E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini shpall platformën “Aleatët janë limona të shtrydhur”

08-04-2012 / Redaksionale

Imagjinoni një autobus të mbushur plot me njerëz që zihen dhe shahen, që ecën me 180 kilometra në orë në një rrugë të vetme, në një ditë me shi me një shofer pa eksperiencë, në efektin e lodhjes, afër një kthese të fortë. Sa mendoni që është mundësia e një aksidenti me pasoja të rënda? Reflektoni veç për një moment. Ngjan me autobusin e opozitës që Ramës duket se i ka dalë jashtë kontrollit, në mëshirë të fatit. Kreu i opozitës duket i pafuqishëm përballë sherreve të brendshme partiake dhe presioneve të jashtme të krerëve të partive të vogla. Këta të fundit janë të uritur dhe kërkojnë me ngulm një marrëveshje politike brenda opozitës, për të qenë të integruar në listën e sigurt elektorale të PS së Tiranës.
Afërmendsh është jashtë çdo mundësie reale që Rama t’u sigurojë deputetllëkun Gjinushit, Milos, Ndokës, Koçi, Dule e Ngjelës etj., ngase kjo do të thoshte më pak biznesmenë deputetë, e për rrjedhojë më pak vota pasi janë afaristët dhe biznesmenët që sigurojnë vota për Partinë Socialiste. Prandaj aleatë e vegjël të opozitës po mësyjnë besueshmërinë e kreut të opozitës, Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët për shtyp. Gjinushi i bëri thirrje Ramës të reflektojë për koalicionin ndryshe “do bëjmë koalicion jashtë PS-së me partitë të tjera të majta”. “Lidershipi i PS më problem ka si të neutralizojë aleatët sesa fitoren në zgjedhje, ose bërjen fitues të të majtëve, ashtu si disa në lidershipin e PS, urojnë humbjen e liderëve brenda PS sesa humbjen e kryeministrit”, u shpreh Gjinushi. Ndërsa Nard Ndoka kryetari i Partisë Demokristiane akuzoi Ramën se nuk di të bëjë koalicione. “PS e prishi marrëveshjen me aleatët, shohim ndryshim të kursit të Ramës i krijuar më tepër nga lufta e klaneve brenda asaj partie PS po hap hendek në bashkëpunimin me aleatët”.
Nuk zgjati as një orë nga deklarata e përbashkët, kur Rama reagoi në rrjetin social, Twitter, duke dashur të thotë se reagimi i tyre ishte i nxituar, “Keqardhje për reagimin në tym të aleatëve ndaj PS-së! PS mbron të njëjtën bindje me ta, por s’ka në dorë ta përmirësojë pa konsensus sistemin”. Kësisoj jo vetëm nuk ka një dalje zyrtare, me një konferencë për shtyp të një eksponenti të lartë të Partisë Socialiste, për të reaguar seriozisht, por me një fjali me 140 shkronja on-line Rama shkruan se Ndoka, Gjinushi, Milo e company janë në tym, që ngjan më shumë me një tallje cinike. Forma është jo serioze. E papërshtatshme për nga forma dhe “normale” nga përmbajtja.
përtej kësaj, afërmendsh Kodi aktual zgjedhor, i hartuar dhe i miratuar pas një marrëveshjeje PD-PS (por të ideuar nga Edi Rama me gjithë ndryshimet kushtetuese) ka qenë jo fort i favorshëm për partitë me ndikim modest elektoral. Kuptohet vetiu këto parti të vogla ose kanë mbetur jashtë parlamentit, ose përfaqësohen atje me kryetarin e tyre. Sidozot synimi dhe qëllimi i Ramës në vitin 2008 ka qenë neutralizimi elektoral i Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, e cila votohet nga qytetarë kryesisht me bindje të majta, dhe përbënte një problem për oreks e gjithëpushtetshëm të kryetarit të PS. 
Sido që të shkojë procesi i reformimit të kodit zgjedhor, një gjë e është e rëndësishme; dy partitë e mëdha i trajtojnë partitë e vogla aleate në mënyra të ndryshme. Po ta shikosh me vëmendje konstaton një fakt të pamohueshëm, që kreu i maxhorancës, kryeministri Berisha, ka pasur gjithmonë një raport luajal me aleatët e vegjël, çka dëshmohet dhe në ndarjen e pushtetit. Kurse Edi Rama, kreu i opozitës, ka një raport prej skuthi me aleatët e vegjël. Me skuthëri Rama jo vetëm i mban larg vendimmarrjes së “opozitës së bashkuar”, por i ka keqtrajtuar tinëzisht në forma të ndryshme. Gjatë agjendës konfliktuale 2 vjeçare, kur Rama e kishte lakun në fyt, partitë e vogla u thirrën haptazi nën armë prej kreut të PS-së. Dhe partitë e vogla dhanë kontributin e tyre nën armatën e opozitës socialiste. Mirëpo kur u përmbyll konsolidimi i Ramës brenda partisë me kauzën e “votës transparente”, dhe u shpall “kursi i ri” i bashkëpunimit për hir të integrimit në BE, jashtë loje dolën aleatët të konsideruar radikalë. Fakti që Milo, Ndoka, Gjinushi, Koci dhe Dule janë larguar nga tryeza e opozitës fakton papajtueshmërinë e Ramës me partitë e vogla aleate. Është thënë shumë herë, që Edi Rama është i pavëmendshëm në marrëdhëniet me aleatët, nënvleftëson kontaktet, i bën ato kur e ka litarin në fyt dhe nuk i sheh si një politikë të posaçme marrëdhënies të domosdoshme dhe të institucionalizuara. Deri më sot Rama i ka trajtuar aleatët si të ishin garnitura politike, thjesht aleatët e radhës për zgjedhjet e radhës, pa qenë partnerë seriozë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›