Edvini ia mbath edhe nga debatet televizive, Ilir Meta pretendon legjitimitetin e përfaqësuesit të parë të së majtës
Ilir Meta i bën ftesë Edi Ramës, por edhe Fatos Nanos dhe krerëve të tjerë të opozitës për një tryezë të përbashkët, por deri në orët e vona, nuk pati asnjë konfirmim zyrtar për pjesëmarrje
TIRANE - Pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, po tenton që të marrë rolin e përbashkuesit të
së majtës të përçarë në dy kampe. Meta ftoi dje kryesocialistin Edi Rama, paraardhësin e tij në selinë rozë, Fatos Nano, si dhe ish-drejtuese të jerë të kësaj partie, si rexhep Meidani e Servet Pëllumbi, apo edhe krerë të tjerë të partive opozitare, si Skënder Gjinushi, Paskal Mili, e Petro Koçi, për një tryezë të përbashkët për koordinimin e veprimeve në prag të përballjes elektorale të së dielës dhe me qëllim unifikimin e së majtës në mos në formë së paku në frymë.
“Zgjedhjet e 28 Qershorit janë vendimtare për të ardhmen dhe të sotmen e Shqipërisë. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve është historike, si në aspektin e plotësimit të standardeve, si një vend i ri anëtar i NATO-s edhe për përcaktimin e standardeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në ndërtimin e një qeverisje pas 28 Qershorit, të aftë për të plotësuar të gjitha detyrimet, ndaj integrimit evropian”, shprehej në fillim të letrës së tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Duke e parë Kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e tij, si kundërshtarin e vetëm kryesor, meta kujtonte se objektivi i vetëm mbetet largimi i kësaj qeverie.
“Prandaj duke ndjerë këtë përgjegjësi të veçantë dhe historike, do të ftoj në një takim ditën e hënë të gjithë faktorët politikë, institucionalë dhe historikë, të rinj dhe të vjetër të të majtës, me qëllim vendosjen e një fryme sa më të gjerë bashkëpunimi, midis të gjithë partive të majta dhe progresiste. Në mënyrë të veçantë në ndikim të mbrojtjes së procesit zgjedhor në 28 qershor nga çdo manipulim dhe presion i mundshëm, në ndërprerjen e diversionit të forcave të majta dhe progresiste ndaj njëra-tjetrës, si dhe në krijimin e një fryme të besimit dhe të fitores në të gjithë elektoratin e majtë dhe progresistë”, deklaroi dje Meta duke saktësuar se ftesa, ishte për ditën e hënë, ora 12.00, në Hotel “Tirana International”.
Megjithatë deri dje nga ana e lidershipit të PS nuk ka pasur asnjë reagim për një ftesë të tillë. Vlen të theksohet në ftesën e Metës mungojnë emra e dy aleatëve të rinj të koalicionit të udhëhequr nga PS, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe G 99 e Erjon Veliajt.
...