E Diel, 1 Nëntor 2026

“Princi i trishtuar”, fëmijët që nuk dëgjojnë sjellin shfaqjen në Tiranë

Më 28 dhe 29 shkurt, pranë teatrit “Black Box” të Akademisë së Arteve të Bukura në kryeqytet, do të zhvillohet një shfaqje teatrale në të cilën fëmijët e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë të Tiranës do të recitojnë në shfaqjen “Princi i trishtuar” një tekst të frymëzuar nga një përrallë e shkrimtarit italian Tommaso Landolfi. Shfaqja është fryt i bashkëpunimit mes Institutit Italian të Kulturës dhe organizatës joqeveritare “Magis” të Romës. Ky aktivitet përfshihet në projektin “Rekuperimi i handikapit të dëgjimit te fëmijët shqiptarë që nuk dëgjojnë”, nisur me sukses nga OJQ-ja “MAGIS” në vitin 2005. Aktiviteti i parë i laboratorit teatral, me 21 fëmijë që nuk dëgjojnë dhe me 9 bashkëmoshatarë pa probleme dëgjimi, është mbyllur me spektaklin “Sogno di una notte di mezza estate”, shfaqur në qytete të ndryshme shqiptare e italiane dhe ndjekur nga mijëra nxënës. Në vitin 2006, aktiviteti i dytë i laboratorit teatral ka përfshirë fëmijë më të vegjël, të gjithë me probleme dëgjimi. Ata kanë realizuar spektaklin “Storie tra due rive” bazuar në një përrallë shqiptare dhe një italiane. Laboratori teatral është përcaktuar si një mjet edukativ i mahnitshëm sepse nga njëra anë ka favorizuar integrimin e fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe nga ana tjetër ka sensibilizuar të rinjtë me dëgjim normal përsa i përket problemit social të handikapit të fëmijëve. Falë mbështetjes së Bashkisë së Romës (Zyra e Handikapit) dhe të Cooperazione Italiana allo Sviluppo, fëmijët e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë të Tiranës do të recitojnë edhe këtë vit nën regjinë e Tiziana Scroça-s. Spektakli mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›