Ekonomia amerikane i rikthehet rritjes

Ekonomia amerikane u rrit me një normë vjetore prej 2.6% nga korriku deri në shtator, pasi në dy tremujorë radhazi u përball me tkurrje, rritje të inflacionit, si dhe norma të larta interesi.
Rritja është më e mirë se sa pritej nga Departamenti i Tregtisë. Prodhimi i brendshëm bruto, matësi më i gjerë i prodhimit ekonomik, u rrit në tremujorin e tretë, pasi u tkurr në gjysmën e parë të 2022. Eksportet dhe shpenzimet më të mëdha nga konsumatorët, të mbështetura edhe nga një treg i shëndetshëm i punës, ndihmoi në rikthimin e rritjes së ekonomisë më të madhe në botë, në një kohë kur shqetësimet për një recesion të mundshëm po rriteshin.
Shpenzimet konsumatore, të cilat përbëjnë rreth 70% të aktivitetit ekonomik të SHBA-së, u zgjeruan me një ritëm vjetor prej 1.4% në tremujorin korrik-shtator, nga një normë prej 2% nga prilli në qershor.
Rritja e tremujorit të fundit mori një nxitje të madhe nga eksportet, të cilat u rritën me një ritëm vjetor prej 14.4%. Shpenzimet qeveritare ndihmuan gjithashtu. Ato u rritën me një ritëm vjetor prej 2.4%, rritja e parë e tillë që nga fillimi i vitit të kaluar, me shpenzime shumë të larta për mbrojtjen.
Investimet në shtëpi, megjithatë, ranë me një ritëm vjetor prej 26%, të goditura nga rritja e normave të hipotekave, pasi Rezerva Federale rriti në mënyrë agresive kostot e huamarrjes për të luftuar inflacionin kronik. Apnews
/rtsh.al/