E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri gjëra që e sigurojnë Kosovën në rrugë të integrimit në UE

Kosova ka probleme të shumëllojshme dhe të natyrave te ndryshme. Besoj se të gjithë neve na janë mërzitur demonstratat e protestat. Të gjithë dëshirojmë të jetojmë e punojmë për vete, familjet tona e kombin tonë. Por realiteti i Kosovës sot është shumë i veshtirë. Nuk bën t?ia bëjmë vehtes verë, kur nuk është verë. Por, çka mund të bëjmë atëherë? Ta kuptojmë realitetin kosovar dhe nëse nuk na pëlqen të reagojmë. Ne demokraci ka vend për mendime e veprime të ndryshme, përderisa ato nuk ia cenojnë jetën njerëzve apo themelin e shoqërisë demokratike d.m.th. institucioneve që janë për popullin. Kosova, përmes Kuvendit të zgjedhur nga populli (edhe pse ishe një numër shumë i vogël i votuesve që dolën në zgjedhjet e fundit) e ka miratuar planin e ish kryetarit finlandez Martti Ahtisaari. Në këtë plan rregullohet dhe vendoset për një mision ndërkombëtar evropian d.m.th. EULEX. Ju që jeni kundër veprimit të EULEX it në Kosovë jeni kundër normalizimit të gjendjes në Kosovë. Vini re, nuk them për këto apo ato 6 pikësha (sepse politikanët e mirëfilltë mund të thonë një gjë e të veprojnë ndryshe kur e do interesi i kombit), por për ekzistimin e EULEX it në Kosovë. Drejtësia e Kosovës është shumë e brishtë, këtë e dimë të gjithë. Po ashtu ne duhet ta kuptojmë se pa ndihmën e miqve tanë në rrethanat si të sotmet, ne kurrë nuk do mundeshim që ta rregullojmë situatën në Kosove. Populli i Kosovës po vuan dhe ka vuajtur. Sigurisht se gjithçka merr kohë, institucionet e tanishme kosovare nuk duhet fajësuar për çdo gjë. Mos hrroni, drejtuesit e institucioneve politike ndërrohen shumë lehtë. Nëse ato nuk e mbarojnë punën e vet ashtu si duhet dmth për të mirën e popullit, atëherë ne zgjedhjet e ardhshme (që sipas planit Ahtisaari duhet mbajtur së shpejti), votoni për dikë tjetër, apo angazhohu edhe vetë në politikë. Pse jo? Ne që kemi studiuar shkenca politike, që jemi të zgjedhur nga populli apo jemi aktivë të interesuar në politikë, nuk kemi monopol në qëndrime politike e miratime e ekzekutime të ligjeve. Partitë politike dhe liderët e tyre nuk janë të shenjtë. Partitë ndahen e ndërrohen, po ashtu edhe liderët partiakë e institucionalë në demokraci shumë lehtë mund të ndërrohen, sepse puna që e bëjnë apo se bëjnë, është më me rëndësi se sa kush është në krye të ndonjë partie apo institucioni. Para disa muajsh ne ishim kundër vendosjes se misionit evropian vetëm në zonat ku jetojnë shqiptarët e Kosovës dhe kjo u ndërrua, tash po vendoset EULEX i në tërë Kosovën. Ka vite me radhë që ne flasim e flasim për integrime në Evropë dhe ja tash përbërja dhe puna e EULEX it e shpejton këtë gjë. Janë 3 gjera që e sigurojnë Kosovën në rrugë të sigurt integrimi në UE (Union Evropian). 1. Përcjellja dhe implementimi i çdo pike nga raportet zhvillimore që Komisioni Evropian i lëshon çdo vjeshtë. Ikja nga përgjegjësia insitucionale dhe individuale, dhe mosmarrja seriozisht e këtyre raporteve e dëmton të tashmen e të ardhmen e Kosovës. Raportet e Komisionit Evropian përfshijnë çdo segment të një shoqërie demokratike. 2. Bashkëpunimi e bashkëkoordinimi i ngushtë me EULEX in, na jep vizën për integrime evropiane më të shpejta, 3. Forcimi vetanak i demokracisë dhe ekonomisë së Kosovës, mes tjerash duke i respektuar rregullat për mbajtjen e zgjedhjeve dhe mbajtjen korrekt te tyre, çrrënjosjen e familiarizmit e korrupsionit ëe arsim e në vende pune, blerjen e produkteve të prodhuara në Kosovë pa menduar në kualitetin (kjo nëse dëshironi që të krijohen vende të reja pune në Kosovë) etj, etj. Ju që jeni kundër bashkëveprimeve me aktorë tjerë që përfaqësojnë demokracinë e Evropës, SHBA ve etj., ju sigurisht se dëshironi të vetizoloheni dhe për një kohë të gjatë ta largoni Kosovën larg Brukselit e Uashingtonit. Ne që mendojmë ndryshe e dimë se duhet të gjejmë zgjedhje të përbashkëta për të mirën e shtetit të ri të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje apo organizata COHU, Lëvizja e Grave të Kosovës etj. dhe OJQ të tjera, sigurisht se iu garantohet e drejta me ligj që të protestojnë në mënyrë të qetë. Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk është opozitë politike, siç po e quajnë disa kosovarë, por lëvizje e atyre me mendime e qëndrime të ndryshme që duhet të merr përgjegjësi për veprimet e veta. Ata që janë opozitë politike janë partitë e sotme që nuk janë në qeveri dhe ata deputete të partive qeveritare që nuk pajtohen me çdo mendim të dy partive të mëdha, edhe pse vetë i përkasin asaj, gjë që duhet të jetë e pranueshme në çdo demokraci partiake. Po ashtu ka edhe zëra nga grupe militante në Kosovë që thonë se "deputetët e Kosovës në Parlament nuk e përfaqësojnë popullin" dhe thonë se kanë alternativa tjera. Demokracia, si në Kosovë që është një shtet i varur e më kushte, po ashtu edhe në shtete të vërteta që janë të pavarura, duhet të mbrohet në mënyra të ndryshme. Nëse e kërkon nevoja edhe me forcë. A dëshirojmë ligje të xhunglës (dmth anarki) apo dëshirojmë rregulla që duhet të vlejnë për të gjithë (dmth demokraci)? Nëse me të vërtetë dëshirojmë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht e politikisht ku ne, fëmijët tanë e gjeneratat e ardhshme të jetojnë në siguri e prosperitet e barazi me moshatarët tjerë të Evropës, duhet ta kuptojmë e pranojmë realitetin tonë, e ti respektojmë bazat e institucioneve tona, si dhe t'i qortojmë apo edhe ndërrojmë ata vendimmarrës politikë apo drejtues institucionesh, që nuk e kryejnë punën ashtu si thonë rregullat dhe si e do nevoja e popullit. Sigurisht në mënyrë demokratike - që është rruga e vetme e pranueshme. Mirë se vjen Evropë dhe ti fëmija i Evropës që quhesh EULEX. Ke qenë i mirëpritur!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›