E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: “Do t’i rikthejmë Tiranës piramidën e okupuar”

700 mln lekë dhe 16 muaj afat për transformimin e Piramidës në një kryeqendër kulture. Një teatër modern europian me 500 vende dhe një galeri artesh brenda Piramidës
“Ky është një rikthim i mjediseve të marra publikut kryeqytetas, në vazhdim të iniciativës për rikthimin te publiku të institucioneve të kulturës të okupuara nga privatët gjatë viteve të tranzicionit”, - kështu është shprehur ministri Pango ditën e djeshme, në konferencën për shtyp të mbajtur me rastin e rikonstruksionit të Piramidës. Tashmë konkursi për firmat që do të kryejnë punimet ka përfunduar dhe janë shpallur fituesit. Investimi që do të bëhet për Piramidën kap shifrën e 700 milionë lekëve të reja dhe ka një afat-zbatim prej 16 muajsh. Brenda piramidës do të ngrihen dy institucione të rëndësishme kombëtare artistike siç janë Teatri i Madh Dramatik dhe Qendra e Arteve Pamore. Në konkurs kanë shfaqur interes 14 kompani të huaja dhe shqiptare për të ngritur një teatër modern europian prej 500 vendesh, një galeri artesh dhe anekse të tjera të kulturës së aplikuar, ndërsa projekti për të ndërtuar qendrën kulturore është fituar nga një firmë belge "Louis Berger". QNK-ja shtrihet në një territor prej 4000 m2 ndërsa gjurma e saj zë 1900 m2 të këtij territori. Deri sot, piramida ka funksionuar në dy linja, siç janë ajo e organizimit nga QNK-ja të panaireve të ndryshme tregtare, shfaqjeve muzikore, ekspozitave të arteve pamore, shfaqjeve të filmave si edhe dhënia e ambienteve me qira (rreth 80% e tyre). Kanali televiziv “Top Chanel” ka pasur pjesën më të madhe të objektit me hyrje nga rruga “Lekë Dukagjini”, bar-kafe “Mumja” ka rreth 300 metra katrore sipërfaqe, po ashtu edhe zyra të ndryshme etj. Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes gjatë gjithë kësaj kohe, të administrimit joefektiv dhe dëmtimeve të sjella nga qiramarrësit, objekti sot ndodhet në një gjendje mjaft të rënduar fizike që domosdoshmërisht kërkon ndërhyrje rikonstruktive. Të gjitha sipërfaqet e pjerrëta të fasadave të vazhduara janë të dëmtuara duke bërë lehtësisht të penetrueshëm ujin e reshjeve dhe për pasojë dëmtime në rifinitura.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›