhën
Libri në thelb është një vështrim pozitiv për Enver Hoxhën. Në tërësi ai të jep portretin e një revolucionari të vendosur në rrugën drejt pushtetit, që ka përdorur të gjitha metodat që komunistët e aftë kanë përdorur për të sunduar. Ai shfaqet i aftë, me një jetë plot larmi njerëzore, dhe revolucionar tipik që vret në emër të parimeve të tij. Nuk di çfarë do te kërkonte një komunist më shumë nga lideri i vet se sa ka përshkruar Fevziu për Enver Hoxhën. Po ashtu nuk jam i sigurt se antikomunistët apo viktimat e Enver Hoxhës binden lehtë se ky ishte xhelati i tyre. Në fund të librit një komunist mund të ndihet krenar për Enver Hoxhën, një antikomunist fatkeq, ndërsa një lexues neutral, kurioz. Është një libër që i bën nder personazhit që ka në qendër të tij dhe autorit nder për ndonjë lek më shumë të marrë nga reklama e shitjes së një historie që e dimë të gjithë, por e kemi përjetuar ndryshe.
Ky është libri më pozitiv i shkruar në liri, për Enver Hoxhën si diktator. Në këtë vend ku komunizmi ka bërë gjëma, askush nuk mund ta rehabilitonte Enver Hoxhën në këtë mënyre. Dokumentet që Fevziu ka botuar janë thuajse të botuara të gjitha në shtypin shqiptar apo në libra të autorëve të ndryshëm shqiptarë, të cilët Fevziu nuk i citon për dy arsye. E para se mund të mos i ketë lexuar, e dyta se dhe vetë dokumentet nuk është lodhur ti gjejë vetë, por ka mobilizuar nëpunësit e shtetit në hartimin e një vepre kolektive të ngjashme me romanet kineze të revolucionit kulturor.
Enver Hoxha del një personazh pozitiv pasi Fevziu duke e treguar historinë e tij nga pozita të depolitizuara si komunist tregon çdo dokument që Enver Hoxha e ka ruajtur vetë në arkiva për të treguar vlerat e revolucionit të tij në Shqipëri. Në gazetën Tema të vitit 2006- 2007, ku Fevziu ka qenë gazetar, janë botuar të gjitha ato që Fevziu i quan dokumente për herë të parë siç janë urdhrat për vrasje apo qërim hesapesh për kundërshtarët e tij. Janë botuar se ishin në arkiva dhe të luteshin të gjithë për ti botuar. Po ashtu Malltezi dhe Plasari kanë botuar dokumentet e Plenumit të Beratit apo raporteve me jugosllavët. Po të ishte gjallë sot Enver Hoxha dhe të jetonte me gruan e tij në Laprakë, me siguri nga inati dhe mllefi ndaj atyre që e kishin çuar atje, do ti botonte vetë këto gjëra për të treguar me sa mundim dhe sa gjak ia kish arritur të merrte pushtetin. Ai kishte nevojë për një biografi të vërtetë revolucionari dhe Fevziu e ka ndihmuar në këtë pikë. Edhe vetë familja e Hoxhës nuk ka kundërshtuar asgjë themelore në libër përveç thashethemeve që dhe Fevziu i citon si të tilla mbi vese private të Hoxhës apo mbi skena private në familje, për të cilat ai as nuk është dëshmitar dhe as ka dëshmi me të besueshme se ato që mund të kenë familjarët. Askush më shumë se Nexhmija smund të flasë për huqet seksuale të tij dhe askush më shumë se nuset dhe djemtë e tij smund të flasin për sjelljet në familje të tij.
Por ata nuk kanë hedhur poshtë asgjë historike nga ato që janë botuar për arsyen e thjeshtë se të gjitha janë të botuara dhe ata ndihen krenarë me ato që ka bërë Enveri. Fevziu thjesht ndihet i çuditur kur i ka lexuar vetë në librin e tij.
Një libër pa gjini dhe pa strukturë
Libri fillon mirë. Bile duket se nga mënyra si fillon, sipas stilit të gazetarëve perëndimorë që shkruajnë biografi, të krijohet ideja se do kemi një libër publicistikë për biografinë e Hoxhës. Ka investigime bindëse për mënyrën si Hoxha i mbijetoi luftërave të brendshme në vitet 1943- 1944, megjithëse disa flluska ajri që stakojnë herë pas here rrjedhën e ngjarjeve, të cilën unë si nxënës i mirë që kam qenë në histori e kam të fiksuar dhe ngelem pa përgjigje. Por thuajse pas kapitujve të parë dhe kthimeve të herëpashershme tek vitet 43- 44 libri e humbet karakterin publicistik dhe matet të bëhet historik duke ngelur në klasë të dy gjinitë. Vetë Enver Hoxha ka qenë një farë shkrimtari, bile një shkrimtar mesatar siç e ka konsideruar dhe Ismail Kadare. Në librat e tij të detajuar për historinë e vet dhe komunizmin shqiptar ai na ka sjellë shumë më tepër të dhëna se sa sjell libri i Fevziut. Fevziu ka stërmunduar kot ekipin që i ka mbledhur dokumentet, pa sjellë ndonjë gjë të re, as historike dhe as publicistike. Ai mund të fokusohej si publicist tek veprat e shkruara të Enver Hoxhës nga vetë autori dhe të ndriçonte pjesët e errëta të tyre, ato që ai nuk kishte treguar apo deformuar. Ky do ishte një kontribut real dhe një libër i vërtetë publicistik. Në formën që është ai, nuk është as publicistik dhe as historik, pasi tenton të nisë si një libër historie dhe përfundon si një libër perceptimi mbi Enver Hoxhën.
Po ashtu flagrante është mungesa e një kriteri mbi të cilën ka ndërtuar biografinë që ai pretendon për Hoxhën. E ka nisur mirë me rininë e tij dhe mbijetesën në krye të PKSH deri në vitin 1944 dhe pastaj libri është hapur si një dyllë që shkrihet mbi zjarr pa formë, pa përmbajtje dhe pa kriter vlerësimi. Nëse do ti mbetej besnik historisë, ai duhet të analizonte gjithë zhvillimet e Partisë së Punës që ka diktuar Enver Hoxha siç ishin prishjet me jugosllavët, rusët, Konferencën e Tiranës, Letrën e Hapur, luftën ndaj klerit, betejën kundër liberalizmit, izolimin, afrimin me Greqinë, afrimin me vendet myslimane dhe në fund dorëzimin e tij ne izolacion. Libri pas vitit 1944 është një amalgamë faktesh rastësore dhe parciale dhe mbushur me detaje interesante, por të parëndësishme për të shpjeguar historinë. Janë gjëra që mund të çudisin ata që nuk e njohin historinë e
