E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyra e lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës, veç një mashë në dorën e vullnetit korruptiv të Edvinit

Prokuroria pritet të nisë hetimet për skemën korruptive në dhënien e lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës, por zyra që drejtohet nga Sonila Qato, ka qenë gjithë kohën nën presionin e Edvinin, i cili me urdhra verbalë ka sjellë instalimin e strukturës që ka betonuar kryeqytetin


Afrimi i kohës kur Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të shtyjë më tej nisjen e hetimeve për skemën masive të korrupsionit, që ka shoqëruar edhe kapjen e bandave më të rëndësishme kriminale të momentit, ka sjellë edhe ankthin e terrorin në radhët e ushtarëve të Edvinit në bashkinë e Tiranës. Njoftimet domethënëse, por edhe lajmërimet e institucioneve të interesuara, se së afërmi do të nisin edhe formalisht hetimet për skemën masive të korrupsionit me lejen e ndërtimit në bashkinë e Tiranës, kanë zbuluar natyrën e vërtetë të marrëdhënieve mes Edvin Ramës dhe Sonila Qatos, përgjegjëses formale të institucionit të bashkisë, që merret me përfundimin e praktikës së akordimit të lejes për nisjen e ngritjes së pallateve në rrugët e sheshet e kryeqytetit. Pas këtyre njoftimeve, zyra e Sonila Qatos ka kuptuar se Edvini ka lëshuar armët e se shqetësimet kryesore i ka më së shumti për të shpëtuar avenirin e tij politik, prandaj edhe pak gjasa ka që ndikimi i tij të shkojë për të shpëtuar fatin e Sonila Qatos dhe zyrtarëve të tjerë të bashkisë së Tiranës. Burime të mirinformuara për gazetën “55” bënë të ditur se tashmë ishte e pamundur të ndalej nisja e një hetimi masiv të prokurorisë së Tiranës për skemën e dhënies korruptive të lejeve të ndërtimit në bashkinë e kryeqytetit (ndërtuesit dhe mediat, në mënyrë të pavarur u kanë dhënë prokurorëve indicet e duhura), prandaj edhe zyra e Sonila Qatos ka kuptuar se është subjekt i institucionit të akuzës. Edvini, si më i përkujdesur në dhënien e urdhrave, është përkujdesur të zbatojë teorinë e “fatwa”-ve, atë të akordimit të urdhrave pa ndonjë risk, prandaj edhe sot duket se Sonila Qato do të jetë koka e duhur e turkut, për marrëdhënien e vështirë mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe bashkisë së Tiranës. Hetimi i mundshëm do të sjellë më afër edhe marrëdhënien e vështirë dhe në mungesë lirie me institucionin e akuzës. Edvin Rama mësohet se është përkujdesur të shpërndajë veç urdhrat verbalë për sponsorizimin e linjës së tij klienteliste, përmes dhënies së lejeve të ndërtimit, prandaj edhe tashmë ngjan se hetimi për skemën masive të korrupsionit, që pritet të vihet nën lupë nga zyrat e specializuara të institucionit të akuzës do të jetë një hetim, që ndoshta mund të nxjerrë mangësi në dokumentacionin e Sonila Qatos, por që para syve të opinionit publik nuk mund të errësojë rrënjën, rolin vendimtar të Edvinit në këtë skemë korrupsioni.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›