E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini s’po gjen forum për Mimi Kodhelin - tani e kthen në rolin e drejtueses grua

Dy anëtaret e kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli dhe Lindita Nikolli janë ndër kandidaturat më të përfolura për të drejtuar Forumin e Grave Socialiste, i cili prej më shumë se një viti e gjysmë është pa kryetare. Ky është edhe forumi i vetëm i partisë ku Edi Rama nuk ka bërë akoma ndryshimin pas ardhjes së tij dhe pas dorëheqjes së Majlinda Ketës. Prej disa javësh strukturat e këtij forumit janë përfshirë nga zgjedhjet për të zgjedhur drejtueset e FGS-së në bazë dhe që do të marrë fund me zgjedhjen e kryetares së Forumit të Gruas Socialiste. Vendimi për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve është marrë qysh në muajin shtator të vitit të shkuar, proces që duhet të merrte fund në muajin nëntor, por ai ka zgjatur më shumë nga çfarë është parashikuar. Burime nga Partia Socialiste konfirmojnë se dy anëtarët e kryesisë janë ndër kandidaturat më të përfolura, por ato ende nuk janë zyrtare. Që të dyja kandidaturat, përveçse anëtarë kryesie kanë njëkohësisht edhe poste të tjerë drejtuese. Nikolli është kryetare e minibashkisë numër, pra si e zgjedhur vendore, ndërsa Kodheli është edhe zëdhënëse e kryesisë së partisë Socialiste që prej shtatorit të vitit të shkuar. Për këtë post, më parë janë përfolur edhe kandidaturat e Ledi Shamkut kryetares së Komisionit për Çështjet e Arsimit pranë Asamblesë Kombëtare të PS si dhe emri i Ermelinda Meksit, deputete po me një eksperiencë të gjatë në këtë parti dhe ne qeverisjen socialiste përgjatë tetë viteve kur ishte në pushtet. Gjithsesi javët në vijim do të japin një ide më të qartë se kush do të jenë kandidaturat. Ashtu si të gjitha rrethet e tjera edhe Tirana është përfshirë ne procesin zgjedhor. Të njëjtat burime saktësojnë se të paktën për kryeqytetin nuk do të ketë një kryetare, por një koordinatore, ndërsa mbetet për t’u saktësuar nëse kështu do të quhen edhe drejtueset e forumeve të grave edhe në degët e tjera. Prej më shumë se një viti Forumi i Gruas Socialste nuk ka një drejtuese zyrtare të tij, pasi Majlinda Keta dha dorëheqjen. Që atëherë edhe pse kryetari i PS-së ka pasur tentativa për të zhvilluar zgjedhjet ka ndeshur herë pas herë në kundërshtimet që i vinin prej sekretares së përgjithshme të këtij Forumi, Natasha Paço. Sipas Paços, kryetari i PS-së po mundohej që të kontrollonte këtë forum duke humbur identitetin. Për të njëjtat arsye u largua edhe Keta nga drejtimi i këtij forumi. Përplasjet mes saj dhe kryetarit Rama nisën qysh kur ai mori në dorë drejtimin e partisë në tetor të 2005, por shënuan kulmin pas Kongresit të dhjetë qershorit në vitit 2006, ku Ketës iu mohua edhe e drejta e fjalës në këtë kongres. Në këtë kongres u bënë ndryshime të rëndësishme në statutin e partisë ku prekej edhe FGS-ja dhe FRESSH. Pothuajse të njëjtin fat pësoi edhe Forumi i të Rinjve të PS-së. Edhe ish-kreu i këtij Forumi u detyrua që të lërë drejtimin pasi Rama i parapriu me një tjetër kongres përmes të cili kryetare u zgjodh Megi Ajtyresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›