E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia e Eurozones tkurret

Banka Qendrore Europiane rivlerësoi parashikimet e saj për ekonominë e Eurozonës për vitin 2013 duke paralajmëruar një tjetër tkurrje të saj.

BQE thotë se rënia e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto i Eurozonës do të tkurret me 0.6 përqind për këtë vit, ndërsa më parë kishte parashikuar një tkurrje prej 0.5 përqindësh të GDP-së. Kreu i BQE-së, Mario Draghi tha se ka ende risqe për ekonominë e Eurozonës, por këmbënguli se një rikuperim gradual i ekonomisë së 17 vendeve të monedhës së përbashkët pritet të nisë brenda 2014-ës. Ndërkohë, në takimin e së enjtes, BQE vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit në nivelin e saj më të ulët historik, 0.5 përqind. Kjo normë u vendos në fillim të muajit maj duke e ulur atë nga 0.75 përqind që qendroi për 10 muaj me radhë. Në konferencën për shtyp, Mario Draghi deklaroi gjithashtu se pret që rritja ekonomike e Eurozonës për 2014 të kapë shifrën 1.1 përqind. “Bordi Drejtues i bankës vëren se ka akoma risqe që rrethojnë ekonominë e Eurozonës. Këto risqe përfshijnë ulje të kërkesës globale dhe mundësitë që reformat ekonomike dhe zbatimi i tyre në vendet e Eurozonës të ecin me ritme të ngadalta”, tha ai. Rishikimi për ecurinë ekonomike dhe financiare të Eurozonës mbërrin pas të dhënave negative të ardhura nga Franca, ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës. Parisi njoftoi rritjen e papunësisë në 10.8 përqind dhe rënien zyrtarisht në recesion pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 0.2 përqind. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›