E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini, njeriu që po bëhet i pabesueshëm dita-ditës

Në një konkurrim që drejtohej nga Enriko Karuzo, paraqitet edhe një djalë i ri. E kishin mikluar shokët për zërin e tij me volum të lartë. Përzgjedhja do të bëhej në klasifikimin në tenorë, baritonë apo basë. Pasi u lodh së kënduari, djaloshi e pyeti mjeshtrin për llojin e zërit: -Jam tenor, bariton apo bas? -Je tellal, biri im! – i tha Karuzo. Kjo anekdotë, e vërtetë apo e sajuar, m’u kujtua kur, në vendin tonë të çudirave, një person që nuk drejton dot një bashki, kërkon të drejtojë një shtet! Kuptohet se për kë e kam fjalën.
Tanimë është bërë e njohur ngjarja e fundit sesi kryetari i bashkisë sonë nuk pranon të bëjë të kalueshëm buxhetin bashkiak të Tiranës për vitin 2009. Mos të harrojmë se ligji parashikon që ligji për buxhetin bashkisë së Tiranës, të miratohet brenda muajit dhjetor. Ai, që po bredh në të gjithë vendin tonë për të bërë të pranueshme një “politikë të re” duke u mësuar fshatarëve sesi ta punojnë tokën e duke u shprehur në emër të të gjithë popullit shqiptar, pa dallime partiake(!), kohët e fundit është vënë në siklet se po i shkon huq dialogu i tij me të gjithë Shqipërinë...Po lëkundej dhe ishte në hall  se “çdo ta gjente brezin e tij, në rast se do të fitonte Berisha!”. Në këtë rast harroi se ishte “apartiak” e se Berisha kishte Partinë e tij. E kaloi edhe Luigjin XVI, i cili kishte hallin e tij dhe jo çdo të bëhej pas tij (Après moi, le déluge, pas meje kiameti u bëftë!). A thua se shqiptarët kishin humbur një pushtet të ndritshëm 8-vjeçar nën komandën e socialistëve, që të ëndërronin natë-ditë atë “parajsë”, sipas propagandës marramendëse të tipit enverist, e cila e paraqiste me ngjyra të trëndafilta një qeverisje të zezë sterrë! Gjer tani dialogu me Shqipërinë, në të cilin kreu i PS-së, Edi Rama, ka qenë në rol të një superagronomi si ata të Stalinit, që i bënë kolkozet me perimore në një vijë të drejtë milimetrike, sipas vizitorit francez të indoktrinuar e qylxhi, Herió-it, të ngjashëm me italianin  Fosko Dinuçi. Herrió-i, mahnitej nga vijat e drejta dhe nuk i shihnin sytë ultramiopë, sesi fshatarëve u merreshin këmbët nga uria! I tillë do të katandisej edhe fshati ynë, si në tetëvjeçarin dështak, pasi të binte në dorë të ithtarit të Stalinit, Edvin Ramës! Që është i tillë, - se mos themi ndonjë gjë të pasaktë, - këtë e provoi vetë, me idolatrinë që i bëri Enverit në Pezë! Dhe s’mund të jesh enverist e të mos jesh stalinist, kuptohet. Hapat përpara të fshatit tonë, në krahasim me tetëvjeçarin që po na jepet sot si model të qeverisjes së ardhshme, nuk është në gjendje t’i vërejë një njeri, të cilin nuk e lejon nihilizmi të vështrojë kthjellët. Sesi do të qeverisej vendi nga Edvini, shqiptarët duhet ta kenë të qartë nga korrupsioni galopant i tetëvjeçarit, të cilin vetë E. Rama e përshfaqi hapur para këpëdarëve të tij, që e proklamuan kryetar. Ky korrupsion do të vazhdonte me galop të dyfishuar në përshpejtim, po të kemi parasysh faktin se e gjithë prokuroria po merret, tani, jo me ato akuza sa për sy e faqe të Edi Ramës, ndaj majtistëve të tij, por në saje të denoncimeve të vetë qeverisjes së tanishme, në emër të pastërtisë së administratës së saj. Ndërsa vërejmë këto procedime, ish-pushtetarve të korruptuar, që e humbën pushtetin veçanërisht për këtë arsye, nuk u ka hyrë as gjembi në këmbë (Ndërsa prokurorët nuk mbeten sidoqoftë pa punë, në saje të akuzave false të Edit ndaj qeverisësve të përkushtuar, që prokuroria i mban vathë në vesh!).
Por ajo më simptomatikja sesi do të bëhej qeverisja e re, sipas parimeve të poltikës së re, është mungesa e një platforme apo të një programi që janë lënë për në kalendat greke. Konkretisht:  projektbuxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2009, ka mbetur në udhëkryq. Është më e leverdisshme për kryetarin për të mos dhënë llogari për miliona dollarët e bëra rrush e kumbulla vetëm për rrogat e të besuarve të tij, gjë që është vënë në dukje edhe nga një pjesë e së majtës, siç është LSI-ja, këshilltarët e së cilës ne Bashki e quajnë spekulative atë skicë projekti, “të hartuar nga Rama për hesap të tij” (shprehje e këshilltarëve majtistë të LSI-së). Ky “skup vetëm për të marrë OK-in”, - siç u emërtua, - u shndërrua në një debat të këshillit bashkiak, në bazë të të cilit referuesi Rama u ndodh keq para këeshilltarëve. U kritikua plani i paracaktuar për investimet, gjë që e bëri E. Ramën të largohet nga mbledhja, duke mos iu përgjigjur kritikave dhe duke nxjerrë, kësisoj, falsitetin e projektit. Monika Kryemadhi e përcaktoi projektin e ri (të gjitha të reja i ka ky ithtar i së resë!) si thjesht zvarritës dhe në dobi vetëm të të besuarve të tij në administratën bashkiake. Kështu po na profilizohet përherë  e më qartazi siluheta e një figure (por të rreme, amà) të një Atlasi të mitologjisë që pretendon të mbajë në duar rruzullin tokësor,  kur e ka zënë ngërçi i gishtërinjve, për shkak të të cilit s’mund të mbajë në duar as disa kilogramë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›