Krifca: Shqipëria e para në rajon për zbatimin e Programit IPARD II

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca ka vlerësuar se bujqësia dhe zhvillimi rural, ka pësuar arritje të konsiderueshme falë zbatimit të Programit IPARD II. Gjatë takimit të 9-të të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD II me përfaqësues nga Komisioni Europian dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, zonja Krifca theksoi se mbështetja për qindra hektarë ferma të reja bujqësore dhe blegtorale mundësuan projektimin e bujqësisë shqiptare në të njëjtat standarde me ato të Bashkimit Evropian.
Ministrja Krifca vlerësoi dhe aprovimin e Programit IPARD III me një fond gati 50% më shumë së IPARD II, që tregon maturinë dhe ambicien e strukturave shqiptare për një bujqësi sa më të zhvilluar dhe vullnetin për ta përmirësuar atë në të gjitha nivelet e saj.
“Një rëndësi të veçantë i atribuohej përthithjes dhe disbursimit të fondeve të BE-së, nëpërmjet zbatimit të Programit IPARD II, ku zbatimi me sukses i tij na renditi të parin në rajon. Ne ju sigurojmë se kjo histori suksesi do të vazhdojë nëpërmjet Programit IPARD III 2021-2027, ku buxheti i përfituar nëpërmjet tij do të jetë 146 milion euro BE dhe Qeveri Shqiptare, rreth 54% më shumë se programi IPARD II.
Programi IPARD II i cili filloi të aplikohej vetëm nëntor të vitit 2018, me tre masa, prodhoi një efekt zhvillimi për të cilin ne tashmë të gjithë jemi dëshmitarë në bujqësi.
Këto fonde, i dhanë një frymëmarrje të re sektorit me 67 ha sera të reja, 73 qendra të reja grumbullimi të produkteve bujqësore, 132 traktorë dhe mekanikë bujqësore, rreth 50 investime në bujtina të reja të ngritura apo të rikonstruktuara, mbështetje për qindra hektarë ferma të reja bujqësore dhe blegtorale dhe përtej këtyre mundësuam projektimin e bujqësisë shqiptare në të njëjtat standarde me ato të Bashkimit Evropian, tha ministrja..
Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë në Komisionin Europian, Frank Bollen vlerësoi ecurinë pozitive të Shqipërisë në implementimin e programit IPARD II si dhe gadishmërinë për vijimin e programit të ardhshëm IPARD 3.
“Gjysma e dosjes suaj është disbursuar tek fermerët dhe tek përfituesit në Shqipëri dhe kjo ju vendos në krye të shteteve të Ballkanit, dhe jemi shumë të lumtur me çfarë shikojmë dhe që kjo është bërë pa humbur para nga BE-ja deri më tani. Ky është një lajm i shkëlqyer”, tha Bollen.
Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Hubert Perr vlerësoi se investimet në bujqësi dhe agropërpunim janë rruga e duhur që po ndjek Shqipëria për të eksportuar më shumë në Bashkimin Europian.
“IPARD është një shembull suksesi, është pikërisht ajo që duam të stimulojmë kur ju të antarësoheni në BE, prandaj duhet të përgatitemi për këtë dhe masat për sigurinë ushqimore janë vërtet shumë të rëndësishme sepse do ju lejojnë që të keni akses të efektshëm në tregun e BE”.
/rtsh.al/