E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Flet kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Osman Metalla

“Mandati i dytë qeverisës i PD-së do të jetë mandati i Shqipërisë Evropiane”



TIRANE - Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Osman Metalla, në një intervistë për “Gazetën 55”, shprehet i sigurt në fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Metalla e argumenton gjykimin e tij mbi ndryshimin e madh që vendindi ka pësuar, ndryshim që sipas tij është i prekshëm nga çdo familje shqiptare.


Kandidati demokrat nuk nguron të sjellë në vëmendje reformat e thella që mazhoranca ka ndërmarrë në çdo qelizë të të gjitha institucioneve që përbëjnë atë që quhet “shtet”. Gjithë kjo punë kolosale e bërë nga qeveria, për deputetin Metalla, bën që Partia Demokratike të dalë krenare përpara shqiptarëve, dhe të kërkojë mbështetjen e tyre në zgjedhjete e 28 qershorit. Mandati i dytë qeverisës i PD-së, sipas deputetit Metalla, do të jetë mandati i thellimit të mëtejshëm të reformave të ndërmarra nga mazhoranca, për të bërë një Shqipëri Evropiane.


Kandidati Metalla i cili garon për qarkun e Durrësit, duke u mbështetur dhe mbi rezultatin e zgjedhjeve vendore në këtë qytet, si dhe mbi faktin se Durrësi është një bastion i djathtë, nuk nguron të pohojë se Partia Demokratike do të marrë 9 deputetë në këtë qark.


I pyetur mbi fushatën që po bën PS dhe programin e saj elektoral, kandidati i PD-së gjykon se socialistë janë në një dëshpërim të thellë. Kjo gjendje e krijuar në kampin socialist, sipas Metallës, ndodh pasi vetë ai që duhej të ishte në krye të listës, kryetari socialist, Edi Rama, është fshehur, pasi e ndjen se do të dalë i humbur në këto zgjedhje. Për këtë arsye, sipas kandidatit Metalla, socialistët në të gjithë vendin kanë të gjitha arsyet e mundshme që të mbështesin të djathtën në këto zgjedhje.


Sa i përket ecurisë së pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, Metalla vlerëson se ky proces ka ecur normalisht, pasi koha dhe kapacitetet kanë qenë të mjaftueshme. Për këtë arsye sipas tij, çdo qytetar që ka vendosur të votojë më 28 qershor ka aplikuar.



Cilat janë pikat e forta me të cilat mazhoranca e djathtë paraqitet pas 4 vjetësh para qytetarëve shqiptarë për t’i kërkuar rinovimin e besimit për një mandat të dytë?


Unë dhe çdo qytetar shqiptar është mjaft koshient se pas 4 vitesh qeverisjeje të mazhorancës së djathtë, jeta e çdo familje shqiptare, imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar mjaft. Nëse 4 vite më parë ishte krimi organizuar që drejtonte vendin, nëse 4 vite më parë korrupsioni ishte shndërruar në sistem dhe kishte kapur shtetin në çdo qelize të tij, nëse 4 vite me pare fëmijët shqiptare shpesh here duhej të mësonin nën dritën e qiririt, pasi mungesat e energjisë elektrike ishin të tejzgjatura, sot besoj se të gjitha këto gjera kanë ndryshuar. Ne luftuam fuqishëm krimin e organizuar dhe korrupsionin, ne ndëshkuam qindra zyrtare të niveleve të ndryshme, si në administrate, e në mjaft sektorë të tjerë prioritarë të shtetit, dhe i kemi çuar ato përpara drejtësisë, ka më se dy vjet që qytetarët shqiptarë kanë harruar mungesat e energjisë. Ndërsa 4 vite më parë Shqipëria shikohej në sytë e ndërkombëtarëve si një vend burim apo transit i trafiqeve të lëndëve narkotike dhe deri tek trafiku njerëzor, sot në sajë të asaj lufte pa kompromis janë bërë hapa të jashtëzakonshëm në luftën kundër këtyre trafiqeve. Ndërsa 4 vite më parë në identifikoheshim me gomonet që presupozonin trafikun njerëzor, sot trafiku njerëzor ka shkuar pothuaj në zero. Në katër vite ne punuam në përmirësimin e infrastrukturës, ndërtuam mbi 6000 km autostrada e rrugë rurale, për më tepër ndërtuam rrugën e shekullit, rrugën që bashkoi kombet, rrugën Durrës-Kukës, ndërtuam porte e aeroporte, ndërtuam 1012 shkolla, futem internetin në çdo shkollë. Sot, të gjithë punonjësit e administratës paguhen pothuaj dy herë më shumë, ndërkohë që të gjithë mjeket dhe infermierët, arsimtarët dhe pensionistët i kanë të ardhurat të dyfishuara. Ne sot jemi vend anëtar i NATO-s, jemi në prag të anëtarësimit në BE, dhe shumë shpejt qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore. Besoj se të gjitha këto na japin të drejtën që të dalim para qytetareve shqiptare dhe të kemi moralin e plotë për t`i kërkuar mbështetjen e tyre të fuqishme.



Çfarë pritet që të korrigjohet dhe avancohet më tej në thellimin e reformave të ndërmarra në 4 vitet e fundit gjatë mandatit të dytë qeverisës të Partisë Demokratike?


Mendoj se ky 4-vjeçar ishte 4-vjeçar i cili vuri themelet e një zhvillimi të shpejtë


të vendit dhe unë kam bindjen se në mandatin e dytë qeverisës nga ana e Partisë Demokratike, vendi do të njohe zhvillime të reja në të gjitha fushat. Në 4-vjeçarin


e dytë ne do të vazhdojmë të përfundojmë të gjithë infrastrukturën në vend, të gjithë qendrat e fshatrave do të lidhen me qendrat e komunave me asfalt, do të zgjidhim përfundimisht çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm, do të vazhdojmë rritjen e pagave dhe pensioneve, do të përmirësojmë reformën në fushën e sigurimeve shëndetësore. Mandati ynë i dytë qeverisës do të jetë mandati i Shqipërisë Evropiane. Brenda muajve


të parë të mandatit tonë të dytë qeverisës ne do të kalojmë të paktën 6 vende të BE-së në drejtim të pagave dhe pensioneve. Ne po vazhdojmë të investojmë fuqishëm në fushën e energjisë dhe të turizmit.



Ju jeni një deputet me një begraund të gjerë politik, cili është komenti juaj për fushatën që po bën Partia Socialiste dhe për programin e saj elektoral?


Mendoj se Partia Socialiste është në dëshpërimin e saj më të thellë. Ajo vjen para qytetarëve shqiptarë pa asnjë alternative, pa asnjë program të qartë politik, pa asnjë premtim për qytetarët shqiptarë. Për më tepër Socialistët në mbarë vendin nuk ndjehen të përfaqësuar, nuk ndjehen të drejtuar, pasi ai që duhej të ishte në krye të listës së tyre është fshehur, i është shmangur detyrimit të madh demokratik, që si udhëheqës i opozitës duhej të ishte në krye të kësaj gare. Mendoj se socialistët në të gjithë vendin kanë të gjitha arsyet e mundshme që të mbështesin të djathtën në këto zgjedhje për vetë ato reforma të konkretizuara, për vetë ato zhvillime që vendi ka pësuar gjatë këtyre 4 viteve, dhe për faktin se nuk kanë se kë të ndjekin. Ai që i udhëheq është fshehur.



Pavarësisht rezultateve të sondazheve të ndryshme, sa deputetë parashikon që të fitojë Partia Demokratike në Qarkun e Durrësit?


Unë besoj se Durrësi dhe i gjithë Qarku ku ne garojmë gjatë gjithë kohës ka qenë i orientuar djathtas. Rezultati i zgjedhjeve të fundit vendore e dëshmon më së miri këtë. Për më tepër dhe në ketë fushatë ku ne vijmë me një ekip mjaft përfaqësues për të gjithë banorët e qarkut, qoftë nga pikëpamja politike, gjeografikisht apo dhe sa i përket grupeve të interesit, ne mendojmë se kemi ekipin më të plotë të përfaqësimit. Gjithashtu, sa i përket programit tonë elektoral, mendoj se ne i përgjigjemi të gjithë atyre nevojave që qarku i Durrësit ka për zhvillim. Gjatë gjithë fushatës ne kemi ndjerë një mbështetje të jashtëzakonshme si dhe një besim mjaft të madh të qytetareve tek Partia Demokratike. Mendoj se objektivi ynë është që të marrim të paktën 9 deputete në këtë qark.



Cilat janë problemet kryesore të këtij qarku dhe cilat janë premtimet konkrete të PD-së dhe koalicionit që ajo drejton “Aleanca e Ndryshimit” për mandatin e dytë qeverisës ?


Natyrshëm që qarku i Durrësit duke qenë një qark relativisht i madh ka dhe një sërë problemesh. Ne jemi të njohur me të gjithë problematikën, si dhe i jemi adresuar të gjithë këtyre problemeve në programin tonë elektoral. Konkretisht, unë do të theksoja problemin e trajtimit të mbetjeve urbane në qytetin e Durrësit, problemin e purifikimit të ujërave të zeza, zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë të pijshëm si dhe shumë probleme të tjera. Për të gjitha këto probleme ne kemi folur ballë për ballë me të gjithë qytetarët dhe kemi gjetur mbështetjen dhe besimin e qytetareve tek alternativat tona.



Një pjesë e opozitës ka shfaqur mjaft rezerva në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit, duke kërcënuar deri në mos njohjen e rezultatit të zgjedhjeve. Tashme që afati përfundimtar i përcaktuar nga Ministria e Brendshme për pajisjen e qytetareve me karta identiteti ka mbaruar, cili është vlerësimi juaj mbi mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe qëndrimin e opozitës?


Një nga shqetësimet kryesore që ne kemi pasur gjatë zhvillimit të fushatës sonë natyrshëm ka qenë dhe pajisja e qytetareve me kartat e identitetit, duke pasur parasysh këtu ato qytetarë të cilët nuk kanë qenë të pajisur me pasaporta për udhëtim për jashtë shtetit. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për t`i sensibilizuar të gjithë qytetarët që të pajisen me karta. Mendoj se të gjithë ato që kanë pasur vullnetin për tu pajisur me karta kanë pasur të gjithë kohën në dispozicion, dhe nuk ka pasur asnjë pengesë. Ne kemi ndjekur ecurinë ditore në stacionet e aplikimit dhe në të gjitha këto raste këto stacione kanë qenë nën kapacitetin e mundshëm të aplikimit. Mendoj se çdo qytetar që ka vendosur të votojë më 28 qershor ka aplikuar. Koha dhe kapacitetet kanë qenë të mjaftueshme. Shqetësimi ynë tashmë është tërheqja e kartave dhe unë gjej rastin ti bëj thirrje nëpërmjet gazetës suaj të gjithë qytetareve që të shkojnë të tërheqin në kohë kartat në mënyrë që të mos krijohen radhë dhe të gjithë të kenë mundësinë të tërheqin në kohë kartën. Në përfundim mendoj se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta ka qenë mjaft normal dhe besoj se dhe kompania që merret me pajisjen e qytetarëve me karta ka qenë korrekte.


Bisedoi. Silvi Tresa

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›