E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension në Elbasan, deputeti shan presidentin

Dash Frashëri

Ajo që ndodhi në Elbasan pas eliminimit të Shkumbinit nga Kupa e Shqipërisë ishte e denjë për rubrikën “Pa koment”. Akte dhune verbale midis ultrasve të tifozerive fqinje, teksa në fushë u desh edhe ndërhyrja e policisë (disa edhe me qen) për të mos lejuar degjenerimin e situatës. Sharjet në nivel të lartë në tribunën VIP të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” krijuan një atmosferë “lufte”, ku protagonist absolut ishte një nga donatorët e skuadrës së Shkumbinit, deputeti Dashnor Sula, i cili i revoltuar dhe i hidhëruar nuk i kurseu në nxehje e sipër fyerjet në adresë të presidentit të verdhebluve, Arben Laze. Edhe jashtë stadiumit skenat ishin të njëjta, por policia e vendosi gjendjen nën kontroll.
E tensionuar përpara se të niste nga deklaratat e presidentit të Elbasanit,Laze: “Do ta shkrij ekipin nëse Elbasani nuk kualifikohet” dha efektin e saj te lojtarët, të cilët me gjestet e tyre në fushë nxitën pa dashur edhe tifozerinë në shkallët e stadiumit.
NDESHJA
Emocione të jashtëzakonshme në “Ruzhdi Bizhuta” në fitoren madhështore 3-0 të Elbasanit në 120 minuta lojë, që solli edhe përmbysjen e madhe të verdhebluve të Krenar Alimehmetit (doli me karton të kuq) ndaj Shkumbinit, që jo vetëm kishte fituar dy javë më parë 2-0 në Peqin, por edhe që kishte mposhtur dy herë rresht brenda 10 ditëve 2 herë fituesit e Kupës së Shqipërisë. Një stadium entuziast (rreth 6 mijë shikues, 2 mijë nga Peqini) dhe të paralajmëruar nga presidenti Arben Laze për përjashtim të lojtarëve titullarë, në prani të forcave të shumta policore (rreth 300 punonjës të rendit) takimi pati një ritëm të lartë e grintë nga lojtarët e dy kampeve, ku jo të pakta ishin ndërhyrjet e parregullta, të nxitura këto edhe nga presioni i dy tifozerive në një ditë “ekstaze”, të cilat nuk kursyen as gjyqtarin e takimit Sokol Çekaj. Golat e mesfushorit Endri Dalipi (31’) e në të dytën të sulmuesit Ardian Nuhiu (75’) vendosën ekulibrat në 90 minutat e rregullta (2-2) për ta zgjidhur dilemën në 30 minutat e kohës shtesë, për t’i lënë radhën mbrojtësit maqedonas Nikola Karçev për të sigluar golin e tretë në minutën e 108-të e për ta çuar Elbasanin për herë të 30-të në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë me synimin fitimin e Kupës së tretë të Shqipërisë, që i mungon që nga viti 1992. Elbasani do të përballet në turin çerekfinal me Teutën, tri herë fituese e Kupës së Shqipërisë (e fundit në vitin 2005).

Tetë çerekfinalistet

Kupa e Shqipërisë ka njohur tetë skuadrat çerekfinaliste të saj. Tirana, Dinamo, Partizani, Elbasani, Vllaznia, Teuta, Besa dhe Kastrioti janë skuadrat që do të luftojnë për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.

Box:
Goli i transfertës

Blutë barazuan 3-3 me Apoloninë në ndeshjen e kthimit. Ajo që ndihmoi dinamovitët e drejtuar tashmë nga Ilir Daja ishte goli i shënuar në Fier në ndeshjen e parë. Për Dinamon shënuan në këtë ndeshje Poçi, Diop dhe Pollozhani, ndërsa për Apoloninë autorët e golave ishin Gërxho, Xhunior dhe Meto.

Box:
Asnjë problem

Besa kaloi me lehtësi 2-0 Luftëtarin me golat e Roshit e Xhihanit, ndërsa kishte barazuar në takimin e parë 1-1. Teuta nuk është lëkundur ndaj Turbinës, duke shënuar katër herë në portën e cërrikasve, ndërsa surpriza mund të quhet Kastrioti, i cili, pas fitores 1-0 në shtëpi, nxori nga gara Flamurtarin.

Tirana, formalitet dhe çerekfinale

Tirana nuk e pati aspak të vështirë kalimin në tetë më të mirat e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë duke arritur një fitore 3-1 me Laçin (takimi i parë: 1-1). Gjithsesi, emocionet në “Selman Stërmasi” nuk munguan edhe falë përpjekjeve të Laçit, që arriti të shënojë një gol me anë të Shazivarit (17’), vetëm tri minuta pasi goleadori më i mirë në historinë e bardhebluve, Indrit Fortuzi, kishte realizuar në minutën e 14-të. Sulmuesi vlonjat Daniel Xhafaj në të 19’ e kaloi sërish në avantazh
Tiranën për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-1. Në fraksionin e dytë për të qetësuar trajnerin Sulejman Starova mendoi mesfushori i Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, i cili shënoi golin e sigurisë në minutën e 50-të. Tirana, 13 herë fituese e Kupës së Shqipërisë (29 herë në çerekfinale), do të përballet në turin e tretë me Kastriotin, që nga ana e tij eliminoi Flamurtarin (1-0, 1-1) në fushën asnjanëse “Tofik Jashari” në Shijak.

“Demat”, stërvitje me Skënderbeun

Partizani zhvilloi një ndeshje stërvitore me Skënderbeun duke fituar me formacionin e ri korçar me rezultatin e thellë 5-0. Edhe pse takimi i parë në Korçë përfundoi 1-0 për skuadrën e Renato Rrapos, askush nuk besonte në kualifikimin e “ujqërve të dëborës”. Takimi, i filluar me 15 minuta vonesë për shkak se skuadrat kishin fanella të ngjashme (mbizotëronte e kuqja), u mbyll qysh në pjesën e parë, kur Arbër Abiliaj (5’), Tefik Osmani (28’) dhe Elis Bakaj (43’) fiksuan shifrat 3-0 në një “Qemal Stafa” krejt të zbrazët. 45-minutëshi i dytë dhuroi edhe dy gola të tjerë për skuadrën e Hasan Likës: Elis Bakaj realizoi në të 57’, ndërsa zëvendësuesi Enco Malindi firmosi rezultatin 5-0 në minutën e 89-të. Rekordmeni i fitimit të Kupës së Shqipërisë (15 të tilla) do të përballet në çerekfinale në një sfidë shumë intriguese me kryesuesit e kampionatit, Dinamon, (13 herë fituese).

KUPA E SHQIPËRISË

TURI I DYTË
Tirana-Laçi 3-1
1-0 14’ Fortuzi
2-0 17’ Shazivari
3-0 19’ D. Xhafaj
4-0 50’ Hyka
Kualifikohet Tirana

Besa-Luftëtari 2-0
1-0 4’ Roshi
2-0 61’ Xhihani

Partizani-Skënderbeu 5-0
1-0 5’ Abilaliaj
2-0 28’ Osmani
3-0 43’ Bakaj
4-0 57’ Bakaj
5-0 89’ Malindi

Elbasani-Shkumbini 3-0
1-0 31’ E. Dalipi
2-0 75’ Ard.Nuhiu
3-0 109’ Karcev

Dinamo-Apolonia 3-3
1-0 16’ Poçi
2-0 21’ Diop
2-1 66’ Gerxho
2-2 76’ Zhunior
3-2 88’ Pollozhani
3-3 90’ Meto

Kastrioti-Flamurtari 1-0
1-0 45’ Abazaj

Teuta-Turbina 4-0
1-0 45’ Gega
2-0 57’ Kote
3-0 85’ Ahmeti
4-0 89’ Mile

Vllaznia-Besëlidhja 0-0

Çerekfinalet
5 dhe 19 mars 2008

1.Kastrioti-Tirana
2.Elbasani-Teuta
3.Besa-Vllaznia
4.Dinamo-Partizani

Lorik Cana midis Romës dhe Evertonit

Mediat franceze, të cilave u referohet calciofrance.com, bënë të ditur se Roma është e interesuar shumë fort për të siguruar shërbimet e shqiptarit Lorik Cana (24 vjeç), kapiten i Olimpikut të Marsejës. Mesfushori, titullar i padiskutueshëm i ekipit kombëtar shqiptar, ndiqet edhe nga Evertoni në Angli, që ofroi sipas mediave britanike 5 milionë stërlina (rreth 10 milionë dollarë). Cana, i lindur në Kosovë në vitin 1983, u largua më pas në Zvicër, ku debuton me Lozanë Sport, përpara se të bashkohej me Paris Sën Zhermenin në Francë. Në vitin 2005, Cana bëhet pjesë e Olimpikut të Marsejës, me të cilën ka një kontratë deri në vitin 2012 dhe është shndërruar në idhull të tifozerisë. Përveç Romës dhe Evertonit, edhe Bajerni i Munihut ka treguar interes për lojtarin shqiptar me çmimin më të shtrenjtë në treg, 13 milionë euro sipas transfertmarkt.de. Faqja online e gazetës angleze “Daily Mail” publikoi përveç lajmit të interesimit të bosit të Evertonit, Devid Mojes, edhe një video me një ndeshje të Lorik Canës.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›