E Diel, 1 Nëntor 2026

Efekti copy-paste

A e posedoni parfumin që Kate Middleton e kishte vënë gjatë martesës me princin William, apo, ndoshta, një pulovër si ai i themeluesit të Apple, Steve Jobs? Imitimi i personaliteteve të njohura është bërë dukuri më e popullarizuar se kurrë më parë. Pse?

Vetë brenda pak orësh ishin shitur të gjithë parfumet ‘White Gardenia Petals’. Pak kohë pasi që mediat kishin njoftuar për lajmin e ri, parfumeria Illuminum kishte mbetur pas asnjë ekzemplarë. Në të vërtetë, lajmi se këtë parfum do ta përdorte kontesha Catherine Mountbatten-Windsor në ditën e martesës së saj me princin William ishte arsyeja e vetme.

Aroma mbretërore për atë që preferojnë ekskluzivitetin

Nëpërmjet web-faqes YouTube, revista britanike ‘Teenager’, në rubrikën e saj “Ditari i Bukurisë”, iu sugjeron adhuruesve të stilit “mbretëror” se: “është bukur që të posedohet diçka krejtësisht ekskluzive, dhe që nuk e has te çdokush”.

Nëse do t’i pyesnit njerëzit nëpër rrugë, apo e miqtë tuaj, se a posedojnë ata një parfum ‘White Gardenia Petals’, përgjigjja sigurisht se do të ishte: “Jo”. Ndoshta me një sugjerim shtesë: “Nëse atë parfum e posedon një personalitet e falshëm kjo s’do të thotë se duhet të dëshiroj ta kem edhe unë”. Ose: "Kopjimi i të tjerëve nuk është aspak veprim kreativ. S’ka asgjë origjinale në këtë punë”.

Kopjimi i të tjerëve, veti jopopullore në shoqëri

Profesori i sociologjisë në Universitetin Duisburg-Essen, Udo Gottlich, mendimin e tij për këtë gjë e shpalos me buzëqeshje në fytyrë.

"Bëhuni më të sjellshëm dhe mos u bëni më njerëzve këso pyetjesh”. Personat që janë autonom nuk do t’ju përgjigjen në këtë lloj pyetjeje, sepse aktin e kopjimit të të tjerëve e konsiderojnë si një veprim të papranueshëm shoqëror, megjithëse, përkundër kësaj, çdokush nga ne ndonjëherë dëshiron që të jetë dikush tjetër, ose që të posedojë diçka që ka edhe ai dikush tjetër. Në të vërtetë, po flasim këtu për stilin e jetës, kështu që, nëse, për shembull, ju shfrytëzoni një parfum të dizajnuar nga një personalitet i njohur që e pëlqeni, gjegjësisht keni dëgjuar se i njëjti shfrytëzohet edhe nga ajo/ai, do të keni ndjenjën se me blerjen e atij produkti paratë i keni investuar mençur.

Njerëzit janë krijesa shoqërore, që kanë nevojë të pasojnë atë që e bëjnë të tjerët, thekson Udo Gottlich.

“Për këtë arsye ne me dëshirë krahasohemi me të tjerët, e në veçanti me të famshmit. Besoni se, nëse arrini të futeni në stilin e tyre të jetës, do të pranoheni në shoqëri në mënyrë po aq pozitive si ata”, shprehet Gottlich.

Kopja, pjesë e një ekskluziviteti të përkohshëm

Ky synim i pritur mund të jetë sqarim edhe për obsesionimin e dikujt me pulovrin e zi të Jobs. Pas vdekjes së themeluesit të Apple të gjithë “u çmendën” pas këtij detaji të gardërobës.

"Ai pulovër më bën më të ngjashëm me themeluesin e Apple, e kjo është e mrekullueshme, thonë disa. Kjo formë e reinkarnimit të zgjon një ndjenjë të fuqisë”, thekson Doris Mathilde Lucke, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Bonnit.

Njerëzit për çdo ditë i kopjojnë të tjerët, kështu që kjo dukuri nuk ka të bëjë vetëm me imitimin e të famshmëve, shton ajo.

"Njëherë në një shitore pata hasur në një grua që po blinte një shihe verë të zezë dhe një copë djathë të shtrenjtë. Ajo thoshte: ‘edhe unë mund t’ia lejoj vetes të njëjtën gjë që vetvetes ia lejon shefi im’. Një veprim i tillë rritë ndjenjën e vlerësimit të vetvetes”, sqaron Lucke.

Kopjimi është orientim

Por, sa është diçka e pranueshme, apo e papranueshme në shoqëri?

Ai që kopjon në fakt vetëm sa e orienton vetveten. Sa më e madhe të jetë zgjedhja e stileve të jetës nga ku mund të përzgjidhet, aq më e madhe është edhe nevoja për orientimin e stilit personal, konsideron sociologu Gottlich. E, nga ana tjetër, sipas tij, sa më i arsimuar dhe më autonom të jetë një njeri, aq më pak orientohet nga stilet e të tjerëve.

Është e pritshme që adhuruesit t’i kopjojnë idhujt e tyre. Natyrisht se në mesin e tyre ka edhe raste ekstreme, megjithëse ata janë pakicë, nënvizon Gottlich.

"Shumica nuk e bëjnë këtë gjë, sepse e dinë deri te cili kufi bënë të shkohet. Por, këto raste nuk janë interesante për media”, përfundon ai. DW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›