Efekti Dodik në Kosovë

Kosova do t`i ngjajë Maqedonisë në koalicionin e ardhshëm qeveritar nëse zbatohet marrëveshja e Brukselit. Beogradi po pretendon t'i organizojë serbët e Kosovës në një subjekt të vetëm politik, i cili do të dilte i fuqishëm nga zgjedhjet dhe në këtë mënyrë do të ishte partia e dytë e çfarëdo koalicioni qeveritar.
Organizimi i serbëve nga Beogradi, sipas burimeve do të bëhet në formën tash të përdorur në Bosnjë e Hercegovinë nga i cili është krijuar lideri aktual i atjeshëm Milorad Dodik. Burime të gazetës Tribuna kanë bërë të ditur se partitë në pushtet në Serbi, ajo përparimtare (SNS) dhe ajo Socialiste (SPS) janë pajtuar për kandidatët që do të kenë në nëntë komunat që priten të jenë në bashkësinë (asociacionin) e komunave serbe të Kosovës.
Komunat në jug janë ndarë mes SNS-së dhe SPS-së, derisa për katër komunat në veri një numër i kandidatëve priten të jenë nga partia e Aleksander Vulinit, Lëvizja Socialiste, e cila është pjesë e listës së SPS-së së Daçiqit. /Indeksonline/