E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektet kuruese të frutave dhe mënyrat e përdorimit të tyre...

TIRANE - Mjekimet me fruta: Janë mënyra shumë të efektshme, të përdorimit sistematik dhe për një kohë relativisht të gjatë të frutave, për përforcimin e shëndetit dhe për luftimin e sëmundjeve të ndryshme. Mjekimet me fruta (frutoterapitë) janë mjaft të njohura nga populli ynë dhe përdoren gjerësisht në praktikë. Mjekimet me fruta bëhen duke konsumuar çdo ditë nga gjysmë deri 2-3 kg fruta dhe duke e vazhduar këtë për 10-20 e më shumë ditë. Gjatë zhvillimit të kurës, pastrohet organizmi nga helmet dhe kripërat e panevojshme që grumbullohen nëpër kyçe dhe që shkaktojnë dhimbje. Ulet sasia e dhjamit, i cili e rëndon trupin. Në kohën e frutoterapisë ushqimi tjetër duhet të jetë i lehtë, i çliruar nga mishrat, dhjamërat dhe brumërat, i mjaftueshëm në sasi, duke parapëlqyer sallatat dhe supat me barishte të pasura në vitamina dhe kripëra minerale. Praktika tregon se kurat me fruta janë shumë të dobishme edhe për luftimin e sëmundjeve të ndryshme. Të efektshme janë rezultatet e kurimit me arra, me lajthi, ose me bajame për përforcimin e organizmit të dobësuar dhe për rivendosjen e shëndetit me gështenja; me ftonj, me thana ose me vadhëza kundër diarresë (jashtëqitjes) e dizenterisë; me rrush, me limon ose me dredhëza kundër reumatizmit dhe artritit; me hurma, me manaferra, me mandarina e me vishnje kundër anemisë; me kumbullat gjatore, me lajthi e me vaj kundër sëmundjeve të mëlçisë; me mollë kundër sëmundjeve të zemrës; me portokalle e qershi kundër sëmundjeve të veshkave.
1. Pjeshka
Për qëllime mjekësore përdoren gjethet, lulet, frutat dhe farat e pjeshkës. Të gjitha pjesët e bimës kanë shije të hidhur, sepse përmbajnë acid cianhidrik dhe duhet kujdes i posaçëm. Frutat përdoren të freskëta dhe të përpunuara. Ato kanë vlera të larta ushqyese e kuruese; përmbajnë rreth 10 për qind sheqerna, acide organike, pektinë, vitaminë C dhe R me shumicë, sasi të pakta provitaminë A, vitaminë B1, B2, PP, kripëra minerale, lëndë aromatike etj. Pjeshka këshillohet të përdoret gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë sepse ndikon në krijimin e një lëkure të shëndetshme të fëmijës dhe në zhvillimin e tij. Lulet e pjeshkës kanë veti tonike dhe rrudhëse dhe përdoren në formë çaji. Lulet e thara e të kthyera në formë pluhuri rekomandohen kundër kolitit, dhimbjeve të barkut, rrjedhjes së të bardhave, kundër hemorragjive dhe komoroideve. Gjithashtu, në formë gargare përdoren për kurimin e bajameve dhe mishrave të dhëmbëve që janë acaruar. Lëngu i frutave (i thelpinjve) të pjeshkës, me pamjen e qumështit, është përdorur prej kohësh kundër sëmundjeve të zorrëve dhe të stomakut.
2. Shega
Në mjekësinë popullore përdoren frutat dhe lëvozhgat e tyre, lulet, farat, rrënjët dhe lëvorja e degëve dhe e rrënjëve, e cila ka shije të athët dhe erë. Shega me farat e saj të kuqe si rubin është një frut i shijshëm, por edhe shumë i vlefshëm për organizmin e njeriut. Ajo është konsideruar si frut i fertilitetit. Lëngu i shegës përmban mesatarisht 12 për qind sheqer, acide organike, pektinë, vitaminë C etj. Lëngu dhe vaji i nxjerrë nga farat e shegës është një antioksidant i fuqishëm. Vetëm 30 minuta pas marrjes së lëngut të shegës aktiviteti ynë rritet me 32 për qind. Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe përmirëson tretjen e ushqimeve. Ai përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit. Lëngu i shegës jep rezultate në luftimin e parazitëve që zhvillohen në zorrë. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara të gojës, kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.
3. Molla
Për qëllime mjekësore përdoren frutat e mollës dhe gjethet. Frutat përmbajnë rreth 15 për qind sheqerna, acide organike e sidomos acid malik, janë të pasura në karotinë (provitaminë A), me vitamina B1, C, E, P, B2, PP, të cilat ndodhen nën lëkurë. Farat e mollës përmbajnë albumina dhe yndyrë. Molla si frut ka veti freskuese, qetësuese dhe zbutëse. Çaji i përgatitur me mollë të ziera pakëson etjen, zbut acarimin e laringut. Ky çaj përdoret për të zbutur e për të pakësuar të kolliturit, kundër zënies së zërit, lehtëson dhimbjet e grykës dhe acarimet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të vetë mushkërive. Çaji i mollës ndihmon për funksionimin e mirë të veshkave dhe të fshikëzës urinare; ai përdoret kundër infeksioneve të këtyre organeve. Mollët rekomandohen të përdoren nga njerëzit me sëmundje nervore, të cilat shoqërohen me pagjumësi. Ato përdoren me efekt kundër reumatizmave, artritizmit dhe kundër gurëve. Rezultate të mira japin edhe kundër sëmundjeve të mëlçisë. Gjethet e mollës përdoren kundër helmimeve që shkaktohen nga ushqimet. Cipa e jashtme e frutave të mollës ka përmbajtje të lartë vitaminoze.
4. Molla e egër
Molla e egër takohet si dru jo i lartë ose si shkurre. Degët i ka plot me gjemba. Bën pjesë në familjen e trëndafiloreve. Gjethet i ka vezake, të zgjeruara dhe pa push. Lulet që çelin në prill-maj janë të bardha dhe anash ngjyrë trëndafili. Fruti i saj është e rrumbullakët, i vogël, me shije të thartë. Gjendet rrallë nëpër pyje e buzë arash. Shërben në shkallë të gjerë si nënshartesë për të shartuar mbi të mollë të buta. Në mjekësinë popullore përdoren frutat e mollës së egër, të cilat mblidhen pasi piqen dhe marrin ngjyrë verdhuke. Ato vihen një nga një me dorë, pa i dëmtuar, në mënyrë që të ruhen për një kohë sa më të gjatë. Ruhen në kashtë. Përdoren edhe lëvoret e degëve. Frutat e mollës së egër, përmbajnë acide organike, por me shumicë kanë acid malik. Mollët e egra kanë veti rrudhëse. Ato përdoren me efekt në rastet e diarresë, si dhe kundër acarimeve të grykës e faringut, me anë gargarash (shpëlarje e gojës). Edhe lëvorja e degëve ka veti rrudhëse dhe përdoret me rezultate të mira kundër etheve. Rezultate shumë të mira mollët e tharta kanë dhënë kundër sëmundjes së sheqerit.
5. Dardha
Frutat e dardhës përdoren në gjendje të freskët në kohën e pjekjes natyrore, të ruajtura në frigorifer dhe të përpunuara në formë marmelate, konserve, kompostoje ose të thara. Përmbajnë kripëra minerale, si: kalium, kalcium, mangan, fosfor, hekur etj., 4-5 për qind sheqer, vitamina C, B1, B2, B6, karotinë, acide organike etj. Ato janë freskuese, qetësuese, largojnë etjen, lehtësisht pastruese të zorrëve dhe japin energji. Kur janë të papjekura, nuk treten lehtë dhe qëndrojnë rëndë në stomak. Në sajë të përmbajtjes së hekurit dardhat bëjnë mirë për luftimin e anemisë. Ato bëjnë mirë gjithashtu në mëlçi, pasi nxisin aktivitetin për prodhimin e tëmthit. Cipa e frutave të dardhës ka veti diuretike (diuretik, mjet që shkakton urinim të shpeshtë dhe ndihmon veprimtarinë e veshkave dhe të rrugëve urinare) dhe bën mirë në pastrimin e veshkave dhe të rrugëve urinare. Lëngu që fitohet nga zierja e lëvores së degëve të dardhës ndikon pozitivisht në uljen e temperaturës. Gjethet e dardhës kanë veti të mira diuretike dhe antiseptike dhe përdoren kundër sëmundjeve të rrugëve urinare, në cistitet në gurët e veshkave, në dhimbjet e fshikëzës urinare, etj.
6. Ftoi
Për qëllime mjekësore përdoren farat e thara, gjethet dhe tuli i ftonjve. Farat kanë shije të lehtë të bajameve të hidhura dhe janë pa erë. Ftoi përdoret i freskët ose në formë reçeli, prevedeje, marmelate, si dhe për t'i dhënë shije, aromë dhe qëndrueshmëri marmelatës së mollës, të dardhës dhe të frutave të tjera. Ftoi është i ushqyeshëm; ai përmban vitamina A dhe C, sheqerna, pektinë, acide, kripëra minerale, si kalium etj. Frutat e ftoit janë të pasura me lëndë aromatike, të cilat ia shtojnë vlerën. Ftonjtë kanë veti rrudhëse dhe janë përdorur qysh në lashtësi për këtë qëllim. Përdoren kundër diarresë (jashtëqitjes), dizenterisë (dizenteri: mahisje ose zhvoshkje e zorrëve që shkakton dhimbje e heqje të shpeshta barku, nganjëherë edhe me gjak) dhe të vjellave. Gjithashtu, ky frut ka gjetur përdorim si tonifikues i organeve gjinore femërore dhe forcon gjinjtë. Ai është një qetësues i mirë dhe përdoret edhe në rastet e pagjumësisë dhe kollës. Përdorim të mirë kanë gjetur për forcimin e organizmit të pleqve, si dhe të atyre që janë dobësuar pas kalimit të ndonjë sëmundje. Valesa e gjetheve të ftoit përdoret për të larë sytë kur vuani nga sëmundje të syve.
7. Hurma
Në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, fruta, gjethet, degët. Ajo përdoret e freskët, e thatë, përgatitet reçel, marmelatë, alkool, raki dhe ëmbëlsira të ndryshme. Fruta përmban rreth 17 për qind sheqer kur është e freskët dhe 62 për qind kur thahet. Përmban vitamina A dhe C, proteina, yndyra, kripëra minerale, si hekur, sasi të konsiderueshme tanine etj. Hurmat kanë gjetur përdorim të mirë në luftimin e sëmundjes së anemisë, dobësimit të përgjithshëm të organizmit pas kalimit të ndonjë sëmundjeje. Në këto raste përdoret mjekimi me hurma: Çdo ditë konsumohen 6-15 kokrra të tejpjekura rreth një orë para ose pas ushqimit. Mjekimi vazhdon 15 ditë deri në 25 ditë. Hurmat kanë dhënë rezultate të mira në luftimin e sëmundjeve të aparatit tretës, të cilat shoqërohen me diarre (me të dala të shpeshta jashtë). Mjekimi me hurma rekomandohet edhe për personat që vuajnë nga diarreja kronike. Gjithashtu, shumë të sëmurë nga gjëndrat tiroide (fryrja e gushës), kanë pasur përmirësime të dukshme pas përdorimit me bollëk në racionin ditor të frutave të hurmës. Farat e hurmës kanë gjetur përdorime në dhimbjet shumë të forta të barkut.
8. Portokalli
Portokalli është i pasur me vitamina A, B, C, P, me kripëra kalciumi, fosfor etj. Lëngu i portokallit, i konsumuar me ose pa sheqer, ose me gaz karbonik, është freskues. Nga lëvozhga e portokallit del vaj eterik shumë i mirë, i cili gjen përdorime të shumta në prodhimin e pijeve, aromave, ilaçeve etj. Lëngu i portokallit ka veti diuretike dhe antiseptike (që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), e përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave, edhe në rastet kur janë formuar gurë në to, në sëmundjet e mëlçisë dhe në ato të zemrës dhe të enëve të gjakut. Lëngu i portokallit, duke i shtuar pak sheqer, pëlqehet edhe nga fëmijët e vegjël dhe këshillohet të përdoret qysh në muajin e tretë pas lindjes. Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të reja. Portokalli ka përmbajtje të lartë të vitaminës C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive dhe lëngu i fituar nga zierja e tyre përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve.
9. Mandarina
Në mjekësinë popullore përdoren frutat, lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet. Fruta e mandarinës është shumë e këndshme dhe aromatike. Ajo është e pasur me vitamina A, B, C dhe sheqerna. Nga lëngu i frutave prodhohet mandarinadë shumë e shijshme. Mandarinat janë ndër agrumet më të pëlqyeshme, falë aromës dhe përmbajtjes më të lartë të sheqerit. Ato janë tretëse, freskuese dhe lëngu i tyre është i pranueshëm edhe nga stomaku i fëmijëve. Në sajë të përmbajtjes së vitaminave, si dhe të një sasie të konsiderueshme hekuri, mandarinat përbëjnë një ushqim shumë të përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe për luftimin e anemisë. Mjekimi me mandarina vazhdon 20-25 ditë, duke konsumuar çdo ditë nga 10-15 kokrra ose edhe më shumë. Lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet kanë po ato përdorime si te portokalli. Nëse ato zihen dhe pihen si lëng në formë çaji, kur ky lëng pihet i ngrohtë, bën mirë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kur ka acarime në grykë apo zënie zëri. Gjethet dhe filizat e njomë të mandarinës dhe portokallit kanë veti qetësuese në rastet e nevrastenisë (nevrasteni: sëmundje që ka për shkak dobësimin e nervave).

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›