E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia, Moodys sndryshon vlerësimin, Shqipëria B1, stabël

Kompania e vlerësimit të riskut, Moodys, ka vënë notën e radhës për Shqipërinë vetëm pak ditë më parë, duke lënë të pandryshuar qëndrimin e saj të bërë në fund të vitit 2011. Edhe njëherë për Shqipërinë parashikimi për ecurinë ekonomisë në një afat të mesëm vlerësohet me B1 dhe stabël. Vlerësimi me B1 i profilit të riskut të letrave me vlerë të qeverisë reflekton rritjen e ulët ekonomike, institucionale dhe fuqinë financiare të qeverisë në përpalljen me risqet. Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në përmirësimin e saj institucional dhe ekonomik që nga 1990-a, kur nisi nga një nivel i ulët. Gjithsesi, ka shumë sfida me të cilat duhet të përballet, vlerëson Moodys në raportin e saj. Lidhur me sektorin bankar, kjo kompani e konsideron atë si të mirëkapitalizuar, por kjo nuk do të thotë se gjithçka është mirë. Risqet financiare janë të moderuara nisur nga fakti që sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuiditeti është i pranishëm falë edhe rritjes së depozitave. Gjithsesi, cilësia e aseteve mbetet e stresuar, siç edhe reflektohet nga rritja e nivelit të kredive të këqija, thuhet në raport. Edhe pse lidhur me ekonominë në përgjithësi, Moodys bën një vlerësim pozitiv, ajo parashtron edhe sfidat që i shtrohen para qeverisë nëse kërkon që të përmirësojë vlerësimin për profilin e saj të riskut. Edhe pse qeveria është duke adresuar probleme strukturore, nevojitet më shumë progres substancial në mënyrë që vlerësimi ynë të pësojë rritje në renditjen për këtë vend. Përmirësime në ndërtimin e institucioneve përfshirë këtu eficiencë të Gjyqësorit dhe ulje të korrupsionit do të ishin mjaft pozitive, duke ndikuar në një afat të shkurtër edhe tek investimet, vlerëson Moodys. Nga ana tjetër, kjo kompani jep edhe faktorët që do të ndikonin direkt në përkeqësimin e renditjes së Shqipërisë në profilin e riskut dhe këta faktorë lidhen me borxhin dhe me mundësinë e qeverisë për të menaxhuar mirë programin e saj të huamarrjes. Kjo, në fakt, nuk është hera e parë që Moodys bën vlerësimin për profilin e riskut të borxhit të qeverisë. Vetëm në muajt e fundit të vitit të kaluar kjo kompani bëri dy vlerësime njëra pas tjetrës, dhe të dyja ato kishin të njëjtin rezultat: B1 dhe parashikim stabël për ekonominë në një afat të mesëm. Së bashku me Moodys, vlerësim të njëjtë për Shqipërinë ka bërë herën e fundit edhe kompania tjetër Standard and Poors.

Politika
Për kompaninë Moodys nuk është vetëm ekonomia ajo që merret si faktor kyç në vlerësime. Politika, stabiliteti i bashkëpunimit mes palëve shihen si një tjetër aspekt që merret në konsideratë në vlerësime të profilit të riskut. Kështu, Moodys nuk harron të kujtojë sjelljen e kampeve politike, mungesën e bashkëpunimit mes tyre dhe bojkotin që ndikoi edhe te mosdhënia e statusit të kandidatit për në BE Shqipërisë. Risqet zakonisht vijnë për shkak të faktorëve ekonomikë, sikundër edhe faktorëve politikë, vlerëson në raport kompania Moodys.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›