E Diel, 1 Nëntor 2026

Marinarët, pa siguracione dhe kontrata pune

Mekaniku i anijes “Brustel” rrëfen peripecitë e tij dhe ekuipazhit në Libi

Marinarët shqiptarë, në të shumtën e rasteve, punojnë pa siguracione dhe kontrata pune, duke rrezikuar çdo çast jo vetëm jetën e tyre në det, por dhe të ardhmen e familjeve. Një nga problemet më të mprehta të këtij profesioni, nga i cili rrjedhin dhe marrëdhëniet e vështira mes punëdhënësit dhe punëmarrësve, është bërë prezent nga mekaniku i anijes “Brustel”, Arjan Domi. “Shteti shqiptar na nis në lundrime të gjata pa kontrata pune dhe siguracion. është në dijeni të këtyre fakteve, pasi pasaportat e detarit vulosen në Kapitanerinë e portit detar. Në det e ke vdekjen me vete dhe këtë herë ne thuajse e pamë me sy. Edhe në Nigeri, detarët punonin me kontrata të rregullta dhe autoritetet u habitën kur u thamë që s’kemi kontrata pune”, thotë Domi.

Peripecitë

Pak orë pasi ka mbërritur në Shqipëri dhe është çmallur me familjen, ai tregon për “Shqip” peripecitë e një udhëtimi të lodhshëm e të gjatë, që i ka ezauruar anëtarët e ekuipazhit të anijes shqiptare, që pret të ndërrojë ekuipazhin dhe të nisë lundrimin e radhës, duke lënë pas Libinë. Ai thotë se të gjithë duan të kthehen pranë familjeve, po disa janë të trembur për shkak të presioneve. Situata në anije është e rëndë dhe veçanërisht gjendja shpirtërore e marinarëve. Gjithsesi kthimi i të parëve ka sjellë shkëlqimin në sytë e familjarëve të marinarëve të tjerë. Tani e dinë, dita e kthimit nuk është larg. Domi, si një nga mekanikët e kësaj anijeje, deklaron se mjeti lundrues ka nevojë për riparim kapital para se të ndërmarrë lundrimin e radhës. Gjithsesi për të, anija dhe gjendja e saj teknike i përket së djeshmes, sot ai është kthyer pranë familjes dhe pret të përballet me pronarin e anijes. E ka lënë në një situatë të pakëndshme financiare familjen e tij të përbërë nga ai, gruaja dhe dy fëmijët dhe i ka gjetur edhe më keq. Me një kredi bankare që pret të shlyhet. “Nga llogaritë e mia rezulton që të më paguhen 5.6 milionë lekë të vjetra, si pagesë për punën e 7 muajve të fundit. Kam mbuluar dhe punë të tjera, por nuk dua të kërkoj atë që më takon me të drejtë, por pagën që më ka deklaruar, duhet të ma japë”, thotë më tej ai. Dy nga marinarët e anijes, mekaniku Arjan Domi dhe kuzhinieri Kastriot Abazaj, rreth orës 15:00 të së dielës kanë mbërritur pranë familjeve të tyre. Ndërkohë është nisur dhe marinari tjetër Juriges Omeri, udhëtimi i të cilit u bllokua përkohësisht, pasi bileta e prerë ishte në emër të mekanikut të dytë të anijes, Mehmet Sylhasani. Domi tregon se si u sëmurën dy nga shokët e ekuipazhit, si mbetën pa ushqime dhe karburant, si hëngrën tri ditë rresht vetëm galeta dhe bekon oqeanin dhe peshkun që u siguroi ushqim bujarisht dhe pa shpenzime. Për të reduktuar në maksimum shpenzimet e punëdhënësit për trajtimin mjekësor, kapiteni dhe nostromo i anijes të prekur nga një sëmundje ngjitëse janë detyruar që pas mjekimit të parë në spital t’i vazhdojnë trajtimet, përfshirë dhe marrjen e serumit në një hotel modest të qytetit bregdetar nigerian ku kishin ndaluar.

Problemi

Në nenin 99 të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë thuhet se me ekuipazh kuptohet grupi i personave të regjistruar në amëzën e detarit dhe në marrëdhënie punësimi me pronarin. Në bazë të këtij kodi, një kopje e marrëveshjes së punësimit ku fiksohet itinerari i lundrimit, koha e fillimit dhe mbarimit të marrëveshjes, detyra dhe paga e secilit detar duhet të jetë e vendosur në një vend të dukshëm të anijes. Afishimi i marrëveshjes, sipas shumë marinarëve të tjerë të kontaktuar mungon, ndërkohë që është përgjegjësia e regjistruesit detar të dëgjojë palët në konflikt për pagesat, mbi bazën e shqyrtimit të ditarit të anijes dhe dokumenteve të tjera dhe vendos në bazë të Kodit Detar dhe akteve të dala në zbatim të tij. A do të zgjidhet situata e krijuar mes palëve në këtë rast mes tyre a nga regjistruesi? Do të jenë zhvillimet në ditët e ardhshme që do të tregojnë sesa të vështira janë marrëdhëniet e punësimit në Shqipëri dhe veçanërisht ato në sektorin e detarisë, ku marinarët joshen nga pagat e larta dhe më pas përballen me mosmarrjen e tyre dhe rrezikimin e jetës në det.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›