Paolo Coelho: Edhe unë i kam momentet e mia të dyshimit

‘Aleph’ aktualisht është bestseller nëpër tërë botën. A është suksesi botëror i librave tuaj dëshmi se secili ndanë të njëjtat frikë dhe ëndrra dhe se njerëzit nuk janë aq të ndryshëm saqë ne mendojmë nganjëherë?
Coelho: Pyetjet. Mendoj se njerëzit nëpër tërë botën kanë të njëjtat pyetje. Nuk do të thosha frikë dhe ëndrra – mbas gjase gjithashtu – por kur e shkruaj një libër unë përqendrohem në pyetjet e mia personale.
Çfarë përfytyroj nga leximi i komenteve në twiter dhe komunitete tjera sociale është ajo që megjithëse nuk i ndajmë përgjigjet e njëjta – dhe nuk i kemi – ne i ndajmë pyetjet e njëjta. Kjo është diçka që ndihmon shumë. Nuk ndihëm i vetmuar si shkrimtar. Për shkak se gjithmonë e pyes vetën, “Po e shkruaj këtë për veten time, por a e di ndokush tjetër se për çfarë po flas?” Dhe ata e dinë.
Duke u sjellë frymëzim aq shumë njerëzve, disa lexues të ‘Aleph’ mund të befasohen kur të zbulojnë se keni kaluar nëpër krizat e juaja të besimit.
Coelho: Besimi nuk është një vijë e drejtë. Është sikur kur ngjiteni në një mal. I keni përpjetat dhe tatëpjetat. Feja në fund të ditës është një akt besimi. Më duhet feja për të besuar në Zot. Ateistët gjithashtu kanë nevojë për besim për të mos besuar në Zot. Sikurse të gjithë të tjerët edhe unë i kam momentet e mia të dyshimit.
Sikurse ‘Alkimisti’, ‘Aleph’ rrëfen një udhëtim fizik, që në fund të fundit është udhëtim shpirtëror. Përse keni udhëtuar nëpër kontinent për të zbuluar diçka brenda vetës suaj?
Coelho: Në vitin 2006 kam qenë në zonën time të komoditetit; shkrimtar bestseller nëpër tërë botën, që dukesha sikur nuk kisha sfida të tjera në jetë. Dhe kjo nuk është mirë sepse jeta është një sfidë konstante. Njerëzit kujdesën për të qëndruar në zonën e komoditetit sepse është e sigurt, por nëse nuk i pranoni sfidat ju jeni i vdekur!
Të gjithë janë të ngujuar në rutinë dhe jo të gatshëm ta braktisin zonën e tyre të komoditetit. Askush në të vërtet nuk është duke jetuar...
Coelho: Të mos e përgjithësojmë! Shumë njerëz, por jo të gjithë, përndryshe unë nuk do të kisha lexues fare! Është një prirje që e kemi dhe duhet të luftojmë kundër kësaj.
Disa njerëz nuk po luftojnë aq sa duhet.
Coelho: Po, e vërtetë. Kemi frikë të ndryshojmë.
A i lexojnë njerëzit librat tuaj për t’iu ndihmuar atyre për të luftuar?
Coelho: Librat e mi mund të veprojnë si katalizator. Ata mund të provokojnë një reaksion në personin që tashmë është i gatshëm për ndryshim. Nuk mendoj se lexuesit e mi po i lexojnë librat duke tentuar të mësojnë si të ndryshojnë. E lexoni një libër në momentin e duhur dhe pastaj e shihni se tashmë e keni këtë vullkan brenda jush që është i gatshëm të shpërthejë dhe libri i heq kapakun këtij vullkani.
(The Big Issue, Përktheu: Alfred Beka)