Edvini humbet qetësinë, sulmon Topin se i prishi planet për likuidimin e LSI-së

PS-ja refuzon çdo lloj negociate me LSI-në dhe këmbëngul në miratimin e Kodit Zgjedhor, edhe pse cilëson fajtor Presidentin e republikës, i cili nuk shfrytëzoi afatet kohore për të respektuar detyrimet e veta kushtetuese
Drejtues të LSI-së akuzojnë Edi Ramën për sjellje prej adoleshenti në politikë
Partia Socialiste ka refuzuar dje sugjerimin e kryeministri Sali Berisha për të zhvilluar negociata me Lëvizjes Socialiste për Integrim për sa i përket disa ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor që është kthyer sërish për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë pak ditë më parë nga Presidenti i Republikës me argumentin e një përplasjeje kushtetuese në lidhje me afatet e dekretimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga kreu i shtetit. Madje deklaratat e dy ditëve më parë gjatë një konference të posaçme për shtyp me rastin e 60- vjetorit të Kartës Universale të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut të kreut të qeverisë mbi këtë çështje, janë konsideruar si një “qëndrim jo serioz” nga ana e kryetares së grupit parlamentar, Valentina Leskaj.
Valentina Leskaj
Dje, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj apeloi që Parlamenti s'duhet të vonojë në asnjë mënyrë procesin e zbatimit të kodit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
“Vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial, i cili mund të ishte shmangur lehtësisht pa asnjë problem kushtetues nga ana e vetë Presidentit, s'duhet të zgjatet pa asnjë nevojë nga ana e Kryeministrit. Ne i kujtojmë se ai e ka për detyrë të nxitë zgjidhjen për të garantuar një zbatim rigoroz të Kodit Zgjedhor, duke filluar nga ngritja e menjëhershme e administratës qendrore zgjedhore dhe jo të bëjë cic-mic duke luajtur me fjalë për të bërë diversion ndaj Partisë Socialiste. Nëse Sali Berisha kujton se do ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e pakufishëm ndaj Partisë Socialiste, ky nuk është problemi ynë, por i Kryeministrit, i cili nuk duhet të ngatërrojë detyrimin madhor ndaj popullit shqiptar e partnerëve ndërkombëtare për një reformë zgjedhore konsensuale dhe të zbatuar ashtu si duhet, me politikën e tij të vjetër të ditës”, deklaroi drejtuesja e grupit parlamentar të PS-së.
Spartak Braho
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim me anë të anëtarit të saj në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, Spartak Braho. “Edi Rama, ndonëse është kryetar i një partie që ende quhet e madhe, po sillet si i vogël, si adoleshent, duke mos u bërë i përgjegjshëm për t’i dhënë përgjigje ofertave apo angazhimeve, që ditët e fundit janë vënë në lëvizje edhe nga faktori ndërkombëtar për standardet që duhet të kenë zgjedhjet dhe gjithë përfshirje njëkohësisht në administrimin e tyre. Ndërkohë që Berisha, me prononcimin e tij të djeshëm, përpiqet të heqë përgjegjësinë para ndërkombëtarëve, duke ia lënë faturën Ramës, por ai harron se kjo faturë është edhe pjesë e përgjegjësive të tij. Ai përgjigjet për standardet e zgjedhjeve, për realizimin e këtyre standardeve dhe tërë procesin zgjedhor, që të jetë gjithë përfshirës”, deklaroi Braho.
Një përgjigje e tillë refuzues pritet që të shtojë tensionet në marrëdhëniet mes PS dhe LSI-së si dhe dozën e akuzave të ndërsjella, çka do të rrisë edhe hendekun respektiv të dy koalicioneve me të cilat duket e majta do të përballet në fushatën zgjedhore të vitit 2009.
...