E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet ‘Meshari’

Vatikani ka pranuar kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë që me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë të kthejë në vend origjinalin e librit të parë në shqip, Mesharin e Gjon Buzukut.

Lajmi për kthimin e ‘Mesharit’ u konfirmua nga kardinali Gianfranco Ravasi, ministër i Kulturës dhe Arteve në Vatikan, i cili aktualisht ndodhet në Shqipëri për një vizitë pune.

“Besoj se kjo gjë do të jetë e mundur, ndërkohë që proceduara e kthimit tashmë i është caktuar Bibliotekës Apostolike në Vatikan. Kjo po ashtu do të mbështetet edhe nga ne. Do të jem i lumtur ta mbështes një iniciativë të tillë, megjithëse në këtë mes ekzistojnë protokolle të veçanta, që kanë të bëjnë me nxjerrjen jashtë vendit të objekteve dhe materialeve të një rëndësie të veçantë”, deklaroi Ravasi.

Libri i Gjon Buzukut, i shkruar në vitin 1555, prej atëherë ka kaluar dorë më dorë në shumë biblioteka të Italisë, ndërsa që në vitin vitin 1909 është rizbuluar nga disa priftërinj shqiptarë në Bibliotekën Apostolike në Vatikan.

Pasi ka dhënë garancitë e tij për kthimin e veprës së rrallë dhe me vlerë për mbarë kombin shqiptar, gjatë takimit me ministrin e Kulturës, Aldo Bumçin, kardinali Gianfranco Ravasi ka prezantuar edhe një projekt tjetër të Vatikanit, përmes të cilit synohet krijimi i një debati rinor me temë “Në çfarë beson ai që nuk beson”. Në këtë debat do të përfshihen studentët e Universitetit të Tiranës dhe të Universitetit Zonja e Këshillit të Mirë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›