E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surkovi i Ramës

05-01-2012 / Nga Lavdrim Lita

Në ishullin e të dëshpëruarve më i dëshpëruar është Endri Fuga, agjitpropi i Edi Ramës, njeriu hije që e këshillon në ndryshimin e komunikimit me qytetarët e militantët e PS-së. Nuk di çfarë të shpikë më për ta bërë kreun e Partisë Socialiste të besueshëm dhe të pranueshëm, ngase Edi Rama bën çdo gjë për të qenë i pranueshëm: me bojkote, bilbila, greva urie, demonstrata të dhunshme, etj. Agjitpropi Fuga është njeriu që ka sajuar në bashkëpunim gjithë ato parulla të trishtueshëm:  hap kutitë, ose largohu, çliro vizat, E vetmja rrugë është Rama, gjithë fajin e ka Saliu, e gjithfarësoj dekoltesh intelektualë të pjella nga war-room-i elektoral socialiste.
Truri organizator i Edi Ramës së përkorë, së fundi ka dalë në dritë, duke u intervistuar në fund të 2011 në një të përditshme sikur të ishte një rezyme e gjithë punës së sajuar përgjatë këtij viti të shkuar. Për  suflerin e zhdërvjellët të Ramës thonë se është një tip i komplikuar, vishet causuals domethënë si çun trendi, mban syze jo vetëm për të kompensuar miopinë por dhe për tu dukur pak intelektual. Zezonat thonë se ka një zë të ngrohtë, por Rama nuk është shprehur akoma për këtë cilësi. Atij i mjafton, eh i Mjaft-ton, të këtë një djalosh në krah për t’u rifreskuar me mënyrat e reja të komunikimit online, për shembull nuk është çudi që zgjedhja për të shprehur “kursin e ri” është përdorimi i rrjeteve social twitter.
Konkretisht është njeriu që i bën “marketing-un” organizatës politike me emrin Partia Socialiste dhe sidomos, a-politikanit Edi Rama. Kronika e kësaj marrëdhënieje të rrezikshme i ka rrënjët që në sajimin in-vitro të lëvizjes Mjaft, në vitin 2003, ku Endri Fuga, Erion Veliaj, Arbi Mazniku, Olta Xhaçka e të tjerë u bashkuan dhe financuan me një qëllim ngritjen politike të Edi Ramës. Drejtor i komunikimit të kësaj lëvizjes nuk ishte askush tjetër veçse Endri Fuga, i dalluar për përdorimin e aksioneve spektakolare për sytë, megjithëse, aspak për mendjen. Një lojtar i imazhit në epokën e imazhit është njeriu i duhur në vendin e duhur.
Sakaq ai kujton se ngjan me amerikanët Dejvid Akselrod hija e kudondodhur e Barak Obamës, apo siç është Karl Rove “krijuesit” të presidentit Xhorxh W.Bush dhe kryestrateg i republikanëve amerikane, apo anglezit Alister Kampbell spin-doctor i Toni Blerit, por  shumë me  rolin i tij ka të përbashkëta me punën e Vladislav Surkov, ish-nënkryetari i administratës presidenciale, ideologu i Putin, njeriu i cili thonë se ka shpikur Rusinë e Bashkuar si "parti androidësh", lindi putinët e rinj "Nashi," teorizoi koncepte themelues të sistemit si "vertikalen e pushtetit", që ka mbajtur kontrollin e rrjeteve televizive kombëtare dhe, në bazë të thashethemeve të Moskës, ka tërhequr të gjitha fijet e komploteve politike, duke përfshirë mashtrimin elektoral të fundit.
Endri Fuga ka nisur të punojë herët për Ramën që kur ishte 26 vjeç. Në një kurrikulum të shpërndarë jo zyrtarisht shkruhet se ka studiuar në Romë dhe Gjenevë për komunikim. Ai ishte pranë tij në exit-strategy e grevës së urisë në restorant “Krokodil”, ku Rama shpëtoi fytyrën në sytë e ndërkombëtarëve. Fuga u ndihmua përgjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit nga zyra e konsulencës italiane të vëllezërve Crespi, të dënuar së fundi nga drejtësia italiane për mashtrim dhe falimentim të studiuar të shoqërisë së tyre.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›