E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Sezoni turistik - do ndërtohen 15 impiante për menaxhimin e ujërave të zeza

08-04-2012 / Gazeta 55

KRRTSH aprovon 5 projekte të rëndësishme
 
Në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë të drejtuar nga kryeministri i vendit Sali Berisha pas diskutimeve dhe detajimeve u votuan nga anëtarët e këshillit një sërë projektesh me rëndësi për zhvillimin dhe ekonominë e vendit.
Një projekt madhor siç e ka quajtur kryeministri është ndërtimi i impiantit për përpunimin e ujërave të zeza për Tiranën, të pozicionuara në Sharrë dhe Kashar, një investim i qeverisë japoneze me vlerë 90 milionë euro. Impianti do të shërbejë për pastrimin e të gjitha prurjeve të lumit të Lanës.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ndërtimi i disa hidrocentraleve në kaskadën e lumit Mat.
Kreu i qeverisë ka thënë se në këtë kaskadë do të ndërtohet një zinxhir hidrocentralesh të tjera duke e shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon.
Një tjetër projekt i rëndësishëm në sektorin energjetik është edhe ndërtimi i hidrocentralit në lumin Valbonë.
Ndërsa projekti tjetër me rëndësi jetike, siç e ka konsideruar kryeministri, jo vetëm për Vlorën por edhe për të gjithë jugun, është ndërtimi i parkut industrial të Vlorës i cili do të ketë një larmi funksionesh të harmonizuara siç është industria, tregtia, shërbimet dhe strehimi.
Gjatë mbledhjes së KRRTRSH, janë votuar edhe projekti për ndërtimin e një depozite hidrokarburesh në Porto Romano në Durrës. Një stacion i rëndësishëm pompimi për ngarkim shkarkimin e boteve të karburanteve. Ndërkohë që është shtyrë afati me 60 muaj të tjerë për Petroliferën e Vlorës, e kërkuar kjo nga kompania për të shtuar depozita të tjera. Këto projekte do të shqyrtohen dhe do të kalojnë për miratim brenda dy javësh.

Kryeministri Berisha: Qytetarët e Tiranës zhbllokuan veten nga bllokada të panevojshme
Kryeministri Sali Berisha, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KKT-së, u ndal gjerësisht dhe vlerësoi shumë të rëndësishme vendimet për ndërtimin e Impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në komunën Kashar të Tiranës, si dhe të ndërtimit Parkut Industrial i Vlorës, të cilin e vlerësoi si gjenerator të krijimit të mijëra vendeve të punës  për qytetarët.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu vendimet e paraqitura për ndërtimin e HEC-ve në Kukës dhe Martanesh, duke konkluduar se politika e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi te energjisë së rinovueshme në rajon po lëshon shtat çdo ditë e më shumë. Në fillim të mbledhjes, kryeministri kërkoi që të kalojnë për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit brenda një afati dy javor të gjitha materialet qe kanë mbetur pa shqyrtuar, menjëherë sapo të bëhen amendimet në VKM nga Ministria e Punëve Publike dhe Agjencia përkatëse.
Më pas mbledhja vijoi me diskutimin dhe miratimin e vendimeve të mëposhtme si, studim urbanistik pjesor leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin Hidrocentrali HEC, Valbonë, Komuna Margegaj Kukës; rehabilitimi dhe zgjerimi i fushës së grumbullimit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës, në Sharrë, Komuna Vaqarr, Qarku Tiranë dhe leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin Impjanti i trajtimit të ujërave të ndotura me sipërfaqe 530 798 m2, komuna Kashar, Qarku Tiranë. Ky projekt është investim i qeverisë japoneze me vlerë 90 milion euro. Realizimi i tij do të bëjë të mundur pastrimin në mënyrë përfundimtare të të gjitha prurjeve  e Lumit të Lanës, duke i dhënë një impakt të ri pastrimit të mjedisit në Tiranë.
Duke e vlerësuar këtë si investimin më të madh që bëhet në historinë e vendit për trajtimin e ujërave të zeza, Kryeministri u shpreh se, “ky është investimi më i madh që bëhet në historinë e vendit për trajtimin e ujërave të zeza, është një investim prej 90 milion euro, ndihmë bujare e qeverisë japoneze. Janë hapur procedurat e tenderit dhe fillon së shpejti. Kjo u bë e mundur pasi qytetaret e Tiranës mençurisht zhbllokuan veten e tyre nga bllokada të panevojshme, të dëmshme për ta. Ndërtimi i këtij impianti kompleton ndërtimin e impianteve të mëdha nga Velipoja në Ksamil. Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur që shumë shpejt ujërat e bregdetit shqiptar të jene ujerat e bregdetit më të pastra të brigjeve të Adriatikut, Jonit dhe Mesdheut në tërësi. Me 14 impiante dhe ky është i 15 që ndërtohen në të gjithë zonën parabregdetare dhe bregdetare bëhet e mundur realizmi i treguesve më të pastër të ujërave të brigjeve tona. Ndërkohë, siç dihet Pogradeci është  impianti i dytë i përpunimit të ujerave të zeza që është ndërtuar në vend, po ndërtohet për Shkodrën dhe liqenin dhe shumë shpejt ne vendosim në Shqipëri ndër standardet më të mira të ndotjes së ujërave, standarde këto jetike për parandalimin e një serie të gjerë sëmundjesh”, u shpreh Berisha.
Duke e shpallur mbrojtjen e mjedisit si prioritet kombëtar, Berisha tha se të dhënat e publikuara nga universitetet amerikane, faktojnë se 40 për qind e vdekjeve të njeriut janë rezultat direkt i ndotjeve të ambientit.
“Ndaj dhe gjej një rast për të falënderuar edhe njëherë të gjitha NGO dhe shoqërinë civile që është aq vibrante në çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe ka dhënë një ndihmesë të veçante në rritjen, në ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Natyrisht  nuancat antiglobaliste që marrin ndonjëherë segmente të caktuara të kësaj shoqërie dëmtojnë misionin e madh që ka kjo shoqëri në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit dhe garantimin e standardeve më të mira të kësaj mbrojtje. Ndaj dhe duke falënderuar se pari qeverinë japoneze dhe të gjithë ekipin e Ministrisë së Punëve Publike, të Bashkisë së Tiranës, komunës Kashar për procedimin me shpejtësi për ndërtimin e këtij objekti shumë të rëndësishëm për pastërtinë e ujërave të vendit, ftoj anëtaret e Këshillit Kombëtar të Territorit ta vlerësojnë”, tha kryeministri.

Vendimet e marra dje nga e KKRRTSH

HEC-e të tjera në Kaskadën e Matit
“Leje ndërtimi për Hidrocentralin e Martaneshit Likonë-Thekër-Lene- Bulqizë me sipërfaqe sheshi 12 800 m2, Komuna Martanesh, Qarku Dibër”.
Lidhur me këtë vendim, kryeministri Berisha u shpreh se tashmë politika e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi te energjisë së rinovueshme në rajon, po konkretizohet çdo ditë  e më tepër.
Sipas tij, në kaskadën e Matit do të ndërtohen një numër HEC-esh, krahas Ulëzës dhe Shkopetit që aktualisht janë në funksion të plotë. Kryeministri tha se këto vendime janë në vijim të politikave të qeverisë, për shndërrimin e Shqipërisë në superfuqi të energjisë së rinovueshme. “Kaskada e Matit është një nga kaskadat jo më të fuqishme, por ndër më të mirat dhe parashikohet të ndërtohet një zinxhir i tërë HEC-sh përveç këtyre të dyve që janë Ulëza dhe Shkopeti të cilët shumëfishojën prodhimin e energjisë nga ky lumë që ka një basen ujërash te pasura, nuk është shumë i madh si basen, por me burime të shumta. Politika e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi te energjisë së rinovueshme në rajon po lëshon shtat çdo kohë e më shumë. Unë dje isha në Turqi dhe takova përfaqësuesit e kompanisë së madhe turke të energjisë që kanë HEC e Fanit, një nga projektet e mrekullueshme që bashkon në një tunel ujërat e Fanit të Vogël me të Fanit të Madh dhe që fillimi i tunelit fillon ndërtimin në një hark të shkurtër kohor brenda pak javësh”, tha kryeministri.

Depozitimi i hidrokarbureve në Porto Romano dhe Studim urbanistik pjesor për Parkun Industrial Vlorë
Leje sheshi dhe leje ndërtimi për objektin Depozitat Bregdetare Hidrokarbure (benzinë, gazoil dhe solar) me sipërfaqe 7000 m2 dhe kapacitet 12200 m3, në fshatin Rinia Porto Romano, komuna Katund i Ri, qarku Durrës, si dhe Studim urbanistik pjesor Parku Industrial Vlorë me sipërfaqe 12434 ha, fusha e Jallisë, Nartë, Vlorë, ishin vendimet e radhës të KKRRTRSH-së. Duke përgëzuar biznesmenët dhe industrialistët e Vlorës për iniciativën e tyre, kryeministri e vlerësoi këtë projekt të një rëndësie të jashtëzakonshme, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por për të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe Shqipërinë në tërësi. Kryeministri tha se Parku i Vlorës do të rrisë në mënyrë cilësore potencialin dhe peshën e Vlorës në prodhimin e brendshëm të vendit. Duke komentuar mbi këtë vendim, kryeministri vlerësoi iniciativën e biznesmenëve dhe industrialistëve të Vlorës në projektimin e një parku jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por për të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe Shqipërinë në tërësi. “Është një model që shpresoj të frymëzoje biznesmenët, industrialistët e qyteteve të tjera të vendit pasi punësimi i qytetarëve, prodhimi dhe rritja e tij janë dhe mbeten dy objektivat më kryesore në zhvillimin e një vendi. Parku industrial i Vlorës do të jetë një gjenerator që krijon mijëra dhe mijëra vende pune, rrit në mënyrë cilësore potencialin dhe peshën e Vlorës në prodhimin e brendshëm të vendit, i shtohet kapaciteteve ekzistuese. Ju e dini që këtë vit ka një debat të gjatë për të shpallur Vlorën, Gjirin më të bukur të Mesdheut. Ne e duam boll këtë vend, por problemi është se  nganjëherë duhet të marrim frymëzim nga të tjerët, në vend që ti frymëzojmë ne ata. Por në këtë botë globale pranohen të gjitha. Ndaj dhe u përgëzoj për këtë projekt të mrekullueshëm, uroj që të fillojmë sa më shpejt dhe ju garantoj se qeveria do tu mbështesë ju në të gjithë ndërtimin e një infrastrukture të merituar”.
Terminali bregdetar për depozitimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në Gjirin e Vlorës
Lidhur me këtë vendim, kryeministri tha se, “Kompania Petrolifera ka bërë një investim të shkëlqyer dhe ka vendosur një standard ndër më të mirët në administrimin e naftës dhe gazit dhe marrëveshja me qeverinë është rezultat i negociatave serioze që janë bërë me këtë kompani. Unë ju ftoj ju të zgjasim afatin edhe disa keqkuptime nga ana e kompanive të importit të hidrokarbureve kanë ekzistuar”. “Kompania ka qenë gjithnjë e hapur që ato të investojnë kundrejt rregullave të qarta ose të autorizojnë kompaninë për të shtuar depozitat kundrejt rregullave të qarta tregtare. Gradualisht këto koncepte po kristalizohen edhe në qëndrimet  e kompanive të tjera, prandaj është e nevojshme të japim edhe një afat të ri, një afat 60 mujor për investime, natyrisht në përputhje me kërkesat e tregut, sepse investime jashtë kërkesave të tregut do te jetë e pakëshillueshme”, tha ai.

Leje ndërtimi për depozitat bregdetare import-export të nënprodukteve të naftës në zonën energjetike dhe Industriale të Porto Romanos Durrës
“Ajo që është specifike në depozitat e naftës, gazit dhe solarit është se këto ndërtohen me konsensus të plotë të qeverisë dhe të opozitës. Për faktin se kryetari i opozitës vuan nga fobia e HEC-ve ndaj dhe ju lutem shumë, sidomos atij të HEC të Martaneshit, të ma nxjerre njëherë në Kaptinë të Martaneshit për ta inauguruar që ti dalë pak nga pak, frika nga koncesionet dhe HEC-t, pasi do të ketë një seri inaugurimesh tani. Ky është një investim shumë i mirë që rrit kapacitetet e portit energjetik, i cili po bëhet gjithnjë e më i njohur dhe do të shndërrohet në një port të vërtetë rajonal”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›