E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini e trajton Biblën e Kuranin si një njeri pa din e pa iman - flet për ndryshim statuti, por që do përdoret tek humbja tjetër elektorale

Edi Rama u shfaq dje, por virtualisht, për të deklaruar me kokëfortësi se do të rikandidojë për kreun e PS-së. Në një autointervistë të stërzgjatur, ku vetë kishte pyetur dhe vetë ishte përgjigjur, Edi Rama konfirmoi se neni 28 i Statutit të PS-së, që ai vetë e ndryshoi, nuk është asgjë më shumë se një shkarravinë. Për Edi Ramën, pika 2 e këtij neni i cili sanksionon se, “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: jep dorëheqjen; partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3  së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP)”, në rastin më të mirë harrohet dhe në rastin më të keq injorohet.
Më tej, në intervistën e tij, për të na mbushur mendjen se dikush në SHBA, e kishte pritur dhe e kishte këshilluar, Edi Rama konfirmon gënjeshtrën e parë se atë askush nuk e priti në kontinentin amerikan. Dhe për më tepër, në kushtet kur Edi Rama nuk artikulon emra “pritësish” në SHBA, gënjeshtra e parë pasohet nga ajo e radhës, kur shprehej në intervistën e tij se, “me përfundimin zyrtar të procesit zgjedhor për mua ka nisur një proces i domosdoshëm, dëgjimi i të gjithë zërave, brenda e jashtë partisë...”.
Ky është edhe mashtrimi më i madh i Edi Ramës, sepse kur ai pretendon se ka hyrë në një proces “dëgjim mosdëgjimi”, ai shpërfill dhe injoron “zërin” e PS-së, Statutin e saj, i cili që prej datës 29 qershor 2009, “i tund” Nenin 28, duke e njohur si kryetar të dorëhequr të partisë, por duke mos e njohur si rikandidat për kryetar partie që ka humbur në “në zgjedhjet e përgjithshme legjislative”.
Por më tepër se shpërfillja apo injorimi i ca “shkarravinave” të shkruara e zezë mbi të bardhë, Edi Rama po shpërfill dhe injoron standardet apo precedentin që ka krijuar kjo parti humbëse. Në një rast të ngjashëm, mëse 4 vjet më parë, pas humbjes së zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, Fatos Nano, ish-kryetari i kësaj partie dha dorëheqjen.
Këtë standard apo precedent, Edi Rama nuk po mundet ta suportojë e ta bëjë të vetin, duke demonstruar një politikë shumë më të vjetër, nga “politika e re” e pretenduar se po ngjiz në PS-pas mosdorëheqjes nga dorëheqja në krye të PS-së.
Ai që deri para 28 qershorit 2008, mundohej të bindte votuesit e mundshëm të PS-së, se nuk ishte një politikan, por se ishte një misionar, në përmbyllje të mosrealizimit të misionit të tij po mban peng politikisht postin e kreut të PS-së.
Këtë e bën për një qëllim të vetëm. Atij i duhet “statusi” i kryetari të PS-së, si mburojë politike përballë akuzave që ende ngelen në nivelin mediatike, për përfshirje të tij në afera korruptive e kriminale... Prandaj edhe statusi i partisë thotë Edvini, nuk është as bibël e as kuran, kur në fakt bash duhet të ishte e kundërta. Ai është gati që t’i ndërrojë të gjitha, mjaft që gjithçka të vihet në funksionim herën tjeër, tek humbja tjetër e radhës, pra Rama do ta përballojë debatin në 2013-n, kur edhe të ketë koleksionuar trashëgiminë e duhur, në mënyrë që të blejë të shkuarën e të jetojë i qetë në të ardhmen, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›