Ekipi më i mirë i Fergusonit

Gjatë 25 viteve të drejtimit të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson ka punuar me futbollistë të shumtë, sa që nuk është çudi nëse nuk i kujtohen të gjithë prej tyre. Derisa ka qenë fatlum që kishte në dispozicion disa prej talenteve më të mëdhenj, ai i shndërroi ata në futbollistë të klasit botëror në rrugë drejt 37 trofeve që ka fituar deri më tani në një çerek shekulli të tij në Old Trafford. Eurosport.com ka përzgjedhur një formacion me futbollistët më të mirë, të cilët u transferuan nga Ferguson ose debutuan me Unitedin gjatë 1410 ndeshjeve të deritashme nën drejtimin e tij si menaxher.
Portier – Peter Schmeichel
Ferguson ka përshkruar blerjen e Schmeichelit nga Brondby për një shumë prej vetëm 550 mijë funtesh më 1991 si “përforcimi i shekullit” dhe vështirë se mund të kundërshtohet. Danezi u dallua për reflekset e tij dhe me prani të theksuar në portë, ndërsa nuk ishin të rralla rastet kur pikërisht ai filloi shumë kundërsulme të rrezikshme. Schmeicher ishte anëtar i pazëvendësueshëm gjatë tetë viteve të qëndrimit të tij në klub dhe në fund mori nofkën “Danezi i lavdishëm”. Ferguson hasi në vështirësi për ta zëvendësuar para se në fund të gjejë Edwin van der Sarin nga Fulham më 2005 dhe kjo tregon se sa i veçantë ishte Schmeichel.
Mbrojtës i djathtë – Gary Neville
I madhi i vëllezërve Neville mund të mos ketë shumë miq jashtë Old Traffordit – e sidomos në pjesën e kaltër të Manchesterit dhe në Merseyside – por ai ishte i shkëlqyeshëm për Unitedin për më tepër se një dekadë. Përveç të qenit një mbrojtës kualitativ, ai ishte mjaft i dobishëm edhe në nisje përpara dhe luante në rol përkrahës për David Beckhamin. Ai luftoi palodhshëm për klubin e tij të vetëm duke siguruar vazhdimësi të një talenti natyral. Besnikëria e tij ndaj Unitedit ishte e tillë sa që menjëherë pasi mësoi se kualiteti i tij nuk ishte më i nevojshëm, ai njoftoi për pensionimin e tij në mes të sezonit.
Qendërmbrojtës: Jaap Stam
Ai mund të ketë kaluar vetëm tri vite në United, por Stam sigurisht se bëri të ndjeshme praninë e tij. Gjiganti holandez dukej se është ndërtuar me gurë, ndërsa i tillë shfaqej edhe në detyrat e tij në fushë. Pas transferimit nga PSV Eindhoven më 1998 për rreth 10.75 milionë funte, ai menjëherë filloi të shpaguajë paratë e shpenzuara nga klubi dhe fitoi tre tituj në sezonin e tij të parë në Old Trafford. Dy tituj të tjerë e përcollën nga po aq vite para se të shitet në Lazio për komentet e publikuara në autobiografinë e tij, por gjurmët e tij në United mbeten të pashlyeshme.
Qendërmbrojtës: Nemanja Vidic
Rio Ferdinand mund të jetë futbollisti më me klas nga qendërmbrojtësit e tashëm të Unitedit, por nëse kërkoni një lider, atëherë shfaqet Nemanja Vidic, anëtar i pazëvendësueshëm në mbrojtjen e Djajve të Kuq. Sikurse Stam, Vidic nuk ishte shumë i njohur para se Ferguson ta transferonte nga Spartak Moska për 7 milionë funte, por në pesë vitet pas ardhjes së tij në klub ai është bërë kapiten i skuadrës dhe një prej mbrojtësve më të mirë në botë. Me të, United ka fituar tre tituj me radhë në Premierligë.
Mbrojtës i majtë: Denis Irwin
Denis Irwin ishte futbollist të cilin çdo trajner dëshiron ta ketë në skuadër. Irlandezi dallohej për vazhdimësi në paraqitje të mira dhe do t’ia jepnit notën 7 nga 10 në secilën ndeshje që paraqitej. Irwin e dinte punën e tij, ai qëndronte pas saj dhe e kryente në mënyrë të shkëlqyeshme. Përveç sigurisë në mbrojtje gjatë12 viteve të shërbimit në klub, Irwin dinte edhe të godiste topin, shumica e 33 golave që realizoi erdhën nga goditjet e lira ose penalltitë.
Mesfushor i djathtë: Cristiano Ronaldo
Pavarësisht largimit nga United si futbollisti më i mirë në botë, fitues i Topit të Artë dhe përforcimi më i shtrenjtë në histori, përzgjedhja e Ronaldos para David Beckhamit nga dikush mund të konsiderohet e gabuar. Mirëpo, ajo që e bëri të gjendej në këtë skuadër ishte aftësia e zhvillimit nga një mesfushor ekzibicional në një prej sulmuesve më të kompletuar në botë gjatë gjashtë viteve të tij në Manchester. Përveç kësaj, statistikat flasin për vete. Ronaldo realizoi 118 gola për Unitedin në të gjitha garat, përfshirë 42 në edicionin 2007-08 kur skuadra fitoi Premierligën dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa portugezit i takuan çmimet kryesore individuale. Nëse nuk do të ekzistonte Messi, vendi i tij në mesin e legjendave do të ishte tashmë i siguruar.
Mesfushor defensiv: Roy Keane
Asgjë më pak se një kolos në mesfushën e Unitedit, Keane ishte thjesht personifikimi i Fergusonit në gushë. Irlandezi i frikshëm me betejën e pafundme me kapitenin e atëhershëm të Arsenalit, Patrick Vieira ndezi rivalitetin mes dy klubeve. Keane ishte fuqia udhëheqëse prapa dominimit të Unitedit në Premierligë në vitet e 90-ta. Natyra e tij e ashpër në fushë dhe ndërhyrjet e shpeshta e bënë figurë kontraverze, por ai do të kujtohet kryesisht për kualitetet e luftëtarit dhe si fitues i lindur.
Mesfushor qendror: Paul Scholes
Shumëkush mund të mendojë se gjatë 18 viteve të karrierës së tij profesionale në klub mund kishte bërë asnjë gabim në fushë, Scholes ishte pa dyshim njëri prej mesfushorëve më të mirë të gjeneratës së tij. Futbollistë të mëdhenj si Zinedine Zidane, Xavi Hernandez dhe Xabi Alonso kanë pranuar adhurimin e tyre për Scholesin, i cili dukej se kënaqej me lojën në fushë njësoj sikurse ata që e përcillnin nga tribunat. Ai ishte në gjendje të realizonte pasime nga distanca të largëta dhe për shumëkënd të pamundura. Një tjetër futbollist i madh i Fergusonit, i cili u tërhoq me 10 tituj në Premierligë dhe pritet të fillojë karrierën e re si trajner.
Mesfushor i majtë: Ryan Giggs
Imazhi i tij mund të jetë dëmtuar nga njoftimet rreth jetës së tij private, por sa i përket futbollit, pak kush mund të bëjë atë që arriti Giggs. Uellsiani ka fituar 12 medalje të kampionit të ligës, më tepër se shumë klube gjatë historisë së tyre të deritashme. Nëse United mbron kurorën e kampionit në Premierligë këtë sezon, Giggs do të fitojë numër të njëjtë të titujve sa Arsenali në gjithë historinë e tij. Suksesi i Giggsit është ndihmuar shumë nga përshtatshmëria e tij, në vitet e fundit ai është inkuadruar në qendër të mesfushës ndërsa luajti si mbrojtës i majtë në fitoren 2-1 në West Ham në prill, ndeshje e rëndësishme në rrugëtimin e Unitedit drejt titullit rekord të 19-të sezonin e kaluar.
Sulmues: Wayne Rooney
Newcastle bëri një ofertë në momentet e fundit për tinejxherin e talentuar, i cili sapo ishte kthyer nga Euro 2004 si yll botëror, por ishte vetëm një klub ku Rooney do të përfundonte pasi Everton vendosi të shiste futbollistin e vet më të çmueshëm. Asnjë futbollist tjetër nuk e pasqyron më mirë evoluimin e ekipit të Fergusonit sesa Rooney me kombinimin e tij të qëndrueshmërisë, angazhimit dhe inteligjencës. Në mungesë të Ronaldos, ai filloi të fitojë plot çmime individuale dhe ngriti katër tituj të kampionit në ligë dhe ka një medalje të fituesit të Ligës së Kampionëve.
Sulmues: Eric Cantona
Nga talenti i padiskutueshëm i secilit prej 10 futbollistëve të lartpërmendur, duket e paimagjinueshme se ndonjëri prej tyre mund të jetë më i dashur në zemrat e tifozëve të Unitedit sesa ish kapiteni i tyre, Eric Cantona. Ai u bë simbol jo vetëm i madhështisë së Unitedit në Premierligë, por edhe vetë ligës. Edhe pse kishte fituar titullin me Leeds, qarkullonin dyshime rreth qëndrimit të sulmuesit temperament kur Ferguson e transferoi për vetëm 1 milion funte. Në pesë vite të mëpasshme, Cantona ishte figura kryesore në Old Trafford duke u dalluar për depërtimet dhe teknikën e tij dhe ishte gjithnjë rreziku kryesor për skuadrat kundërshtare.