Ekipi i ASKS, i pari në stërvitjen për sigurinë kibernetike në Ballkan për të dytin vit radhazi

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Ekipi i ekspertëve të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kanë fituar sërish vendin e parë në Balkans Live-Fire Cybersecurity Exercise, duke tejkaluar ekipet e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ky ushtrim treditor, i organizuar në Tiranë nga CybExer Technologies dhe e-Governance Academy (eGA), sfidoi ekspertët në mbrojtjen e një infrastrukture të plotë IT ndaj sulmeve të simuluara nga një Red Team i specializuar”, thuhet në njoftimin e AKSK-së.
Sipas përfaqësuesve të këtyre dy institucioneve, ky sukses vërteton edhe një herë përgatitjen dhe aftësinë e ekipeve shqiptare në zbulimin, mbrojtjen dhe reagimin ndaj kërcënimeve kibernetike në kohë reale.
“Shqipëria po ndërton një sistem të fortë mbrojtjeje kibernetike dhe ky rezultat është një dëshmi tjetër e përkushtimit të ekspertëve të këtyre skuadrave”, vijon njoftimi për mediet.
