E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton marrëveshjen e grantit me SHBA

“Shqipëria përfiton grantin prej 16 milionë dollarë për të luftuar korrupsionin”


Kuvendi miratoi dje me 123 vota pro dhe asnjë kundër, marrëveshjen e grandit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të objektivit strategjik për të luftuar korrupsionin. Ndonëse marrëveshja parimisht u mbështet nga të dyja palët, ajo ngjalli një debat të zgjatur politik në parlament. Grandi antikorrupsion, i ofruar nga qeveria amerikane, nxiti shkëmbimin e akuzave të ndërsjella mazhorancë-opozitë ndaj fenomenit të korrupsionit.


Mazhoranca theksoi se objektivi strategjik i marrëveshjes është reduktimi i korrupsionit, forcimi i rolit të ligjit dhe përmirësimi i lirisë ekonomike në Shqipëri.


Zëvendëskryeministri Genc Pollo, tha se marrëveshja për realizimin e fazës së dytë të programit të pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit kundër korrupsionit dëshmon sukseset dhe vullnetin e qeverisë shqiptare në luftën antikorrupsion.


“Përfitimi i grandit prej 16 milion dollarësh konfirmon vullnetin e qeverisë shqiptare në përpjekjet për mirëqeverisje dhe antikorrupsion, një vlerësim ky që vjen dhe nga pala amerikane”, u shpreh në parlament Zëvendëskryeministri Genc Pollo.


Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës së majtë, ndërsa e mbështetën marrëveshjen me qeverinë amerikane, përdorën tone kritike ndaj qeverisë, duke u shprehur se ajo po mbron zyrtarë të saj të akuzuar për korrupsion.


Me anë të kësaj marrëveshjeje, qeveria shqiptare, përmes Agjencisë së SHBA-së, USAID, përfiton grandin me vlerë 15 milion dollarë për realizimin e fazës së dytë të programit të pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit, thelbi së cilës është lufta kundër korrupsionit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›