E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta bashkohet bllok, kur është puna për të mos hapur dosjet dhe për të mbrojtur prokurorinë

Opozita ka kontestuar në bllok si projektligjin e sapo miratuar nga qeveria mbi Prokurorinë e Përgjithshme ashtu edhe atë për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, miratuar të mërkurën në Komisionin e Ligjeve, me pretendimin se në të dyja rastet mazhoranca synon që të godasë pikërisht ata Prokurorë që kanë në dorë dosjet hetimore mbi disa nga ministrat e qeverisë aktuale. “Kryeministri nuk duhet të ngatërrojë dosjen e spiunëve me dosjet e Gërdecit e të Lulëzim Bashës. Nuk mund të përdoret kali i një beteje morale si ajo me hijet e diktaturës komuniste për të shpëtuar të pandehurit e mazhorancës nga hetimi e gjykimi i drejtësisë. Ne jemi gati të japim konsensus për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, por jo për të mos lejuar që të merren me profesionin e tyre ata që po hetojnë për të hedhur dritë në gropat korrupsionit qeveritar. Ne jemi gati për të kontribuar e dhënë konsensus për një ligj të ri që forcon pavarësinë kushtetuese e financiare të prokurorisë që rrit efektshmërinë e saj në hetimin e krimit e të korrupsionit, por kurrsesi për një ligj që e kufizon pavarësinë e organit të akuzës dhe prodhon trysni mbi prokurorët. Kryeministri dhe mazhoranca kuvendore nuk duhet ta bëjnë lëmsh agjendën kombëtare të dy reformave të mëdha”, deklaroi kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.


Ndërkaq edhe anëtari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho tha dje se qeveria aktuale ka konflikt të hapur interesi me projektligjin mbi Prokurorinë.


“Ky ligj prek rëndë pavarësinë e organit të Prokurorisë, prek dhe cenon mbrojtjen e prokurorëve, i lë ata në mëshirën e politikës hakmarrëse të mazhorancës, prek strukturat vendimmarrëse të Prokurorisë së Përgjithshme, eliminon rolin e Presidentit, nëpërmjet suprimimit të përfaqësuesit të tij në Këshillin e Prokurorisë, etj”, deklaroi Braho.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›