Efekti i zgjedhjeve në turizëm
Nga Kristal Hykaj*
Industrinë shqiptare të turizmit e pret një vit i vështirë, duke qenë se ecuria e tij do të ndikohet nga zgjedhjet elektorale që u mbajtën më 23 qershor, shumë pak kohë para se sezoni të arrijë pikun e tij. Nëse do të ketë rritje, atëherë turizmi do të shënojë fitore në kohë të vështirë. Industria e turizmit (duke lënë mënjanë këtu atë informalen) vazhdon të mbartë vit pas viti të njëjtat probleme, që ne i kemi parashtruar shpesh. Një nga më kryesoret është mungesa e standardizimit. Certifikimi i industrisë së turizmit është shumë i rëndësishëm pasi në këtë mënyrë, ai vendoset përballë atij të huaj. Qeveria është duke bërë përpjekje për të vendosur një sistem të tillë. Miratimi i ligjit të ri për turizmin do të zgjidhte përfundimisht këtë çështje, pasi ne nuk mund të vazhdojmë më të ecim përpara me subjekte të pacertifikuara. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar rastet kur kanë falimentuar edhe agjenci. Turistëve në çdo kohë dhe kudo, duhet tu ofrohet siguri dhe një shërbim i certifikuar.
Operatorët turistikë kërkojnë që zgjedhjet nuk duhet të mbahen gjatë muajve të sezonit turistik veror. Sipas tyre, procesi ka një efekt të drejtpërdrejtë në uljen e turizmit, dhe për këtë arsye BE-ja dhe vendet fqinje rajonale mbajnë zgjedhje në pranverë ose në vjeshtë. Asnjë nga vendet fqinje apo vendet e tjera që kanë turizmin si një bazë e ekonomisë së tyre, nuk I kanë mbajtur zgjedhjet gjatë sezonit turistik. Periudha e zgjedhjeve në këto vende nuk do të ndikojë në grupet turistike që kanë nënshkruar kontrata për të pasur një kalendar të veçantë.
Numri i turistëve në Shqipëri është rritur nga kontratat e nënshkruara midis operatorëve turistikë të rajonit. Gama e turistëve që udhëtojnë në Shqipëri është zgjeruar me vizitorët nga vendet aziatike. Organizimi i grupeve të pushuesve nga operatorët turistikë gjithashtu rezulton në çmime, të cilat janë disa herë më të ulëta se ato të turistëve individuale. Çmimet për grupet e organizuara ka një tjetër raport. Çmimet individuale të kujdesit janë 30-40% më të larta. Problemet në Afrikë, Egjipt dhe vendet e tjera kanë bërë turistët të kërkojnë tregje të reja, dhe Shqipëria është një prej tyre. Vitet e fundit kanë parë një rritje në numrin e turistëve nga vendet aziatike, të tilla si Japonia, Tajlanda, Kina, por edhe nga Perëndimi, Gjermania, Suedia dhe Danimarka.
Është një nga industritë që ndikon ndjeshëm në punësimin e shqiptarëve. Një në 11 punonjës vjen nga turizmi dhe ky sektor ka një tjetër specifikë, pasi një turist angazhon deri në shtatë veta të stafit. Në asnjë industri tjetër me rritjen e cilësisë nuk shtohet numri i të punësuarve, por te turizmi kjo ndodh. Një hotel me kapacitet akomodimi 100 dhoma, punëson nga 70-200 veta. Është një industri që mund të sigurojë punësim gjatë gjithë kohës nëse do të ndihmohet me politikat e duhura. Madje punësimi nuk ka edhe kosto të larta, pasi pjesa më e madhe e të punësuarve në turizëm janë me arsim të mesëm, nuk është e nevojshme që ata të marrin një kualifikim të lartë, mjafton që të trajtohen për pozicionet e tjera.
Qeveria dhe pushtetet lokale duhet të pushojnë së menduari se në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe ujësjellës-kanalizimeve mbaron përgjegjësia e tyre rreth turizmit, pasi ashtu si dëshmon eksperienca e vendeve fqinj, një rol të rëndësishëm luan edhe infrastruktura njerëzore në këtë sektor të rëndësishëm të shërbimeve. Trajnimi, publiciteti, informacioni ,mirëmbajta e plazheve, ruajtja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore janë elementë të rëndësishëm të një strategjie të mirëfilltë që duhet hartuar për ti dhënë cilësi turizmit shqiptar. Zhvillimet më të fundit në rajon, me trazirat politike shoqërore në Afrikën Veriore si dhe kriza greke duhet të jenë rasti i artë për të prezantuar një politikë më konkurruese dhe më agresive në rajon. Nëse Shqipëria në vitet 90 prodhonte anije të mbushura plot me refugjatë që iknin në Evropë për një jetë më të mirë, ka ardhur koha që këto anije të vijnë të mbushura plot me turistë drejt brigjeve shqiptare pasi ky vend e meriton përsa i përket bukurisë që mund të afrojë. Problemi në këtë sezon turistik ashtu si dhe më të mëparshmit qëndron në pyetjen që i referohet politikës dhe jo vullnetit të popullit shqiptar, a mundet ajo që ta realizojë këtë synim? Në fakt , kjo mbetet një nga sfidat më të mëdha të qeverisë dhe politikave që ajo harton për zhvillimin strategjik të vendit.
*Pedagog i Makroekonomisë, Fakulteti Ekonomik i Tiranës