Të vegjlit, pa propozime të qarta për sistemin elektoral që do të mbrojnë në debatin parlamentar
Partitë e vogla të mbledhura dje rishtazi ashtu sic edhe paralajmëruan pak ditë më parë, deklaruan në bllok se do të kundërshtojnë dhe bllokojnë ç’do iniciativë ligjore që do të sillet në Kuvend nga socialistët dhe Demokratët, pa pëlqimin e tyre. Duke u mbledhur dje në një tryezë të përbashkët 10 partitë e vogla hartuan një deklaratë ku kundërshtojnë me forcë projektin për një sistem zgjedhor proporcional rajonal dhe duke mbështetur më tepër një sistem proporcional të personalizuar i ngjashëm me sistemin elektoral gjerman. Gjithashtu të vegjlit kanë parashtruar të tjera pika, si listat e hapura mos prekja e pragut elektoral dhe barazpeshimi 70 me 70 i mandateve mazhoritare dhe atyre proporcionale. “Duam një demokraci të avancuar e funksionale si në vendet e BE, apo një demokraci si e PD dhe PS-së ? Kjo mbetet pikëpyetja”, deklaroi deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ndërsa nga ana tjetër, PR e ka vlerësuar nismën e partive të vogla si një mesazh të qartë bashkëpunimi. “Ky është një mesazh i qartë bashkëpunimi për një reformë sa më të suksesshme”, deklaroi Madhi. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, vuri në dukje se “është harxhuar kohë e panevojshme dhe një debat mediatik lidhur me qëndrimin që kanë parti të ndryshme politike për Kodin Zgjedhor”. “Është anashkaluar veprimtaria e komisionit zgjedhor si institucioni i miratuar nga Kuvendi për të sjellë një produkt. Ky nuk është një alarm që ne japim, dhe as një takim nëpërmjet të cilit kërkojmë të imponojmë qëndrimet tona, por ky është sinjal i një bashkëpunimi të plotë për të arritur një reformë të suksesshme”, tha ai. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, vuri në dukje se “për sa i takon sistemit zgjedhor, shqetësimi dhe problemi është që ai duhet të jetë produkt i konsensusit dhe i komisioneve institucionale, ndaj dhe çdo zgjidhje duhet të jepet në rrugë konsensuale dhe institucionale”. Në këtë linjë qëndroi edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, sipas së cilit, “asnjë sistem nuk do të mund të na garantojë se pa nisma të plota, të sakta dhe të pakontestuara zgjedhore nuk do të kemi të njëjtat probleme”. “Asnjë sistem zgjedhor, cilido qoftë ai, nuk do të na garantojë se pa karta identiteti nuk do të kemi të njëjtat probleme, asnjë sistem zgjedhor, cilido qoftë ai, nuk na garanton ne se po të kemi komisione të cilat mbizotërohen nga PS dhe PD nuk do të abuzohet me votat, siç është abuzuar deri më sot”, vuri në dukje Dule. Ndërsa Kreu i Partisë Aleanca Demokratike ftoi dy partitë më të mëdha në vend, PS-PD, që të vazhdojnë dialogun brenda institucioneve të caktuara për reformën zgjedhore. Partitë e mëdha duhet “të vazhdojnë dialogun për reformën zgjedhore në institucione të caktuara për këtë qëllim nga Kuvendi i Shqipërisë, siç është pikërisht komisioni i posaçëm parlamentar”, theksoi Ceka. Ai vuri në dukje se u kërkua që në thelb të reformës elektorale të jetë vota e lirë dhe e ndershme, që në Shqipëri të numërohet në mënyrë korrekte vota e popullit shqiptar, dhe këto vota të pasqyrohen në parlament, me numrin e deputetëve për të cilët ka votuar populli, në mënyrë që çdo qytetar të njohë në parlamentin shqiptarë deputetin të cilit i ka besuar votën. Partitë e vogla do të kërkojnë ditën e hënë mbledhjen e komisionit parlamentar. “Së shpejti do të keni edhe deklaratën e firmosur nga të gjitha partitë politike pjesëmarrëse sipas diskutimit që u bë mbi draftin e paraqitur nga Aleanca Demokratike”, deklaroi Ceka. Në përfundim të tryezës, përfaqësuesit e partive të vogla parlamentare dolën në përfundimin e përbashkët duke reaguar ndaj mënyrës sesi po e administrojnë dy partitë e mëdha procesin e reformës zgjedhore. Në këtë drejtim, ata kërkuan që diskutimi për reformën zgjedhore të kthehet në rrugën institucionale.
Leonard Quku