Edi Rama zhduk aleatët, s’i duhen më
Zbardhet loja politike e kreut të PS-së. Dyfytyrësia e zgjedhjeve vendore s’hyn më në punë, prandaj Edi Rama ka shpallur fushatën “të gjithë pushtetin për vete”. Aleatët e tradhtuar e kanë kuptuar me vonesë, megjithatë, dje ata shqiptuan ultimatumin e fundit për një marrëveshje parazgjedhore, përndryshe, ata do të shkëputen nga PS, “treni i së cilës s’ka të ardhme politike”
Reforma zgjedhore dhe mos marrja parasysh e kërkesës së partive të vogla për korrektim kombëtar të sistemit zgjedhor ka hedhur në sulm ndaj lidershipit socialist kryetarët e PSD, PDS, PDK, dhe PSV 91.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, të katër aleatët e majtë, kanë akuzuar drejtpërdrejte Edi Ramën, për prishje të marrëveshjes zgjedhore, duke u shprehur se po paralajmërohen zgjedhje të 2009-ës.
Gjatë fjalës së tij kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi u shpreh se reforma zgjedhore po degradon dhe kjo është përgjegjësi e plotë e Partisë Socialiste.
“Reforma zgjedhore po degradon. PS ka përgjegjësi për të garantuar reformë zgjedhore reale. E majta ndodhet në opozitë për shkak të qëndrimit të lidershipit dhe qëndrimit që mban me aleatët. Po paralajmërohen zgjedhjet e 2009-ës”, u shpreh Gjinushi.
Ndërsa për Paskal Milon, kreun e PDS-së, të dy partitë e mëdha po bashkëpunojnë për interesa të ngushta dhe kjo PS-së do t’i kushtojë shkurtim të trenit të saj.
“PS po bën të njëjtat gabime që e çuan në disfatë, nëse ecet kështu do ti kushtojë 2013-ta. Treni i PS-së jo vetëm nuk po zgjatet, por ka mundësi të shkurtohet. Nuk kërkojmë mandate si lëmoshë, por formulë bashkëpunimi si aleatë”, Milo.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe kreu i PSV ’91, Petro Koçi duke paralajmëruar se kodi aktual krijon krizë dhe kjo mund ta çojë PS-në, në udhë pa krye.
“Kodi krijon krizë, PS duhet të ketë kujdes nga zërat që e çojnë në udhë pa krye. Duhet të realizohet një frymë bashkëpunuese,PS t`i shtojë aleatët,jo t`i pakësojë”, është shprehur Koçi.
Ndërsa kreu PDK-së, Nard Ndoka ka qenë më i prerë në qëndrime, duke mos-përjashtuar një koalicion të mundshëm me PD-në. “PS po hap hendek në bashkëpunimin me aleatët. E prishi marrëveshjen për reformën zgjedhore, ndaj ka hapësira për koalicion edhe jashtë. Nuk përjashtojmë koalicion me PD-në”, tha ai duke kërcënuar direkt lidershipin e selisë rozë, Edi Rama për problemet që bashkëshoqërojnë koalicionin opozitar.
Reagimi i Ramës: Aleatët flasin në tym
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesocialistit, Edi Rama ndaj kërcënimeve të partive aleate lidhur me mos marrëveshjet e amendimit të Kodit Zgjedhor. Me një gjuhë vulgare dhe jashtë çdo konteksti të raporti reciprok mes PS-së dhe aleatëve, Edvini i quajti deklaratat e përfaqësuesve të partive të vogla si tym në ajër.
Përmes Twitterit, Rama tha se qëndrimi i aleatëve është i nxituar dhe akuzat janë të pabaza, pasi PS s’ka cenuar marrëveshjen me ta.
Sipas Ramës, PS mbron të njëjtën bindje me aleatët, por nuk ka në dorë përmirësimin e sistemit zgjedhor. “Keqardhje për reagimin në tym të aleatëve ndaj PS! PS mbron të njëjtën bindje me ta, por s’ka në dorë ta përmirësojë pa konsensus sistemin”, shkruan Rama në Twitter.
Duket qartë situata e nderë dhe komplekse që përshkon raportet mes kryesocialistit dhe aleatëve të tij politik.
Çarja e madhe është në prag dhe duket gjithnjë e më e mundshme platforma e grupimit politik të partive të vogla të majta, brenda spektrit opozitar. Kjo po që do të ishte një humbje ekstreme për lidershipin socialist dhe ngrehinën e tij që sot duket si “anije e braktisur në mes të oqeanit”.