E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, PS: Mosha e dëmshpërblimit, 75 vjeç

Komisioni i Ekonomisë

Debatet te Ekonomia, miratohen ndryshimet. Ja kush futet në skemë.

Ministria: Nuk e ulim dot, na rrezikohet e gjithë skema.

Sikurse pritej, opozita dhe maxhoranca e kanë kthyer Komisionin e Ekonomisë dje në një diskutim më shumë politik, sesa për çështje ekonomike. Të planifikuara në rend ishin disa ndryshime lidhur me dëmshpërblimin e ish të-përndjekurve politikë, por që edhe një herë palët i kanë përplasur njëra-tjetrës akuza se kush ka menduar më shumë dhe kush më pak për këtë shtresë. Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave mbrojtën para deputetëve ndryshimet që lidheshin me këstet e dëmshpërblimit për personat mbi 85 vjeç, shtimin e veprave penale të reja në listën e atyre ekzistuese që janë dënuar nga Kodi Penal i vitit 1954 dhe 1975, dhe ndryshimi i tretë përfshin në listë edhe 40 ish-të dënuar të tjerë që i përkasin periudhës nga 25 tetori deri më 28 nëntor 1944. Opozita, nga ana e saj, ka kërkuar detaje mbi zbatimin e ligjit dhe se sa para u janë shpërndarë deri tani ish-të përndjekurve. Po kështu, Mimi Kodheli dhe Erjon Braçe kërkuan që mosha e përfituesve që i jepet prioritet në shpërndarjen e kësteve të dëmshpërblimit të ulet nga 85 vjeç në 75 vjeç. Opozita ka kërkuar që opinionin e saj ta japë në seancë plenare, duke mos votuar në Komision dhe, nga ana tjetër, ka kërkuar nga Ministria e Financave që të bëjë një përllogaritje të faturës financiare nëse ulet mosha nga 85 vjeç në 75 vjeç. Por, këtë kërkesë maxhoranca nuk e ka miratuar, kurse Ministria e Drejtësisë argumentoi se kjo do të rrezikonte skemën e dëmshpërblimit. Deputetët e PD-së i kanë vlerësuar këto kërkesa të opozitës si lot krokodili për një çështje që sa ishin në pushtet nuk u interesuan kurrë. Ju duhet të kishit treguar të paktën një shenjë në 8 vjet pushtet të dëmshpërblenit ata që janë akoma gjallë, dhe jo të vini këtu dhe të flisni me lot krokodili. Por ju zgjodhët rrugën që e kishit në parimin tuaj, sepse ju në parimet dhe filozofinë tuaj keni qenë më xhelatët, se jeni pjesë e tyre. Dhe para se të dëmshpërblenit viktimat e regjimit komunist, dëmshpërblyet xhetatët, Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë dhe pinjollët e kësaj shtresë që e katandisën në këtë derexhe shtresën e të persekutuarve, tha Noka. Në fund opozita nuk pranoi të votonte, kurse ligji kaloi vetëm me votat e maxhorancës.

Debati në Komisionin e Ekonomisë
Sherefedin Shehu:
Këto janë ndryshime të rëndësishme, sepse i forcohet mundësia e shpërblimit të përshpejtuar për të dënuarit politikë me moshë më të madhe. Kështu që, mendoj që këtu nuk ka më vend të bëjmë politikë, por duhet të votojmë dhe të bëjmë sakrificën minimale që këta njerëz ti marrin këto pak para që ofron ky ligj. Dhe këto pak para ua ofron kjo qeveri, sepse ju e humbët shansin, bëtë një ligj të cilin ata as e pranuan dhe as i morën ato përfitime ofenduese që ju ofruat.
Arben Malaj: Sigurisht që kur u miratua ligji, ne kishim qëndrimin tonë. Sa për historinë e demagogjisë, mendoj që është moralisht e turpshme të lozësh me ata, sepse ju sqaruam qëkur bëtë atë ligjin tuaj në vitin 2007. Ju kemi sqaruar moralisht mos ti gënjeni. Ju kemi sqaruar në vitin 2007 dhe sot jemi në vitin 2012, ndaj ju themi që të gjeni zgjidhje që është e implementueshme. Keni ardhur këtu dhe keni sjellë një faturë që shkon 480 milionë euro ose dollarë. Shqetësimi ynë ka qenë që nuk do të ishte e mundur dhe, e dyta, do loznit politikisht, që është moralisht e turpshme. Jemi në vitin 2012 dhe ne e dimë që është e pamundur që shlyerja të bëhet për 8 vite. Tani jemi në fazën që ju si qeveri duhet të viheni para përgjegjësisë për një ligj që e keni miratuar dhe sa e keni zbatuar. Ata ish-të përndjekur që duhet ta përfitojnë më shumë, shoh se do përfundojnë duke e humbur më shumë dhe ne do të përfundojmë te sherri se kush do ti keqpërdorë më shumë politikisht. Për mua kjo, edhe si ish-ministër Financash, edhe si deputet, është e turpshme.
Edmond Spaho: Unë mendoj që turp duhet të kenë ata që i kishin mundësitë për ti bërë një thirrje ndërgjegjes dhe për të kërkuar ndjesë ndaj gjithçkaje që kanë kryer ndaj kësaj shtrese për mbi 60 vjet dhe gjatë kohës që e drejtuan këtë vend së paku të kishin marrë mundimin që një pjesë të kësaj demagogjie që e thonë sot ta kishin filluar dhe ta zbatonin, sepse është një detyrim që e ka gjithë shoqëria.
Ilir Bejtja: Në grupin socialist nuk dëgjuam ndonjë që tha jemi kundër. Ju jeni qeveria e privatizimeve të mëdha. Keni privatizuar tashmë shumë ndërmarrje publike dhe të paktën një pjesë të atyre parave mund ti kishim drejtuar te të dënuarit politikë. Kemi akoma kohë që nga privatizimi i Albpetrolit të jepni këstet dhe mos mbetemi duke e shtyrë gjithë kohën.
Flamur Noka: Ju duhet të kishit treguar të paktën një shenjë në 8 vjet pushtet të dëmshpërblenit ata që janë akoma gjallë, dhe jo të vini këtu dhe të flisni me lot krokodili. Por ju zgjodhët rrugën që e kishit në parimin tuaj, sepse ju në parimet dhe filozofinë tuaj keni qenë me xhelatët, se jeni pjesë e tyre. Dhe para se të dëmshpërblenit viktimat e regjimit komunist, dëmshpërblyet xhelatët Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe pinjollët e kësaj shtese që e katandisën në këtë derexhe shtresën e të persekutuarve. Ju sot keni ardhur të bëni një kakofoni se është porosia e kryetarit tuaj, se kryetrari juaj nuk mund ti dënojë këto krime sepse ka të atin. I ati i tij biologjik është pjesë me firmë e ekzekutorëve, është pjesë me firmë e kriminelëve, ndaj kjo është ajo që ju keni.
Erjon Braçe: Ajo që doja të thosha është se diskutimi po kthehet në politik, pasi ky është një komision profesional ekonomik.
Flamur Noka: Po, po.
Erjon Braçe: Ore zotëri, unë të dëgjova, a ka mundësi mos të më ndërhysh? Ajo që më shqetëson është se në katër faqe relacion nuk ka asnjë të dhënë ekonomike dhe financiare për të mbuluar pikërisht detyrimet që lindin nga ndryshimet e reja. Pra, sa shtohet kjo faturë financiare dhe si përballohet kjo faturë financiare. Ky ligj bën fjalë për dhënien e shpërblimit të menjëhershëm për ata që janë mbi 85 vjeç, që janë me gishta. Mua më vjen keq për ata që janë 75 vjeç, që për fat janë gjallë dhe që duhet ta marrin menjëherë këtë gjë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›