E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt, dy studentë me H1N1, konvikti në karantinë

Kajro - Rreth 140 studentë të një konvikti në ishullin egjiptian Zamalek janë vendosur në karantinë, pasi mes tyre janë zbuluar dy persona me virusin vdekjeprurës të gripit të derrave. Zyrtarë të shëndetësisë bëjnë të ditur se të prekurit janë studentë të huaj, të cilët studiojnë në Universitetin Amerikan të Kajros.

Trupa të policisë, të pajisur me maska mbrojtëse, qëndronin përpara barrierave të formuara përreth ndërtesës shumëkatëshe të konviktit, që ndodhet në lagjen ishullore të quajtur Zamalek, ku jetojnë kryesisht studentë të ardhur nga Perëndimi dhe vendet arabe, dhe nuk lejonin njeri të hynte apo të dilte nga ndërtesa.

"Dy studentë kanë rezultuar pozitivë në testet e kryera për virusin H1N1", deklaroi zëdhënësja e universitetit, Rehab Saad El-Domiati, e cili shtoi se të dy të infektuarit ishin amerikanë.

"Si pasojë, konvikti i universitetit është vendosur në karantinë për 24 orë", shtoi El-Domiati. Ajo tha se një student i tretë ishte dërguar në spital si masë sigurie, sepse kishte temperaturë të lartë. Të gjithë studentët po testohen për virusin H1N1.

Egjipti, tepër i prekur nga virusi i gripit të shpendëve H5N1, zbuloi rastin e parë të infektuar me H1N1 javën e kaluar te një vajzë 12-vjeçe nga SHBA-ja, e cila kishte ardhur për pushime në vendin më të populluar arab. Vajza ishte rasti i parë i konfirmuar me virusin H1N1 në Afrikë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›